Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Ekskluzive, Rama shpall 'non-grata' shqiptarët

VIDEO/ Andoni: Samiti i NATO-s nuk varet nga Rama, Shqipëria s'ka as infrastrukturën dhe as logjistikën

17:13, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, ka komentuar diskutimet për mundësinë e zhvillimit të një samiti të NATO-s në Tiranë, duke theksuar se vendimmarrja nuk është në dorën e qeverisë shqiptare, por të strukturave të Aleancës.

Sipas Andonit, debati publik po shmang çështjen thelbësore të samitit, ndërsa vëmendja po zhvendoset drejt temave të tjera. Analisti kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, trajtohen aktivitetet ndërkombëtare nga qeveria shqiptare.

Sipas Andonit, samitet e NATO-s nuk organizohen për qëllime ceremoniale, por për të marrë vendime konkrete mbi sfidat e sigurisë. Analisti nënvizoi se, edhe nëse Tirana përzgjidhet si mikpritëse, organizimi praktik do të mbetet kryesisht në dorën e strukturave të NATO-s.

‘Pjesën më të madhe të organizimit e realizojnë vetë strukturat e Aleancës, sepse ne nuk kemi as infrastrukturën dhe as logjistikën për të mbajtur aktivitete të këtij niveli’, theksoi ai.

‘Po ta shikoni me kujdes, nga sa po flitet, samiti po mendohet shumë pak. Nëse mund të keni vënë re, do të vëreni që kryeministri ynë po përpiqet të kthejë vëmendjen te dy kampionatet botërore dhe ikja dalëngadalë e Modriçit, sesa të flasë për samitin. Kështu që, vendet të cilat janë të organizuara nuk merren me gjëra të tilla.

Në mendimin tim, nuk arrin të kuptojë pjesën që Tirana ka një respekt, për ta thënë të lartë, sidomos për aktivitete të tilla. Dhe, në fakt, mund të jetë trendi, që nuk është trendi i kryeministrit të Italisë, apo kryeministrit të Anglisë, zotit Starmer, që ju e dini, në qoftë se e keni vënë re, se çfarë po bëhet andej, dhe kur nuk është i presidentit të Francës...

Pra, vende që bëjnë modën botërore. Si mundesh ti, që je kryeministri i vendit, një prej vendeve më të varfra të Evropës, të bësh gjëra të tilla? Të gjitha këto nuk mund t'i shikojmë, pavarësisht se janë shqetësimet e mia personale.

Ndërsa pjesa e samitit është shumë interesante, zoti Parruca. E dini pse? Ju thatë me të drejtë që janë dy fronte lufte të hapura. Ne, sot e kësaj dite, nuk dimë se çfarë përmban marrëveshja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Iranin. Pse Irani vazhdon të çojë armë në Rusi?

Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i drejtohen vendit afër... që do të bëjë transportin të formës së kameleonit? Duke pasur kaq të panjohura, duke e ditur, nga ana tjetër, se ç'po ndodh në Ukrainë dhe çfarë po ndodh nga përpjekjet maksimale të autoriteteve amerikane që zoti Putin të takohet direkt me Zelenskyn, ti arrin të kuptosh që, pa u zgjidhur shumë probleme, nuk mund të ketë datë për samitin e ardhshëm.

Se samitet nuk janë si kongreset e dikurshme të partisë. Ti duhet të mblidhesh për të diskutuar diçka. Çfarë samiti do të bëjnë pas këtij të 75-ës? Që u bë për të treguar që NATO ishte më e fortë se kurrë dhe, për herë të parë, mori atribute humane, duke shpëtuar Kosovën dhe duke krijuar një shtet të ri, në atë 78-ditëshin që ndodhi.

Në këtë rast, unë nuk besoj që ka datë të shpejtë. Unë uroj që të bëhet në Tiranë, por, ndryshe nga individët që duan që këtë t'ia veshin qeverisë sonë apo arritjeve, unë dua të them që kjo është një datë dhe caktim i cili bëhet nga autoritetet.

Dhe organizimi i këtij samiti, ndoshta Shqipëria do të kryejë rolin e saj dhe zoti Rama është i prirur për të bërë aktivitete, por kryesisht e bëjnë vetë strukturat e NATO-s. Sepse ne nuk kemi as infrastrukturë, as logjistikë që të mbajmë aktivitete të tilla. Dhe ju e dini që pjesën më të madhe do ta organizojnë prapë ata.

Në qoftë se do të arrijë të bëhet një i tillë, unë uroj të paktën që të ketë lajme të mira për Shqipërinë e për Kosovën në atë kohë. Lajmi më i mirë do të ishte ai që ne presim të gjithë, që, në qoftë se do të bëhet samiti në Tiranë, të ketë një lajm, në fakt, që Kosova të ketë një vend në NATO. Kjo do të ishte gjëja më e madhe, sepse do t'i hiqte një barrë të madhe shqetësimi njerëzve dhe do t'i hapte rrugë të ardhmes së Kosovës.’, u shpreh analisti Ben Andoni në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco