Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi në SYRI TV se Shqipëria ka qenë në qendër të diskutimeve në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE), ku u prezantua raporti i misionit faktmbledhës për situatën në vend.
Sipas Vokshit, raporti ngre shqetësime për procesin zgjedhor, përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës, ndikimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe nivelin e korrupsionit.
Ajo tha se dokumenti përmend edhe rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke iu referuar të dhënave të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe çështjen e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Vokshi shtoi se raporti i PPE evidenton gjithashtu shqetësime për lirinë e medias, mungesën e transparencës dhe mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri.
Vokshi:
Në datat 29-30 qershor u mbajt Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane, që është një nga forumet më të rëndësishme të Partisë Popullore Evropiane. Unë mund të them që Shqipëria në fakt mbizotëroi axhendën e kësaj asambleje politike, sepse ishin dy pika në rendin e ditës që fokusoheshin në zhvillimet në Shqipëri. E para ishte pika e parë pra që i përkiste Shqipërisë ishte raporti i misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Evropiane. Ju e mbani mend që rreth 30... një mision i përbërë nga 30 anëtarë nga mbi 20 parti të ndryshme nga vendet e ndryshme, të Partisë Popullore Evropiane, bënë vizitë në Shqipëri, takuan të gjitha palët e interesit, jo vetëm, ju e përmendët që erdhën dhe në selinë e Partisë Demokratike, po ata bënë një seri takimesh me media, me shoqëri civile, me ambasadorë, me parti të tjera të opozitës, diplomatë, ish-diplomatë e kështu me radhë. Pra ishin dy ditë intensive të misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Evropiane.
Pse ky mision? Sepse situata në Shqipëri, ashtu siç i vinte anëtarëve të PPE-së, ishte shumë shqetësuese. Mund të themi që kishim shtatë rezoluta, dy prej të cilave të miratuara nga Partia Popullore Evropiane dhe të tjera të miratuara nga CDI-ja, nga IDU-ja, të cilat janë forume politike të spektrit të qendrës së djathtë. Po ashtu, raporte të shumta, të gjitha raportet ndërkombëtare për sa i përket zgjedhjeve, dhe këtu mund të them raporti final i ODIHR-it apo Instituti V-Dem për demokraci, për sa i përket zgjedhjeve të zhvilluara në 14 maj të 2023-shit, të cilat shprehnin një shqetësim shumë të madh për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri. Ku nuk kishte fushë loje të barabartë, ku zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, ku kishte shpërdorim masiv të burimeve të administratës, ku siç përmende ODIHR-i mbi 4525 aktivitete brenda katër muajve të organizuara nga pushteti qendror, vendor, duke shpërdoruar pra masivisht postin dhe paranë publike... bonusi i pensioneve, dhënia e legalizimeve, leje ndërtimi, të cilat në fakt një pjesë e tyre shfaqet edhe te raporti i ODIHR-it. Pra zgjedhjet ishin pika e parë shqetësuese në raportin e Partisë Popullore Evropiane.
Pika të tjera, dhe në fakt të detajuara në këtë raport siç nuk ka ndodhur në raporte të tjera, dhe unë këtu dua t'ju kujtoj që pjesë e Partisë Popullore Evropiane janë 15 kryeministra, janë 15 parti pra që janë në qeverisje tani, apo dhe dhjetëra parti të tjera që janë në koalicione qeverisëse. Pra nuk flasim vetëm për një grupim politik, por flasim për kancelari të ndryshme të cilat tashmë janë shumë të shqetësuara, dhe në raportin e PPE-së shfaqin jo vetëm shqetësimin për ndikimin e krimit në jetën ekonomike, në jetën politike, në jetën sociale të Shqipërisë, shqetësimin për pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës. Dhe kjo është një çështje në fakt, pavarësisht se e kemi ngritur zërin, pavarësisht se zoti Berisha ka folur në të gjitha hapësirat jo vetëm në Shqipëri por edhe në forume ndërkombëtare për sa i përket narko-ekonomisë, narko-qeverisë, për herë të parë ky shqetësim ngrihet zyrtarisht në një raport ndërkombëtar siç është ai i misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Evropiane.
Pse kjo? Sepse Shqipëria tashmë me bekimin dhe me ndihmën dhe mbështetjen e Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, është shndërruar në një parajsë fiskale. Është në një parajsë për pastrimin e parave... Ekzakt. Ky nuk është shqetësim i Shqipërisë tashmë, sepse paratë të cilat pastrohen në Shqipëri janë paratë e krimit të organizuar ndërkombëtar, të karteleve të drogës, të trafikut të drogës, të cilat vijnë në Shqipëri me mbështetjen e Edi Ramës, i cili u ka dhënë edhe portin karteleve të drogës, u ka dhënë autostradat karteleve të drogës, vijnë pastrohen në Shqipëri dhe këto para të pastruara kthehen përsëri mbrapsht dhe shkojnë në Itali, në Gjermani, në Francë, në Holandë, pra në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ndaj dhe shqetësimi i shkruar për herë të parë në një raport ndërkombëtar, është një këmbanë alarmi për Bashkimin Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, një vend të veçantë në këtë raport i kushtohet nivelit të lartë të korrupsionit, që bazohet në raportin e fundit të Transparency International, i cili dëshmon se korrupsioni ka rënie drastike me 11 pikë vetëm në një vit.
Dhe ky raport për herë të parë përmend rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Dhe sigurisht duke u bazuar në fakte konkrete, jo në denoncimet e opozitës, por në fakte konkrete, të bazuara në raportin e SPAK-ut dërguar në parlament, tregon që akuzat për Belinda Ballukun për abuzim me tenderat, për ndërhyrje në tendera, mund të shkojnë deri në 35 vjet burgim. Dhe vë theksin që Edi Rama, me grupin e tij parlamentar, siç në një rast të paprecedentë, mbrojti Belinda Ballukun, mbrojti korrupsionin. Në asnjë vend tjetër që aderon për t'u futur në Bashkimin Evropian një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Po ashtu, AKSHI, ku duke nisur nga i cili, siç e dimë pra, është kthyer në kopshtin privat të Edi Ramës, raporti përmend për herë të parë një raport ndërkombëtar që ish-drejtoresha e AKSHI-t dhe e gjithë struktura drejtuese e AKSHI-t, së bashku me Ergys Agasin apo me biznesmenë të tjerë dhe persona të tjerë, tashmë kanë një akuzë zyrtare nga SPAK-u për organizatë të strukturuar kriminale brenda AKSHI-t. Është ajo akuzë për të cilën ne e kemi denoncuar për vite tashmë.
Dhe kështu raporti i Partisë Popullore Evropiane, faktmbledhës pra i Partisë Popullore Evropiane, vijon me situatën për mediat tërësisht të kontrolluara nga Edi Rama apo nga mazhoranca, për mungesën e transparencës, për mungesën e financimeve, për mungesën e hapësirës së opozitës në mediat e ndryshme. Ky raport përmend gjithashtu dhe vë theksin në shqetësimin për mbylljen e TikTok-ut...
© SYRI.net