Banorët e Nikaj-Mërturit janë ngritur në protestë kundër ndërhyrjeve të nisura në shtratin e lumit të Currajve, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe shkelje të ligjit. Sipas denoncimeve, fadromat kanë hyrë gjatë natës për të kryer punime në kuadër të një projekti të KESH-it për ndërtimin e pritave malore, ndërsa banorët pretendojnë se në të vërtetë po ndërtohen diga betoni që rrezikojnë një nga ekosistemet më të paprekura të Alpeve Shqiptare.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, mjeku dhe ish-kandidati për deputet Mhill Gecaj e cilësoi ndërhyrjen si “krim mjedisor”, duke deklaruar se punimet nisën pa transparencë, pa dëgjesa publike dhe pa informacion për komunitetin.
Sipas Gecajt, qeveria ka lënë për vite me radhë zonën pa investime në rrugë, shkolla, ujësjellës apo infrastrukturë, ndërsa tani po shpenzon miliona euro për një projekt që, sipas tij, rrezikon lumin, florën, faunën dhe zhvillimin e turizmit.
Ai akuzoi autoritetet se kanë tentuar të minimizojnë ndërhyrjen duke e quajtur lumin “Përroi i Lekbibajve”, ndërkohë që bëhet fjalë për një lum shekullor të mbrojtur, pjesë e trashëgimisë natyrore të Nikaj-Mërturit.
Pas reagimit të banorëve, punimet janë pezulluar dhe makineritë janë larguar nga zona. Gecaj paralajmëroi se komuniteti do të ndjekë rrugën ligjore për të kërkuar zbardhjen e plotë të projektit dhe ka apeluar që fadromat të mos rikthehen derisa të ketë transparencë të plotë dhe konsultim me banorët.
Biseda në studio:
Moderatori: Duket se një tjetër vend që e kishim harruar pak nga memoria jonë kolektive, por kujtohet gjithmonë qeveria për ta dhunuar dhe sigurisht kthehet në protagonist. Por megjithatë lajmi i mirë është që banorët e zonës janë ngritur në mbrojtje dhe banorët e Nikaj Mërturit nuk janë as personazhet më tolerantë të këtyre rasteve. Kthehet në studio një mik i emisionit siç është doktor Mhill Gecaj. Mirëmëngjes doktor, mirë se erdhe.
Mhill Gecaj: Mirëmëngjes, faleminderit për ftesën.
Moderatori: Por atje s'ke qenë si doktor apo jo?
Mhill Gecaj: Jo s'ka lidhje atje me profesionin, ka lidhje me shpirtin edhe me gjithçka. Unë e kam edhe ndjej për atë zonë, domethënë prandaj kam qenë aty në mbështetje të vëllezërve dhe motrave të mi, banorëve të Nikaj Mërturit, në këtë rast në mbrojtje të trashëgimisë tonë. Pra nisur edhe nga inserti që ju sapo anançuat, këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, domethënë e mirëfillti është një krim mjedisor. Kanë njoftuar për dëgjesa publike, po si mund të bëhet dëgjesa publike pasi ti ke vazhduar punimet, ke paraqit, ke realizu, kanë zbarkuar fadromat edhe kanë bërë masakër në lumin e Nikaj Mërturit aty. Domethënë kjo është e papranueshme, është shkelje totalisht ligjore. Pra çdo lloj investimi që bëhet në çdo zonë, në çdo vend të Shqipërisë është detyrim ligjor, së paku transparenca. E plotë, e prera, pa diskutim. Transparenca e plotë e projektit, me dëgjesat publike me komunitetin, cilat janë benefitet që ata përfitojnë apo rreziqet, dhe në rastet më të mira pastaj ne s'kemi pasur rrugë tjetër pra vetëm për protestën, për ta bërë që kjo masakër të ndalojë për momentin, derisa i gjithë projekti apo çfarë këta kanë menduar të bëhet transparent përpara komunitetit dhe pastaj të vendoset se si do të jetë e ardhmja e tij.
