Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, u bëri thirrje shqiptarëve të angazhohen për protestat kundër qeverisë.
Berisha deklaroi se kjo verë duhet të shndërrohet, sipas tij, në “verën e përmbysjes së narkoshtetit” dhe krijimit të një qeverie kujdestare që do të përgatisë zgjedhje të lira. Ai u kërkoi qytetarëve të kontribuojnë për suksesin e protestës rinore dhe qytetare, të cilën e cilësoi si të pashembullt në 35 vitet e fundit.
FJALA E BERISHËS:
Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht.
Dhe ftesa ime për çdo qytetar, të bëjmë gjithçka për të shndërruar këtë verë në verën e përmbysjes së diktaturës më të keqe që ka Evropa sot, në verën e përmbysjes së narkoshtetit, krijimit të një qeverie kujdestare për të përgatitur zgjedhjet e lira.
Por kjo kërkon nga çdo qytetar të kontribuojë me të gjitha mundësitë e tij për suksesin e protestës rinore qytetare, të pashembullt në 35 vite të historisë së këtij vendi, e cila po përballet me diktaturën më të keqe, diktaturën e bandës dhe drogës dhe që do fitojë.
© SYRI.net