Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV me moderatoren Eneida Ndoci, deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk arrin më të fshehë, sipas tij, aferat korruptive dhe skemat e pastrimit të parave, pasi ato tashmë janë bërë të njohura edhe për eurodeputetët dhe partnerët europianë.
Këlliçi u ndal veçanërisht te libri ‘Albanian Files’, për të cilin tha se ka ngjallur interes të madh në Parlamentin Europian, ku ai ka prezantuar në detaje përmbajtjen e ‘Albanian Files’, duke shtuar se shumë eurodeputetë kanë kërkuar ta shohin librin nga afër pasi kishin dëgjuar për të në media.
Sipas Këlliçit, interesimi i institucioneve europiane është reflektuar edhe përmes vizitës që një grup eurodeputetësh zhvilloi në zonën e Zvërnecit dhe lagunën e Nartës, ku u njohën me situatën në terren.
Ai theksoi gjithashtu se grupi i Partisë Popullore Europiane ka mbështetur protestën përmes një rezolute të miratuar në Vjenë, duke e konsideruar këtë si një reagim të fortë politik ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
‘Mund t'jua them me përgjegjësi të plotë se tashmë maska e Edi Ramës tashmë ka rënë përfundimisht. Perdja me të cilën ai mbulonte aferat e tij korruptive, korrupsionin e tij galopant, dështimet e tij të jashtëzakonshme në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, me performancën ekonomike të vendit, tashmë janë një realitet i njohur për të gjithë eurodeputetët edhe për të gjithë bashkëpunëtorët tanë kudo në Europë.
Unë jam ndalur në detaje te 'Albanian files' në fjalën time në Parlamentin Europian dhe të garantoj që atë interes që kemi parë nga eurodeputetët për t'u njohur me librin, konkretisht për ta parë nga afër pasi kishin lexuar në media, kishin marrë informacion dhe kishin të dhëna.
Mos harroni që një grup eurodeputetësh edhe e ka vizituar protestën pak ditë më parë, në mos gaboj një ditë apo një javë më parë, kanë qenë në zonën e Zvërnecit, kanë parë lagunën e Nartës, kanë marrë informacion të detajuar, kryesisht kanë qenë deputetë që i përkasin grupit të Të Gjelbërve.
Pra, eurodeputetë. Ndërkohë nga ana tjetër për herë të parë, keni një reagim shumë të fortë të grupit të qendrës së djathtë, të grupit të Partisë Popullore Europiane, që me një rezolutë në Vjenë, të detajuar, e mbështeti plotësisht protestën.
Dhe një ndër arsyet madhore që kanë reaguar në sintoni të plotë e gjithë politika europiane, është në fakt 'Albanian files' që sot konsiderohet aktakuza penale e pashmangshme me autor Edi Ramën. Ajo kurajo që ka patur Edi Rama që në një libër prej 750 faqesh, të pasqyrojë qindra projekte, ku në të gjitha këto projekte e përbashkët është Edi Rama.
Ku në të gjitha këto projekte, arkitektë të ndryshëm, që pa i paragjykuar absolutisht dhe pa ia mohuar meritat, që janë njerëz të njohur dhe profesionistë zot në arenën ndërkombëtare, të gjithë ata tregojnë një detaj.
Dikush thotë që Edi Ramës i shkruaj në Instagram. Dikush thotë më kontaktoi në Facebook. Dikush thotë mori një kolegu im dhe më dha pak numrin tënd Kryeministrit të Shqipërisë. Të gjithë tregojnë se si funksionon në fakt lavatriçja e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri, që është industria e ndërtimit.
Të gjithë tregojnë se si janë ftuar ata personalisht nga Edi Rama, pra i ka ftuar kryeministri i Shqipërisë, për t'i lidhur me grupe të ndryshme kriminale në këtë rast pas një pjese shumë të madhe të kullave, dhe për t'i përdorur jo vetëm për lobim ndërkombëtar, jo vetëm për të blerë influencë dhe mbështetje ndërkombëtare, por për t'i përdorur si një alibi, si një maskazh i madh i korrupsionit të tij, po mbi të gjitha i pastrimit të parave që ndodh në Shqipëri.
Sot, në pjesën dërrmuese të projekteve zhvillimore, kullave, apo të komplekseve të mëdha turistike, të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se mbrapa tyre në pjesën dërrmuese qëndron një grup kriminal, qëndron një kartel droge.
Dhe lidhja e këtyre grupeve kriminale, pastrimi i parave të ardhura si produkt i veprave penale, përmes atashimit me studio ndërkombëtare arkitekturore, është një skemë që Edi Rama ka përdorur për të legjitimuar këto projekte dhe për të blerë influencë ndërkombëtare.
Kanë ngelur të shastisur, të habitur, kur i është treguar në anglisht, ajo letër zyrtare që ai arkitekti holandez i shkruan Edi Ramës ku i thotë që mos mbaj më zgjedhje në Shqipëri pasi të marrësh mandatin e pestë shpalle president i përjetshëm ose bëhu dhe mbret.
Dhe ky Reinier de Graaf, nuk do guxonte, dhe këtë ja kemi bërë të qartë të gjithë eurodeputetëve, nuk do guxonte që në vendin e tij në Holandë apo në një vend tjetër të Bashkimit Europian, të thoshte të njëjtën gjë. Sepse do të kishte patur probleme të jashtëzakonshme, në mos do t'i pezullohej dhe liçensa dhe nuk do t'i lejohej të punonte më.
Për çfarë bëjnë? Shqipërinë e trajtojnë si një tokë eksperimentale. Shqipëria trajtohet nga ky libër, si një pronë private, Eneda. Trajtohet si një çiflig personal i Edi Ramës ku Edi Rama të cakton edhe zonat më të zhvilluara, çmimin e tokës më të lartë në Shqipëri, Edi Rama i trajton si pronë private.
Dhe ata tregojnë në projekte zhvillimore se ky përcakton vetë kush do ndërtojë, kush do marrë lejen e ndërtimit, kush studio arkitekturore do të vijë, kush do hyjë në marrëdhënie bashkëpunimi, kush do marrë statusin e veçantë investitor strategjik i përjashtuar nga taksat, një pjese tjetër i jep favore nga më të ndryshmet, diku falsifikohen vendimet e drejtorisë së kadastrave, dhe i gjithë shteti shqiptar është kthyer në një institucion në shërbim të Edi Ramës, për të paraqitur të gjithë këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës.’, u shpreh deputeti Belind Këlliçi në SYRI TV.
© SYRI.net