Moderatori: Tani një sekondë, këto punime po i bëjnë, po i kryejnë firmat e zonës?
Mhill Gecaj: Shiko sipas informacioneve që ne kemi marrë nga dy mediat, po themi tonat, portalet, portali Nikaj Mërtur News dhe gazeta zyrtare e Nikaj Mërturit e shoqatës Nikaj Mërturi. Pra kemi marrë një informacion se këtu kanë mësyrë fadromat si çetnikët natën, janë futur fshehurazi në lum, pa asnjë lloj informacioni publik dhe absolutisht absolutisht... shiko aty flitet për një tabelë, tabela është vendosur pas reagimit tonë dhe po ta shikosh atë tabelën, përsa i përket gjithë elementëve sepse unë nuk jam specialist i mirëfilltë i këtyre ndërtimeve, inxhinier, por çdo tabelë që ne shohim në të gjitha rastet e ngritjes...
Moderatori: Autoriteti kontraktor, buxheti, leja...
Mhill Gecaj: Buxheti, leja, vendoset një tabelë aty ku thotë filani kontraktor, shuma e cila vendoset, fillimi i punimeve, mbarimi i punimeve, për çfarë bëhet fjalë aty... dhe absolutisht ato elementë edhe në atë tabelë që është vendosur pas protestës sonë nuk ekzistojnë. Pra ka pasur një fshehtësi të plotë në lidhje me këtë çfarë është bërë. Shiko se çfarë ka ndodhur, aty flitet që është bërë një projekt para dy tre vitesh sipas informacioneve që kemi ne kemi mbledhur. Pra personat të cilët e kanë hartuar këtë projekt në lidhje me po themi të keshit sot janë ku janë.
Moderatori: Tani nuk e di a je në dijeni po janë mbrapa hekurave?
Mhill Gecaj: Janë mbrapa hekurave ata të cilët paskan qitur, paskan realizuar këtë projekt. Kanë shkuar siç duket me satelit atje dhe ku t'ia vjedhim ca lekë, po futim dorën atje në atë zonë e cila mbase nuk na sheh kush këtu dhe nuk bëhet fjalë për pak, për fonde të vogla, po bëhet fjalë për miliona euro të cilat tashmë janë tenderuar. Shiko miku im, ajo është një zonë totalisht e virgjër në kuptimin e mirë të fjalës dhe është një zonë që është park natyror i mbrojtur me ligj. Pra shpallur park natyror i mbrojtur me ligj. Pra nuk mund të ndërhyhet aty. Së dyti ndërhyrja në lumenj, se këta kanë bërë edhe një hile aty, e kanë bërë 'Përroi'. Përroi i Lekbibajve. Aty nuk është përrua, aty është lum shekullor. Pra që kur kemi mësuar gjeografinë e Shqipërisë dy lumenj ka Tropoja: Lumin e Valbonës dhe Lumin e Currajve të Nikaj Mërturit që e ka zanafillën në Curraj dhe pastaj zbret që derdhet në Drin. Drini ne na lag, na prek por nuk është lum i yni pra. Ky nuk është përrua, pra këta për ta minimizuar problemin e kanë quajtur 'përrua' dhe kanë ndërhyrë në lum duke bërë këtë masakër mjedisore. Tani çfarë ndodh...
Moderatori: Në nëntë vite nuk është bërë një investim?
Mhill Gecaj: Po nuk është bërë një investim mo! Edhe disa banorë të zonës, disa djem të Nikaj Mërturit që jetojnë dhe punojnë në emigracion, kanë bërë disa punime, kanë shtruar rrugë me fondet e tyre për të çuar, për të bërë të mundur që makinat të shkojnë drejt bujtinave dhe drejt shtëpive të tyre dhe i kanë çuar për ndjekje penale.
Moderatori: Të vërtetë? Po duket si një politikë e qartë shpopulluese kjo. Ti mos e bëj rrugën, unë s'do ta bëj rrugën, ti vdis atje në mal.
Mhill Gecaj: Po pikërisht pra. Po të gjithë kanë të gjithë këtë qëllim, pra është bërë e qëllimshme. Dhe vetëm për këtë vetëm po sikur mos ketë asnjë element tjetër, vetëm kjo përbën një vepër penale. Pra ndryshimi i destinacionit, sepse aty është lum, është në të gjitha hartat e Shqipërisë dhe gjeografinë e Shqipërisë ai është lum. Është lum shekullor, është identiteti jonë, është trashëgimia jona. Shiko ne nuk jemi kundra zhvillimit, absolutisht, por së pari, si ka mundësi që në 9 vite nuk ke dhënë një cent për ta bërë sepse me aq miliona euro sa diskutohet aty mund të ishin shtruar të gjitha rrugët e Nikaj Mërturit, të ishin nxirë me asfalt. Nuk kanë bërë një shkollë, nuk kanë bërë një kabinë elektrike, nuk kanë bërë një ujësjellës, nuk kanë bërë një kanalizim, nuk kanë bërë një urë, nuk kanë hapur një shteg, nuk kanë bërë asgjë, absolutisht asgjë.
Flas për krahinën tonë të Nikaj Mërturit që është edhe nderi i kombit e dekoruar nga presidenti me urdhrin e dekorimit 'Nderi i Republikës', për vetë historinë e saj që ka Nikaj Mërturi. Dhe këta paskan gjetur fondet tani për të ndërhyrë për të bërë prita në lumë. E para prish gjithë ekosistemin, pra ka ndikim në mjedis sipas specialistëve...
Moderatori: Po a ka ndikim në ekonominë lokale? Flas në kuptimin a përdoret uji për bujqësi apo për aspekte të tjera ekonomike të jetës së përditshme?
Mhill Gecaj: Ai ujë pa diskutim që përdoret për ekonomi, përdoret për vaditje, përdoret edhe për një hidrocentral që është aty, që i ka dhënë dritë Nikaj Mërturit dhe rrjedh rrjeti në sistemin tonë energjetik, me vite që është një hidrocentral i cili ky nuk ka pas asnjë lloj dëmi në mjedis dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të prodhojë energji aty. Dhe njerëzit akoma janë pa energji atje. Ai prodhon energji po rrjeti elektrik nuk funksionon pothuajse në shumë fshatra në shumicën e kohës janë pa drita. Po kjo është temë, është histori tjetër, por vetëm kjo thashë përbën, përbën vepër penale, pra ndryshimi i destinacionit nga përroi i Lekbibajve dhe janë futur në lumin e Mërturit. Pra vetëm kjo mos të kishte asnjë element tjetër, kjo përbën një vepër penale. Tani ne kemi shkuar aty në mbështetje të banorëve që jetojnë atje, ne të gjithë jemi me shpirt dhe me zemër atje, pavarësisht se jemi të larguar por ama kemi tokat atje, kemi pronat atje, të gjithë ne rikthehemi, familjarët tanë atje, gjakun tonë atje, dhe të gjithë ne kthehemi herë pas here në atë zonë. Për të bërë një shkatërrim të atij lumi dhe një devijim të tmerrshëm që me vetëm devijim, pa diskutim që është bërë devijim aty, është prishur komplet shtrati për një kilometër dhe është bërë devijimi i lumit. Pra ai shiko ne e kemi e kemi mësuar tash edhe nga specialistët që çdo lloj ndërhyrje atje ndikon në ekosistem, ndikon në mjedis, pra ndikon në florë, ndikon në faunë. Ne kemi flamingot tona, kemi troftën pikaloshe me kuqe që është unike në