Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh në mbështetje të banorëve të Nikaj-Mërturit, duke kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje që, sipas tij, rrezikon lumin e Mërturit.
Meta e cilësoi zonën si një nga trevat me potencialin më të madh për turizmin malor dhe theksoi se çdo projekt që cenon lumin do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Ai kërkoi transparencë në proceset vendimmarrëse, respektimin e të drejtave të komunitetit dhe mbrojtjen e lumit si një pasuri kombëtare.
Postimi i plotë:
Nikaj-Mërturi është një nga trevat më të mrekullueshme të Shqipërisë, me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit malor. Një perlë e natyrës, që mbart një histori të lavdishme, një identitet të spikatur historik, kulturor e patriotik dhe një trashëgimi që i bën krenarë të gjithë shqiptarët.
Pikërisht në momentin kur, falë sakrificave, përkushtikin dhe përpjekjeve vullnetare të banorëve të Nikaj-Mërturit, kudo që ndodhen në Shqipëri dhe në diasporë, u bë e mundur hapja e rrugës dhe nisi rivitalizimi i gjithanshëm i kësaj treve, tentativa për të vënë dorë mbi lumin e Mërturit përbën një kërcënim të rëndë. Një ndërhyrje e tillë do t'i jepte një goditje të pariparueshme potencialit të jashtëzakonshëm turistik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Nikaj-Mërturit.
Prandaj qëndroj me bindje të plotë dhe me gjithë zemër në krah të komunitetit fisnik, punëtor dhe patriot të Nikaj-Mërturit, duke mbështetur pa asnjë rezervë kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime për mbrojtjen e lumit dhe për respektimin e së drejtës së tyre për t'u dëgjuar.
Lumi i Mërturit është një pasuri e çmuar kombëtare, një trashëgimi e rrallë natyrore që nuk u përket vetëm brezave të sotëm, por edhe atyre që do të vijnë. Mbrojtja e tij është një detyrim moral, qytetar dhe kombëtar.
I bashkohem thirrjes së banorëve për ndalimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje që rrezikon ose dëmton këtë mrekulli të natyrës, për transparencë të plotë në çdo proces vendimmarrës dhe për zbatimin e ligjit, me respekt të plotë për zërin, të drejtat dhe vullnetin e komunitetit.
Asnjë interes i ngushtë ekonomik nuk mund të justifikojë shkatërrimin e natyrës. Asnjë projekt i paraqitur në emër të "zhvillimit" nuk mund të ndërtohet mbi shkatërrimin e një pasurie që i përket të gjithë shqiptarëve.
Lumi i Mërturit nuk është thjesht një lumë. Ai është jetë, kujtesë, identitet dhe krenari. Ta mbrojmë sot, që edhe brezat e nesërm ta gëzojnë të paprekur.
© SYRI.net