Në një deklaratë për mediat jashtë SPAK, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se seanca e radhës gjyqësore nxori në dritë dy prova të reja që rëndojnë mbi kryeministrin Edi Rama, ndërsa konfirmoi se ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk ekziston asnjë provë penale.
Blushi akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta, pretendoi se kryeministri nuk është marrë kurrë në pyetje pavarësisht dokumenteve që e implikojnë, dhe paralajmëroi se Rama, së bashku me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, do të kërkohen si dëshmitarë në proces.
Ai e cilësoi çështjen ndaj Metës një proces politik dhe kriminal, duke folur edhe për ekzistencën e një komploti ndërkombëtar që kishte si objekt goditjen e opozitës.
Blushi: Tragjike, sepse filluan, pra me të drejtë u evidentuan shkeljet shumë të rënda, tragjike, që i kanë ndodhur Kushtetutës, gjithë legjislacionit shqiptar, përfshirë edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe përfundoi me pohimin e bërë para gjykatës nga prokurori Xhapi, i cili tha se nuk e dinte që celulari që ishte ekspertuar ishte i të pandehurës, pra i zonjës Kryemadhi. Por, ndërkohë, kjo seancë nxori në dritë dy prova të reja dhe dy provat e reja janë fakti që, në të ashtuquajturin episod AKEP-Unifi, janë dy firmat e Edi Ramës, i cili nuk është marrë kurrë në pyetje nga SPAK-u, sepse edhe kjo seancë provoi për të disatën herë dhe për të disatën seancë gjyqësore se ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta, nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë penale. Ndërkohë, në çdo seancë shtohen provat ligjore që rëndojnë ndaj Edi Ramës, i cili kurrë nuk është marrë në pyetje. Por, sigurisht, do të thirret si dëshmitar, si një nga dy dëshmitarët kryesorë nga zoti Meta, përfshirë edhe Charles McGonigalin. Pra, këta janë dy dëshmitarët kryesorë.
Gazetari: Ka diçka në kërkesën e Monikës që duket se është në të njëjtën frekuencë me ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, që është kërkesa për të thirrur si dëshmitar Edi Ramën?
Blushi: Nuk mund të komentoj kërkesat e zonjës Kryemadhi, por ajo çfarë mund t'ju konfirmoj është i vetmi fakt. I vetmi fakt që ka ekzistuar që në krye të herës është se nuk ka një kundërvajtje administrative të zotit Meta, e jo më të ketë një fakt apo një provë penale kundër tij. Sigurisht, ky ka qenë dhe mbetet një proces farsë, një proces kriminal, një proces i stisur nga Edi Rama dhe Charles McGonigali, i cili nuk ka arritur dot, pavarësisht një vetingu mbi 30-vjeçar që i është bërë zotit Meta, të gjejë qoftë, e theksoj, një kundërvajtje administrative, e jo më një fakt penal kundër tij. Sigurisht, provat e reja që dolën sot zbuluan se janë firmat e Edi Ramës ato që kanë favorizuar kompanitë e caktuara, sikundër është deklarata publike dhe qëndrimi publik që ka mbajtur Edi Rama në raport me ligjin e minierave, për të cilin akuzohet zoti Meta. Kur dihet që amendamentin e ligjit të minierave e prezantoi apo e propozoi një deputet i Partisë Socialiste, e mbrojti ministri i Edi Ramës dhe u firmos nga Edi Rama, firmë të cilën e kemi bërë edhe ne së fundmi publike, që e vlerëson atë ligj si një ligj që do të ndante dy epoka. Pra, kudo del Edi Rama, por, si përherë, Edi Rama nuk është marrë kurrë dhe nuk është thirrur kurrë nga SPAK-u për t'u marrë në pyetje. Dy provat e reja që dolën sot janë dy prova që rëndojnë vetëm mbi një individ dhe ai është Edi Rama.
Gazetari: Do ta mbajë avokatin e ri deri në fund të procesit dhe përse u nda me mbrojtësin e parë?
Blushi: Tani, unë dua t'ju konfirmoj se avokat më të mirë se vetja e tij zoti Meta nuk besoj se do të gjejë. Por, gjithsesi, se kë zgjedh zoti Meta si avokat mbrojtës, kjo është një çështje që i përket ekskluzivisht atij. Zoti Meta nuk ka nevojë për avokat, sepse nuk ka një provë penale, nuk ka një fakt penal kundër tij, sikundër nuk ka një kundërvajtje administrative që mund ta inkriminojë në çfarëdolloj rrethane. Nuk ka një qindarkë të paligjshme të sekuestruar, nuk ka një metër katror të paligjshëm të sekuestruar. Kjo është një betejë që zoti Meta tanimë e ka fituar edhe me opinionin publik, por sigurisht është një betejë e cila do të triumfojë, pa diskutim, në Strasburg. Ndërsa raportet e zotit Meta me avokatët, për të cilat besoj se zoti Meta i sqaroi edhe me opinionin publik, me autorizimin e tij e bëra unë sqarimin në lidhje me zotin Caca. Por e theksoj, avokat më të mirë se vetja e tij zoti Meta nuk ka, për më tepër, dhe këtë e them politikisht dhe jo juridikisht, që nuk ka nevojë për avokat për sa kohë që nuk ka një fakt penal kundër tij. Por, sigurisht, i duhet një mbrojtës ligjor për të ndjekur hapat proceduralë në këtë proces, i cili po konfirmohet se është një proces fund e krye politik dhe një proces që do të marrë, sigurisht, atë vendim që meriton në Gjykatën e Strasburgut, ku triumfi i zotit Meta është me të vërtetë i padiskutueshëm.
Gazetari: A është dakord avokati i ri me dyshimet e Metës se ndaj tij kishte komplot grek dhe serb?
Blushi: Unë nuk jam këtu të komentoj qëndrimet e avokatit apo të avokatëve. Unë jam këtu si përfaqësues i një force politike, presidenti i të cilës, prej 20 ditësh, u rrëmbye në mënyrë kriminale, më 21 tetor të vitit 2024, dhe për më shumë se 20 ditë vijon të mbahet në paraburgim politik pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale. Një akt i cili është qartësisht fund e krye politik, kriminal dhe thellësisht antikombëtar, sigurisht në funksion jo vetëm të agjendave personale të Edi Ramës, por edhe në funksion të mafies ndërkombëtare, të cilën zoti Meta e ka denoncuar shumë herët, edhe atëherë kur jo shumë gazetarë apo politikanë u besonin deklaratave të tij. Megjithatë, koha vërtetoi se po, ka pasur një komplot ndërkombëtar ndaj zotit Meta, pra i referohem këtu mafies ndërkombëtare. Sot kemi një individ si Charles McGonigal, i cili është në burg dhe për të cilin është faktuar se, i korruptuar nga Edi Rama, udhëhoqi një komplot për ta asgjësuar në mënyrë të kundërligjshme, duke përdorur edhe reformën në drejtësi. Sepse vetë Charles McGonigal, pra i referohemi gjithmonë aktakuzës së drejtësisë amerikane dhe nuk besoj se dikush prej jush ka dyshime mbi pavarësinë e gjykatave amerikane, ka konfirmuar dhe është interceptuar sa i përket konsideratës së tij se reforma në drejtësi do të shërbente si një mundësi shumë e madhe për të dhe për Edi Ramën. Dhe besoj se fakti që ai sot po bën burg për Edi Ramën i thotë të gjitha. Faleminderit.
© SYRI.net