Europë. E cila menjëherë sapo kjo prita të vendosen sipas atyre që janë specialistë të florës dhe të faunës ajo pa diskutim ndryshon ka dhe probleme në lëvizjen e saj sepse nuk arrin dot mbi betonet që këta bëjnë që ajo të notojë dhe të eci. Plus e dyta ajo është një zonë tashmë që po ka filluar frekuentimin me turistët e huaj dhe i kemi takuar dhe atë ditë njerëz të cilët janë të tmerruar nga ajo çfarë po ndodh. Shiko edhe ti mund të bësh punime, edhe në lumë edhe në përrenj ke parasysh, po duhet të bësh punime shumë të kujdesshme, duhet ta ruash sistemin, duhet ta ruash mjedisin, jo të shkosh në mënyrë barbare atje. Shiko ne nuk jemi kundër pritave. Pritat duhet të bëhen, po duhet të bëhen në përrenj. Ai është një lumë shekullor i cili ka shtratin e vet me gurë të mëdhenj, është totalisht i pyllëzuar nga të dy krahët pra sepse aty ku buron atje unë e kam origjinën në Curraj të Epërm, aty ku bëhet burimi i atij lumi, pra është totalisht e pyllëzuar dhe sipas informacioneve që ne kemi, ky lum nuk sjell inerte, nuk sjell sedimente siç thuhet në gjuhën teknike, pra që këta të mbushin liqenin. Ato çfarë i bëjnë i sjellin përrenjtë. Ne nuk jemi kundër, le t'i bëjnë pritat në përrenj, pa diskutim ka mbi pesë gjashtë përrenj të cilët sjellin dhera dhe i çojnë pastaj drejt liqenit të Komanit sepse diskutohet që na paska mbushur liqenin, na qenka duke u mbushur liqeni tani qenkan kujtuar që është duke u mbushur liqeni, po kjo, kjo nuk ka të bëjë fare. Kjo është një, një dorë ogurzezë e cila sipas...
Moderatori: Po cili është qëllimi final i këtij plani pra?
Mhill Gecaj: Po qe se, sepse nuk tregohet asnjë gjë, pra nuk ka një transparencë or zotëri. Hajde të ulemi këtu me komunitetin dhe të diskutojmë shiko, kush e ka bërë studimin? Sa inerte sjell ky lum? Pra kush e ka bërë studimin? Pse s'e paraqesin studimin? Kush janë ata që e kanë bërë studimin? Sa inerte sjell ky lum në liqenin e Komanit? Sa? Pra me statistika hajde të flasim, hajde të flasim me fakte. Sepse ne kemi, jemi rritur atje ne nuk mbajmë mend dot 12 metër kub zhavorr për të suvatuar shtëpia sepse ai lum nuk prodhon, pra nuk ka, nuk sjell. Pra është një lum i cili është në shtratin e tij me mijëra vjet aty dhe është një lum jo i rrëmbyeshëm, por është një lum që nuk shteron kurrë. Është një lum si në dimër, si në verë, domethënë edhe tani që është kulmi i vapës ai është një lum me një prurje të kënaqshme të bollshme e cila ndikon pa diskutim edhe në sistem, por edhe në sistemin tonë hidroenergjetik. Dhe pastaj këtë lum e quajnë përrua. Përrenj, përrua janë ata që shterojnë. Pra janë ato që shterojnë, nuk janë lumenjtë përrenj. Pra këtu është bërë një masakër e pastër mjedisore dhe një krim. Ne po përgatisim dosjen. Pra juristët tanë të Nikaj Mërturit, studiot tona të avokatisë, të cilët për fatin tonë të mirë nuk janë të paktë, njerëzit e shkolluar.
Moderatori: Ka avokatë nga Nikaj Mërturi plot?
