Monika Kryemadhi ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani, duke deklaruar se hetimi ndaj saj është ndërtuar mbi një telefon të sekuestruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa ka ngritur edhe pikëpyetje të forta për mosveprimin e prokurorisë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Pas seancës gjyqësore, Kryemadhi bëri të ditur se ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të sekuestrimit të telefonit të saj, duke argumentuar se ekzistojnë dy vendime gjyqësore, të dhjetorit 2023 dhe janarit 2024, ku SPAK ka pretenduar se telefoni nuk ishte në pronësi të saj.
‘Me vendimin nr. 481, datë 17 dhjetor 2023, gjykata pranoi pretendimin e SPAK se telefoni nuk ishte i imi. Por në të njëjtën kohë prokuroria e kishte ekspertuar dhe kishte dalë në përfundimin se telefoni ishte i Monika Kryemadhit. Atëherë kush gënjen?’, deklaron ajo.
Sipas Kryemadhit, në momentin që prokuroria kishte vërtetuar pronësinë e telefonit, duhej t'i kërkonte Kuvendit autorizimin e parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës dhe neni 288 i Kodit të Procedurës Penale për kontrollin e sendeve personale të një deputeteje.
Por pjesa më e fortë e deklaratës së saj lidhet me përmbajtjen e komunikimeve të gjetura në telefon.
Kryemadhi pretendon se SPAK ka ngritur akuza duke pretenduar lidhje me kushëririn e saj, Adrian Shatkun, ndërkohë që në telefon, sipas saj, nuk ekziston asnjë komunikim me të. Në të kundërt, ajo thotë se ka ‘pafund komunikime’ me kryeministrin Edi Rama.
ZARF I ZI PËR SPAK-un e ALTIN DUMANIT
Pretendoni se keni ndërtuar një dosje prej 240 faqesh mbi bisedat e telefonit të Monika Kryemadhit.
Por lindin disa pyetje:
1. Me vendimin nr. 481, datë 17.12.2023, gjykata vendosi se telefoni nuk është i Monika Kryemadhit.
2. Atëherë, mbi çfarë provash mbështetet akuza?
3. Nëse, përkundrazi, pretendoni se telefoni është i saj, atëherë ku është autorizimi i kërkuar sipas nenit 73 të Kushtetutës dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale?
4. Me çfarë vendimi gjykate është hapur telefoni im?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje të qarta. Shihemi ……
Mesazhi në video:
Përshëndetje, këtë video po e bëj për të gjithë dashamirësit të cilët më kanë shkruajtur që dje dhe vazhdojnë të më shkruajnë dhe të më pyesin se çfarë ka ndodhur në seancën gjyqësore.
Unë dje kam kërkuar në seancën gjyqësore pavlefshmërinë e sekuestrimit të telefonit.
Pse? Sepse ka dy vendime gjyqësore të dhjetorit dhe të janarit, të dhjetorit të 2023-shit, kur unë kam kërkuar të më kthehet mbrapsht telefoni që është sekuestruar në shtëpinë e mamasë sime.
Dhe gjykata ma ka kundërshtuar me pretendimin e SPAK-ut, pra të prokurorisë, që telefoni nuk është i imi. Ndërkohë, prokuroria në dhjetor e ka ekspertuar telefonin dhe e ka vërtetuar që telefoni është i Monika Kryemadhit. Në këtë moment, prokuroria duhet t'i drejtohej Parlamentit Shqiptar, sipas Kodit të Procedurës Penale nenit 288 dhe sipas nenit 73 të Kushtetutës, ku rastet e sendeve personale të deputetëve duhet të merret leje nga Parlamenti.
Por SPAK-u nuk e ka bërë këtë gjë, sepse afërmendsh në Shqipëri ne jemi një mbretëri e Altin Dumanit, dhe kanë vazhduar dhe kanë ngritur të gjithë akuzën kundër meje dhe ish-bashkëshortit tim në bazë të mesazheve. Dhe për kaq vite sa e kanë mbajtur telefonin, mua mesazhet m'u dhanë para dy javësh.
Përveçse telefoni është i paligjshëm i sekuestruar, por edhe në zbërthimin e tyre ka ndodhur që në mesazhet e mia me ish-bashkëshortin tim Ilir Meta kam zero komunikime për kushëririn tim Adrian Shatku dhe kam pafund komunikime me ish-kryeministrin e asaj kohe, kryeministrin e asaj kohe Edi Rama.
Ku përveç kësaj, Edi Rama ka dhe dy firma për kushëririn tim Adrian Shatku.
Një në janar të 2014-ës dhe një në maj të 2015-ës. Dhe në këtë rast prokuroria duhet të kërkojë në mos të pandehur, pra të zëvendësojë Ilir Metën me Edi Ramën, duhet të kërkojë dëshmitar ose të kishte pyetur Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin, Edi Ramën si kryeministër që ka firmosur dhe Ëngjëll Agaçin si sekretarin e përgjithshëm të qeverisë që në bazë të ligjit të funksionimit të Këshillit të Ministrave duhet, ka përgatitur rendin e ditës për të cilën kanë pajisur me një VKM të 10 janarit të 2014-ës.
Këtu prokuroria në fakt u vu në pozitë të vështirë, gjë të cilën e vunë re dhe gazetarët. Tani po presim se çfarë do të ndodhi.
Faleminderit dhe mirupafshim. Besoj se mjafton kaq.
© SYRI.net