Një prej folësve në protestën e 36-të qytetare para Kryeministrisë, i arrestuar në protestën e 2 korrikut para Parlamentit, hodhi poshtë etiketimet ndaj të arrestuarve gjatë protestave të fundit, duke deklaruar se mes tyre kishte qytetarë të zakonshëm, mësues, sportistë dhe familjarë, e jo, sipas tij, "terroristë" apo "banda kriminale".
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin dhe t'i bashkohen protestës, ndërsa akuzoi qeverinë për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe e mbylli fjalën me thirrjen drejtuar kryeministrit: "Rama, jep dorëheqjen!"
Protestuesi: I kanë bërë llogaritë gabim. Gjatë këtyre ditëve paqësore janë shkelur të drejtat kushtetuese. Nga e gjithë Shqipëria e cila çdo ditë shtypet e shtypet. Atë ditë që kishin atë logun tonë, të izoluar me xham, që prisnin të akuzoheshin për vepra penale të pakryera por të sajuara politikisht. Kishim mësues, kishim babë e bir me profesion të nderuar dhe të ndershëm. Kishim sportistë të njohur. Kishim Altinin që e ka djalin sëmurë. Kishim Aristotelin që kalon fijen dhe vjen çdo ditë proteston. Kishin qytetarë të thjeshtë me integritet që besojnë në ideale, besojnë në vlera. Kishim këto, por nuk kishim terroristë, nuk kishim as banda dhe nuk kishim as organizata kriminale sikur na i bëri propaganda, rrjetet sociale. Nuk kishim as mbeturinat, as qelbësirat, as qentë sikur ky kryeministër na i bëri. Këta palaço deputetë dhe këta ministra që sulmojnë qytetarët e thjeshtë që kanë dalë me fëmijët e tyre për të protestuar. E dhimbshme, e shëmtuar, është revoltuese! U bë kaq ditë që vijmë këtu në protestë, me qindra ditë. Deri dje kam zgjedhur të jem pjesë e protestës, por jo protagonist. Sepse e dija që të tjerë që kanë më shumë se unë për të folur dhe duhen dëgjuar. Duhen dëgjuar pasi kjo qeveri është e shurdhër. Kjo qeveri ka zgjedhur t'i fyejë qytetarët e vet, t'i bullizojë, t'i trajtojë me arrogancë, t'i vjedhë, t'i dhunojë, t'i arrestojë, t'i vrasë, t'i plaçkisë! Duhen dëgjuar, pasi kjo qeveri e ka humbur arsyen. Na shohin si armiq, na etiketojnë si të dhunshëm, por ne jemi protestuesit më paqësorë. Ne jemi zemra më e pastër e kësaj Shqipërie. Ne nuk heshtim, ne kërkojmë të drejtën tonë për të protestuar për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të barabartë, ku ne të gjejmë se sundimi i ligjit vlen për të gjithë shqiptarët. Faleminderit besimit tuaj! Mirënjohje pafund për të gjithë protestuesit e ndershëm, paqësorë që nuk heshtin, por kërkojnë të drejtën e tyre për të protestuar. I ftoj të gjithë qytetarët e ndershëm që besojnë në vlera për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri e cila u jep të drejta të gjithë shqiptarëve, t'i bashkohen historisë. Mos të rrinë të bëhen spektatorë. Ky moment është vendimtar. Ne jemi pjesë e historisë. A e kuptoni sa e rëndësishme është ky moment? Më është dashur dhe mua t'ju tregoj, t'ju them... Dilni mos kini frikë! A e kuptoni se e kemi mbytur frikën? A e kuptoni se lepuri ka hyrë në barkun e tyre? Fundi iu ka ardhur, fundi po vjen! Bashkohuni me të drejtën, mos rrini, mos heshtni dhe mos u ankoni nesër për padrejtësitë që ju bëhen çdo ditë. Ejani sot dhe ta mbyllim këtë me diçka shumë të rëndësishme. Tani nuk ka më 'lironi çunat'. Tani kemi kohë plot të themi: Rama jep dorëheqjen!
© SYRI.net