Mhill Gecaj: Pooo njerëzit e shkolluar nga ajo krahinë për numër popullsie ne jemi unik në Shqipëri, nuk e them këtë për mburrje por kjo është realitet, fakt. Në të gjitha fushat qoftë specialistë të mjedisit qoftë me inxhinierë, qoftë me gjeologë, dhe avokatët, po përgatisin dosjen për ta drejtuar, për ta çuar këtë në organet ligjzbatuese. Të shikohet nga fillimi deri në fund. Si është e vërteta, çfarë është bërë me këtë projekt dhe pse janë turrë lumit të Nikaj Mërturit? A fshihet gjë pas kësaj? Pse? Pra sepse këtu i vetmi lum që kishte mbetur, se këto është bërë një masakër mbi lumenjtë, mbi lumenjtë, domethënë nuk ka ngelur një burim uji pa e marrë e pa e futur nëpër tuba dhe pa e përdorur për qëllime të tyre. Shiko, lumenjtë, malet, alpet, shkëmbinjtë, shpellat janë pasuri kombëtare. Janë pasuria jona. Janë pasuri që ne duhet t'ia lëmë, duhet t'i ruajmë, duhet t'ia lëmë brezave. Pra nuk mund të ndërhysh ti në një pasuri publike sikur është prona private e dikujt dhe o burra këtu të bëjmë një projekt të marrim ca para dhe o burra shkatërrojmë atë. Jo. Kjo është një pasuri e jona kombëtare pra. Ajo, ai vend atje nuk është pasuri vetëm e imja, është edhe e juaja, është edhe e atyre. Por janë bërë kontrata me nënkontraktime, fitoj këtë tenderin kaloje dorë më dorë, pra që të gjithë të marrin nga pak dhe pastaj janë sulur atje. Sepse fare mirë pritat mund të bëheshin në përroin e Bugjonit, se njerëzit e kuptojnë se për çfarë jam duke folur.
Moderatori: Banorët e zonës e dinë?
Mhill Gecaj: Banorët e zonës atje dhe njerëzit edhe këta që janë marrë me mjedisin e cila. Ai ka detyruar, ai përrua ka detyruar që sot tragetet që vijnë nga Komani për në Fierzë mos shkojnë në destinacion ku ka qenë dikur kalata, por kanë ndaluar tashmë në bregun e Rajës, si rezultat i prurjes së dherave nga përroi i Bugjonit që është ndër përrenjtë më të mëdhenj që ka sot veriu i cili ka bërë totalisht devijimin e Drinit dhe të liqenit të Komanit. Pra e ka mbushur atë me inerte. Aty duhet t'i kishin bërë pritat. Aty duhet t'i kishin bërë digat.
Moderatori: Por aty ku ishte problemi nuk e bëjnë ndërhyrjen.
Mhill Gecaj: Por aty ku janë, aty ku i bëjnë, ku është atje, nuk i bëjnë pritat atje sepse çfarë ndodh? Që të shkojnë për ta bërë atje ku janë përrenjtë, nuk ka infrastrukturë. Pra u duhen gjërat edhe gati, u duhen që mos shpenzojnë asnjë lek, po duhen që të gjitha ato t'i vjedhin. Pra nuk se të shkosh atje duhet të bësh rrugë, duhet të gjesh formën për të shkuar, duhet të transportosh materialet e tjera, e tjera. Jo. Do shkojmë këtu tek përroi, ndërkohë futen tek lumi sepse prej aty direkt kanë dalë nga rruga e makinës e cila është premtuar nga drejtues të politikës e tjerë e tjerë, se s'dua të merrem me politikë fare se Nikaj Mërturi s'ka parti aty kur bëhet fjalë për Nikaj Mërturin ka vetëm një parti që është Nikaj Mërtur dhe unë e kam theksuar atje. Por këta që kanë premtuar rrugë, kanë premtuar ndonjë gjë tjetër, nuk e kanë shtruar as atë rrugë nga ura e veç që njerëzit e dinë aty deri te ura e Mërturit dy kilometra edhe atë ditë që shkuam atje edhe ajo është e pashtruar. Pra nuk kanë gjetur mundësinë as për t'i hedhur për t'i mbushur ato gropa. Jo, me fadroma, me makineri të rënda janë futur atje në lum si barbarë.
Moderatori: E kuptoj. Nëse dikush shkon sot atje, çfarë po ndodh në këtë të mërkurë, 8 korrik në Nikaj Mërtur? Ka punime?
