Porto Palermo nuk është Chatgpt, është KLSH

Porto Palermo nuk është Chatgpt, është KLSH

16:33, 05/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Luçiano Boçi

Sulmet lincuese të Ramës me gjysëm të vërteta ndaj gazetarit Klevin Muka, i njohur për profesionalizmin e seriozitetin e tij, i cili denoncoi planin për resort në Porto Palermo, kërkojnë të fshehin të vërtetën.

Pa pikë turpi Rama e quajti “agjitator të algoritmit” Klevinin, me të cilin e ka një betejë të humbur publike dhe po humb dhe të dytën.
E fyeu live gazetarin dhe akuzoi se planin e paraqitur e kishte bërë me ChatGPT, ndërkohë që vetë Rama njihet si mashtruesi epik 3D që publikon propagandë digjitale pa fre.

Por e vërteta e gazetarit fatkeqësisht për Ramën, nuk ka dalë nga ChatGPT. 
E vërteta ka dalë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe autor i projektit është Korparata e Investimeve Shqiptare!!!!!!!

Madje më herët se Klevini, që në nëntor 2025, këtë e ka denoncuar media shqiptarja.com (Report TV) e vetë atij, e cila e quan iniciativën e Korparatës së Investimeve Shqiptare tepër të guximshme.
Madje midis të tjerave Gazeta Shqiptare denoncon mënyrën dhe të shpalljes së Porto Palermos si park natyror:

“Në korrik të vitit 2022, qeveria mori një vendim për shpallen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të gjirit të Porto – Palermos. Në vendim përcaktohet se parku natyror ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.694 hektarësh, nga të cilat 1.490 hektarë ose 87.93 % janë sipërfaqe detare dhe vetëm 204 hektarë ose 12.07 % janë sipërfaqe tokësore.
Një gjetje alla-shqiptare, pasi me këtë vendim, qeveria do të mbrojë ujin dhe jo tokën! Nëse do të shikosh edhe hartën, zona tokësore është vetëm ajo zallishte dhe disa shkëmbinj, gjithashtu edhe kalaja që ndodhet në atë zonë, në një ishull të vogël.

Ndërkohë që çuditërisht që e gjithë pjesa tjetër tokësore, që praktikisht është Porto Palermo, është lënë jashtë mbrojtjes strikte. Çka i ka hapur edhe rrugën e ndërtimeve apo tjetërsimit të të gjithë zonës. Një skemë e përdorur edhe në vende të tjera, tepër të mbrojtura, kjo me qëllim lejimin e ndërtimeve dhe betonit.”

Por të kthehemi tek KLSH.

Në raportin zyrtar të KLSH-së thuhet qartë se Korporata e Investimeve Shqiptare ka hartuar në mars 2022 projekt-propozimin “Porto Palermo Marina Resort”. E këtu s’ka as fantazi, as montazh e as algoritëm. 
Po ka dokument shtetëror.

“Projekt propozimi ‘Porto Palermo Marina Resort’. Nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare është hartuar projekt-propozimi në muajin mars të vitit 2022, për zhvillimin e zonës së Porto Palermos me investime strategjike që përfshijnë ndërtimin e portit si dhe resorteve me 5 yje, ndërtimin e kapacitetit për vende ankorimi për jahte dhe varka, ndërtimin e një resorti model elite, shërbimet e mirëmbajtjes, rivitalizimi i tuneleve të nëndetëseve duke i kthyer në muze”, thotë KLSH.

Ky projekt-propozim parashikonte zhvillimin e zonës së Porto Palermos me investime strategjike.
Port, resorte me 5 yje, vende ankorimi për jahte e varka, resort elite dhe rivitalizimin të tuneleve të nëndetëseve që Rama e bërtiste fort në videon lincuese ndaj gazetarit.

Madje faza e parë parashikonte edhe përgatitjen e fizibilitetit dhe shprehjen e interesit nga investitorët privatë.

“Në fazën e parë nga AIC është parashikuar përgatitja e fizibilitetit për asetin si dhe përgatitja e shprehjes së interesit nga investitorët privatë. Hapat e mëtejshëm në këtë Projekt-Propozim, janë përcaktuar të jenë miratimi nga bordi i AIC së inicimit të projektit, miratimi nga Kryeministri, marrëveshja e zhvillimit midis AIC Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përgatitjen e para fizibilitetit për zhvillimin e zonës dhe asetit dhe hapja e thirrjes së interesit për investitorët”, vijon KLSH-ja.

Pra pyetja nuk është nëse Klevin Muka përdor apo jo ChatGPT sepse ai këtë nuk e ka bërë.

Pyetja është pse një zonë strategjike, natyrore, historike dhe publike si Porto Palermo është futur në një projekt-propozim shtetëror për resort, port dhe investitorë privatë.

Rama sot thotë: “Nuk do të ketë ndërtim.”
Shumë mirë.

Atëherë të nxjerrë aktin zyrtar që anulon çdo projekt-propozim, çdo studim fizibiliteti, çdo thirrje interesi dhe çdo skemë zhvillimi privat në Porto Palermo.
Të tregojë kush e nisi projektin.

Kush e financoi.

Kush i kontraktoi ekspertët.

Kush parashikoi miratimin nga Kryeministri.

Dhe kush janë investitorët privatë për të cilët parashikohej shprehja e interesit.

Këtë të bëjë Mashtruesi 3D dhe jo të linçojë, shajë e fyej gazetarin!

“Algoritmet” e  “ChatGPT” nuk mund të përdoren si perde për të fshehur gjurmët e një projekti shtetëror që mban emrin e Porto Palermo Marina Resort.

Por mashtruesi s’ka turp!
Ka vetëm frikë nga e vërteta dhe protesta!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco