Në ditën e 40-të të protestave qytetare para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike, vëmendja e ekzekutivit duket se është zhvendosur plotësisht drejt shfaqjeve artistike. Përballë një Shqipërie të revoltuar, qeveria rëndohet nga akuza të forta për përdorimin e fondeve publike dhe mjeteve shtetërore me qëllim krijimin e një realiteti fals.
Në një intervistë në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka denoncuar ashpër investimin e pretenduar prej 4 milionë eurosh nga fondi rezervë i shtetit për koncertin e reperit Kanye West në Tiranë. Deputeti i opozitës e cilësoi këtë akt si një propagandë të pastër për të shitur imazhin e një vendi të lumtur që nuk ka probleme politike, por vetëm synime artistike. Akuzat shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se drejtoritë arsimore kanë lëshuar urdhra që nxënësit, mësuesit dhe administrata të marrin pjesë në këtë koncert, një skemë kjo që po cilësohet si "patronazhim politik" i koncerteve, i ngjashëm me fasadat e regjimeve para viteve '90.
Paralelisht me këtë situatë, një tjetër incident i rëndë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Ndalimi në kufi i deputetëve shqiptarë të koalicionit VLEN nga Maqedonia e Veriut është konsideruar si një skandal i paprecedentë, jo vetëm diplomatik, por edhe kombëtar.
Ky veprim arbitrar nga autoritetet shqiptare, i shoqëruar me mungesën e një sqarimi zyrtar, shihet gjerësisht si një strategji e qëllimshme. Sipas Boçit, thelbi i këtij skenari është mbytja e jehonës së protestave dhe tërheqja e vëmendjes nga kriza e thellë demokratike dhe ekonomike në vend.
Arnold Kariqi: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë për t'u ndalur në hapësirën e intervistës ku do të kem nënkryetarin e Partisë Demokratike, Luciano Boçi në një lidhje të drejtpërdrejtë për të diskutuar sigurisht aktualitetin politik dhe zhvillimet kryesore. 40 ditë protestë po bëhen tashmë ku qytetarët kanë dalë që prej fundit të majit, ku vijojnë çdo ditë mbushin sheshin përpara Kryeministrisë dhe sigurisht marshojnë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar llogaridhënie, dorëheqjen e qeverisë Rama dhe çuarjen e vendit në qeveri teknike. Të gjitha këto zhvillime që vijnë me kryeministrin i cili herë ofendonte, herë shante, herë tallej, më pas i sulmonte, dhe në një kohë kur Kryeministri Rama duket se është i shqetësuar vetëm për diçka, për fansat e këngëtarit Kanye Ëest. Zoti Rama ka deklaruar ditën e djeshme se ka dhënë 4 milionë euro për koncertin e ish-burrit të Kim Kardashian, për të mos u turpëruar tek fansat e këngëtarit. Si e shihni gjithë këtë zhvillim zoti Boçi? Gjithë ky shqetësim i Kryeministrit?
Luçiano Boçi: Po, ka shqetësim është e vërtetë. Po ju e bëtë lidhjen sepse paralelisht vendoset përballë kryeministrit edhe protestuesit që është kjo, Shqipëria e vërtetë, Shqipëria e shqetësuar, Shqipëria e revoltuar dhe e zemëruar, e cila ka dalë në shesh dhe kërkon jo thjesht llogari, por kërkon largimin e Ramës dhe largimin e qeverisë së tij. Dhe Rama kërkon ta shfrytëzojë këtë koncert si pjesë të propagandës, të shitjes së asaj që nuk ekziston në Shqipëri. Sikur Shqipëria është shumë e lumtur, që ajo nuk ka probleme politike, ajo ka thjesht probleme artistike, ajo bën garë me veten do vijë Kanye Ëest, do vijë Madonna, apo do vijë ndonjë këngëtar tjetër i shquar apo këngëtar i cili ka probleme me Evropën për shkak të deklaratave të tij që është disi...
Arnold Kariqi: Ky është një koncert privat. Asgjë nuk merr Shqipëria. Lekët e biletave i merr këngëtari, organizatorët, nuk e di, sponsorat. Pse duhet të hyjë shteti apo buxheti i shtetit duke prekur fondin e rezervës?
Luçiano Boçi: E tash Arnold, është kjo, shitja e lumturisë, dhënia e një imazhi tjetër. Rama kërkon ta kthejë në favorin e vet, duke transmetuar atë që nuk ekziston, që ai e ka në iluzion.
Arnold Kariqi: Tha që këtu nuk ka probleme, këtu ka protesta, këtu vijnë të huajt...