Mhill Gecaj: Shiko unë të falënderoj shumë për pyetjen. Dua të gjej rastin ta falënderoj edhe administratorin e njësisë administrative të Nikaj Mërturit, zotin Besart, një djalë i ri, i cili siç e deklaroi edhe aty edhe ai nuk kishte asnjë informacion, as nuk kishte që ka bërë pezullimin e punimeve menjëherë sapo problemi është bërë është ngritur me forcë nga banorët. Pra ai është ardhur në takim atë ditë aty. Nuk është ardhur për dëgjesë, se së pari dëgjesat nuk mund të bëhen ditë të diela, por është ardhur si banor dhe si djalë i Nikaj Mërturit i cili do të jetë sot dhe deri sa të ketë shkruar Zoti jetën, do të jetë me ne pra, nuk do të jetë administrator pra e ka zgjedhur rrugën më të drejtë. Pra në këtë moment aty nuk ka punime, makineritë janë tërhequr natën, për hanë para se ne të arrinim atje, kanë bërë mirë që i kanë tërhequr makineritë atje, kanë bërë mirë shumë që i kanë tërhequr makineritë. Ju bëj një apel dhe një thirrje, që ato mos të rikthehen më atje, edhe në qoftë se kanë që të rikthehen edhe ta rregullojnë lumin jo, lumi do ta gjejë shtratin e vet, ne do ndërhyjmë vetë me mjetet e me mundësitë tona domethënë, ne banorët e Nikaj Mërturit, për ta rregulluar atë masakër që kanë bërë. Ata nuk duhet të vijnë më atje derisa i gjithë projekti që është bërë, të zbardhet, pra të jetë transparent për publikun, të diskutohet me banorët, cilat janë përfitimet, çfarë ndodh në këtë rast për zhvillimin, e të tjera e me radhë. Ne nuk jemi kundra. Në qoftë se këtu rrezikohet domethënë kaskada energjitike e Drinit, nga lumi i Currajve dhe i Mërturit, o burra hajde ta diskutojmë. Por kjo do zbardhet dhe derisa të zbardhet, ju bëj një apel që mos t'i çojnë fadromat atje. Mos guxojnë t'i çojnë fadromat atje. Nuk kanë pse ta provokojnë popullin e Nikaj Mërturit. Populli i Nikaj Mërturit ka treguar në shekuj që është një popull, domethënë mikpritës, është paqedashës, por ama kur ka ardhur koha, kanë ditur t'i tregojnë vendin qoftë pushtuesve serbo-malazez, por edhe turqve. Që të jemi të qartë në këtë pjesë. Kanë gjetur vendin më të gabuar, për t'u përballur me atë banorë. Ata banorë kanë jetuar atje në vështirësitë e tyre në shekuj, kanë gjetur të gjithë këto vite edhe ata me vështirësitë e tyre nuk e kanë braktisur vendin totalisht siç është bërë se aty. Vazhdojnë njerëzit jetojnë atje, vazhdojnë njerëzit të shkojnë verërave atje, ka filluar turizmi, të funksionojë në këtë zonë e cila...
Moderatori: Që duhet lënë në harresë. Po e sigurt.
Mhill Gecaj: Është surreale, është vrana, është kakia, është pjesa e livadhit të Salsës, njerëzit i njohin shumë mirë. Por kemi edhe këtë lumë të mrekullueshëm i cili pa qenë ky domethënë jeta atje nuk është se...
Moderatori: Kuptohet s'ka jetë pa ujin.
Mhill Gecaj: Po sikur s'ka jetë pa ujë, kështu që aty për momentin janë ndërprerë punimet, njerëzit atje janë vigjilentë, do të jenë non stop atje në çdo kohë, dhe në moment që këtu do tentohet për të ndërhyrë, protesta jonë do të jetë shumë e fuqishme, ne thashë edhe një herë dhe duhet ta theksoj, ne do të ndjekim gjithë rrugën ligjore, fillimisht. Ne jemi për të ndjekur rrugën ligjore, për të bërë transparencën e plotë të projektit, për të bërë dëgjesat publike dhe pastaj njerëzit, qytetarët ta vendosin.
© SYRI.net