Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka denoncuar përdorimin e administratës publike dhe bizneseve për të siguruar pjesëmarrjen në koncertin e artistit amerikan Kanye West, duke akuzuar Edi Ramën se po përdor burimet shtetërore për interesa propagandistike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaron se, sipas informacioneve që disponon, administrata publike është urdhëruar të marrë pjesë në koncert, ndërsa bizneset janë detyruar të blejnë dhe të shpërndajnë bileta, si edhe të garantojnë praninë e pjesëmarrësve.
Urdhri për pjesëmarrje përfshin edhe administratën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa biletat janë shpërndarë falas për punonjësit e institucioneve.
Bardhi e krahason këtë praktikë me mënyrën sesi, sipas opozitës, qeveria mobilizon administratën gjatë fushatave elektorale.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Si gjithmonë, Edi Rama tjetër thotë dhe tjetër bën!
Në Shqipërinë e Edi Ramës nuk mjafton që qytetarët të paguajnë 4.2 milion euro për një koncert privat me taksat e tyre. Tani, me urdhër të Edi Ramës, duhet të luajnë edhe rolin e spektatorit.
Administrata është urdhëruar të marrë pjesë në koncert. Përfshirë administratën e Kuvendit të Shqipërisë. Biletat janë shpërndarë falas. Bizneset janë detyruar t’i blejnë, t’i shpërndajnë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e njerëzve me detyrim.
Qeveria duket se i ka vënë qëllim vetes të mbushë gjysmën e stadiumit ku do të mbahet koncerti i Kanye West, me nxënës shkollash dhe punonjës të administratës.
Është e njëjta praktikë që Edi Rama ndjek për zgjedhjet. Por këtë herë i duhet të përdorë koncertin privat të Kanye West për të kontrastuar Shqipërinë e protestave.
Nëse kryeministri do të kishte treguar të njëjtin zell për të bërë detyrën, sot mjekimet në spitalin Onkologjik nuk do të mungonin. Kjo është fytyra e një pushteti që investon më shumë për të prodhuar propagandë sesa për të zgjidhur problemet e njerëzve.
Sado patronazhistë të çojë në koncert me urdhër, ka një fakt tashmë të pandryshueshëm: imazhi ndërkombëtar i Edi Ramës është njollosur si kryeministri më i korruptuar në Europë dhe si kryeministri që ka më shumë lidhje me projekte ku pastrohen paratë e trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.
© SYRI.net