Luçiano Boçi: Që këtu s'ka probleme. Domethënë, këtu është, thashë, konkurrenca është vetëm artistike. Ne jemi në garë me artin, jemi në garë me arkitekturën, s'jemi në garë me dorëheqjen e qeverisë. Këtë do të kërkojë, kërkon të transmetojë, do të përcjellë Rama nëpërmjet vetë investimit të vet, të qeverisë së tij me para publike, me qëllim që ky koncert të jetë i zhurmshëm, të ketë jehonë, jo vetëm brenda Shqipërisë, dhe nuk janë vetëm 4 milionët Arnold, janë dhe angazhimet e tjera që ka vendosur në funksion të koncertit vetë Rama, me urdhrin e tij. Unë dje kam bërë një denoncim që zyrat e drejtorive arsimore janë të angazhuara për të thirrur në koncert nxënësit e shkollave të mesme, por edhe pjesën e administratës dhe pjesën e mësuesve, sikurse kjo parashikon që pjesa e patronazhimit politik është bërë patronazhim në koncerte tani. Pikërisht për të realizuar këtë qëllimësi. Kërkon të disekuilibrojë realitetin politik në Shqipëri nëpërmjet ndërfutjeve të tilla. Është një formë që ne e kemi hasur edhe në momente të caktuara, edhe sidomos në ato periudha të vështira para viteve '90 ku regjimet gjithmonë përpiqen të transmetojnë një gjë që nuk ekziston, sikur ka gëzim në jetën e shqiptarëve dhe nuk ka problematika, dhe nuk ka zemërim, që është në bulevard i cili ka shpërthyer dhe tek e fundit kërkon çfarë? Kërkon që Rama të largohet, le të marrë me vete jehonën e koncertit të Kanye West apo ndonjë jehonë tjetër. Por të largohet, e vetëm të largohet, sepse dukshëm ai është sot në sytë e opinionit, krijuesi i të gjitha problemeve dhe i situatës së rëndë në të cilën ndodhet demokracia shqiptare, në të cilën ndodhet realiteti politik shqiptar dhe realiteti ekonomik shqiptar.
Arnold Kariqi: Ndërkohë, duke parë atë që po ndodh me papërgjegjshmërinë e një shteti, i cili nuk mendon faktin që ne jemi edhe në sezonin, nëse mund ta quajmë kështu, jo vetëm sezonin turistik, por edhe sezonin e zjarreve ku Shqipëria është përballur disa herë me zjarre dhe mjetet e saj janë mjete primitive, të cilat nuk i shërbejnë askujt për të bërë të mundur lokalizimin e shuarjen e tyre, ndërkohë që shteti jonë mendon për koncertin. Për ta lidhur me protestën kemi një vendim për disa deputetë, koordinatorë, bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN, deputetin Bekim Qoku, deputetët Adnan Azizi, Asim Myrtezani, të cilët janë ndalur ditën e djeshme në kufi, për shkak se njëri prej tyre kishte probleme, por më pas deputetët kanë bërë të ditur se të gjithëve u është ndaluar hyrja, sepse raportohet që ata mund të kenë nxitur ose mund të kenë marrë pjesë në protesta. Si ka mundësi Boçi që një shtet i trajton si të jenë terrorista disa që edhe mund të mbështesin protestën, çfarë të keqe ka?
Luçiano Boçi: Jemi në një skandal jo thjesht diplomatik se kur marrëdhëniet janë shtetërore skandalet janë diplomatike. Ky është skandal kombëtar, sepse ata janë shqiptarë, janë sigurisht në atë mbulimin diplomatik sepse janë deputetë dhe nuk mund të ndalohen dhe të mbahen në mënyrë absurde siç u mbajtën nga autoritetet shqiptare, me justifikime absurde. Ndërkohë që atyre thjesht iu komunikohet ndonjë problem që ata mund ta kenë, dhe vetë qeveria shqiptare duhet të kishte dalë, institucionet e saj, me një sqarim të plotë të ngjarjes që ka ndodhur. Kjo nuk është bërë. Qëllimisht, dhe ndalimi i tyre nuk është fare i rastësishëm. Nuk ka të bëjë fare me ato çfarë hedhin nëpër studio kasnecët e qeverisë. Ndalimi i tyre është bërë për të krijuar këtë ngjarjen, për të dëshmuar arbitraritet, madje për të dhënë mesazhe penguese dhe për të ndalur çdo ardhje tjetër, dhe për të krijuar një ngjarje që tërheq vëmendjen. Rama gjithmonë e ka pasur këtë strategji, dhe tani ka thirrur, rithirrur atë strategjisin e tij, që për një ngjarje më të madhe krijon një ngjarje më të vogël...
© SYRI.net