Edhe pse në seancën e sotme plenare mungojnë deputetët e Partisë Demokratike, debatet në Kuvend nuk kanë munguar.
Në qendër të përplasjes verbale u vendosën deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kapri akuzoi mazhorancën se po zhvillon një parlament pa opozitë reale, duke deklaruar se socialistët "flasin, votojnë dhe duartrokasin vetveten". Ai kërkoi më shumë hapësirë për opozitën në sallë dhe akuzoi Ballën për sulme të vazhdueshme ndaj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Në fjalën e tij, deputeti i opozitës hodhi akuza edhe ndaj Ballës, duke përmendur një përgjim të bërë publik vite më parë dhe duke e ftuar që të merret me kritikat e qytetarëve, të cilët, sipas tij, kanë dalë në protestë kundër qeverisë.
Taulant Balla iu përgjigj me ironi, duke iu drejtuar Kapritt dhe i rikujtoi procesin e numërimit të votave në zgjedhje. Sipas Ballës, vetë Kapri i kishte kërkuar ndihmë për të garantuar mbrojtjen e votave të tij gjatë numërimit.
Kjo tregon bashkëpunimin e hapur që kjo parti ka patur me rilindjen edhe para zgjedhjeve por edhe pas zgjedhjeve.
Balla: Të fala Gones. O Gone, i vetmi deputet që ka ardhur me asistent me vete je ti. Hapu pak ti fotograf se dua ta shoh pak këtë. Kur numëronim votat, më fusje miq që t’i thonim numëruesve tanë të ruante votat se po t’i vishte PD. Është e vërtetë apo jo, turp të kesh. Ti dhe miqtë e tu nuk kishit besim te numëruesit e PD dhe më kërkove me mesazh: Të lutem më ruaj votat se po mi vjedhin. Dhe votat t’i mbrojtën numëruesit e PS dhe ti erdhe në këtë sallë. Në këtë kuadër, unë mendoj se koha që partitë të numërojnë vota duhet të marrë fund. Po të isha prej teje do të flisja për këtë, jo të mbroja kryetarin e partisë.
Edhe shtëpia e Madonnës, 115 metra katror nuk do të bënte 15 milionë euro, pavarësisht famës që ka marrë Gonia. Pavarësisht se simbol i protestës ishte flamingo, do të konsideroja edhe një kalë të bardhë të bukur. Dhe te ky kali, ti, Gonia dhe kali, jeni si ajo miza në fundshpinën e kalit.
Dhe unë respektoj kalin, por mizën atje. Unë nuk ju njoh juve si përfaqësues të protestës. Unë nuk di që qenka herezi që disa shokë të ulen privatisht duke parë një ndeshje futbolli, duke konsumuar 250 mililitra birrë dhe vetëm një maskara e quan skandal të luash me letra. Unë kam edhe foto të tij duke luajtur me letra, por nuk e nxjerr këtu.
© SYRI.net