Gjykata ka dhënë masat e sigurisë për 21 protestuesit e arrestuar, duke rrëzuar pjesën më të madhe të kërkesave të prokurorisë dhe duke nxjerrë në pah mangësi serioze në hetimet e policisë. Nga kërkesa fillestare e organit të akuzës për arrest me burg, gjykata vendosi të lërë në arrest shtëpie vetëm dy persona, ndërsa pesë të tjerë u liruan pa asnjë masë sigurie, përfshirë këtu edhe kampionin e Evropës, Ervis Bici. Për pjesën e mbetur të protestuesve u caktua masa "detyrim paraqitje".
Një nga avokatët mbrojtës Dorian Matliaj, e ka cilësuar procesin tërësisht të paligjshëm për shumicën e të ndaluarve. Sipas argumenteve të ngritura në seancë, policia ka paraqitur dosje pa prova të individualizuara, duke dërguar thjesht lista me emra dhe duke aplikuar ndëshkime kolektive. Ky veprim u denoncua nga avokatët si një tentativë për të instrumentalizuar institucionet e drejtësisë me qëllim frikësimin e qytetarëve që protestojnë paqësisht, duke i bërë ata "kurban" të veprimeve të individëve të tjerë.
Një moment tronditës ka shënuar seancën e sotme, kur njëri prej të arrestuarve ka pësuar një krizë të rëndë epilepsie. Në mes të sallës së gjyqit, ai është përplasur fort pas xhamit të kafazit ku qëndrojnë të akuzuarit, duke marrë lëndime të reja në kokë dhe duke u larguar me urgjencë nga forcat e ambulancës. Pavarësisht gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, ndaj tij u caktua masa e detyrimit të paraqitjes.
Ndërkohë, prokuroria duket se deri më tani ka vepruar vetëm bazuar në letrat e sjella nga policia, pa analizuar fare pamjet filmike të protestës. Pritet që me shqyrtimin e videove në ditët në vijim, procesi të marrë një rrjedhë të re dhe për shumë nga të ndaluarit akuzat të pushohen përfundimisht.
Avokati Dorian Matlija: Fillimisht prokuroria kërkoi arrestin në burg dhe pastaj më pas e ndryshoi duke kërkuar arrest shtëpie për njërin prej tyre, për të tjerët kërkoi detyrime për paraqitje. Pas debatit gjyqësor, në fund fare gjykata vendosi që dy persona do të vazhdojnë me arrest shtëpie, që janë me mbiemrat të mos gaboj Bardhi dhe Gega, por personat e tjerë pastaj janë të gjithë, pesë persona të tjerë janë pa masë sigurimi fare, ndër të cilëve dhe i mbrojturi im Ervis Bici, i njohuri, kampion i Evropës që e keni njohur këto ditë nëpër media. Dhe të gjithë të tjerët pastaj detyrim për paraqitje. Detyrimi për paraqitje nuk është njësoj për të gjithë, disa prej tyre do ta kenë paraqitjen me detyrim një herë në muaj, disa të tjerë një herë në dy muaj. Pra në varësi të rolit, se secili që ka domethënë specifikat e veta personale.
Gazetari: A u konsiderua i ligjshëm arrestimi?
Avokati Dorian Matlija: Arrestimi u konsiderua i ligjshëm në parim, pati një debat shumë të madh për këtë pjesë, sepse në këndvështrimin tonë vazhdon që për shumicën e tyre arrestimi ishte tërësisht i paligjshëm, për arsyen e thjeshtë sepse prokuroria nuk kishte arritur të evidentonte, ose më saktë policia që kishte çuar materialet, nuk kishte evidentuar asnjë sjellje konkrete dhe të individualizuar të shumë personave. Në dosje kishte material për pak persona prej tyre, nga 19. Të gjithë të tjerët ishin të pasqaruara në tërësi. Dhe ajo çfarë iu kërkua gjykatës ishte që të mos lejonte të instrumentalizohej as gjykata dhe as prokuroria nga policia në rastin konkret, për t'i dhënë një mesazh protestuesve që në qoftë se secili individ është duke u sjellë korrekt në protestë, pra nuk ushtron dhunë me sende të forta, nuk ka pse që të tjerë që mund ta ushtrojnë këtë gjë të bëhen dhe këta sebep pastaj për t'u kapur të gjithë në mënyrë kolektive siç ka ndodhur. Që pastaj të vuajnë jo vetëm 48 orëshin në komisariat, por të vuajnë dhe të ekspozohen ndaj dhunës si disa prej tyre, apo dhe pastaj të detyrohen për t'u paraqitur pranë organeve të rendit. Gjykata e la këtë pjesë të padiskutueshme në sensin që 'ok, ka raporte të policisë, këto do zbardhen në ditët në vijim, do shikohet se sa të sakta janë këto raporte të policisë', që për mendimin tim shumë prej tyre janë tërësisht të pasakta. Por kam përshtypjen që gjykata e ka reflektuar të paktën për ata pesë persona, që vendosi që mos të kenë asnjë masë sigurie, e dha të qartë indirekt mesazhin që këta pesë persona nuk kanë pasur pikën e lidhjes me akuzat që ngre prokuroria.
Gazetari: Avokat, përsa i përket prokurorisë, meqënëse kërkoi arrest shtëpie për të tre protestuesit dhe në finale gjykata vendosi vetëm një arrest shtëpie, cila ishte arsyeja e prokurorit në këtë kërkesë?
Avokati Dorian Matlija: Prokurori këtu bëri një dallim, duke qenë se për tre persona sipas prokurorisë kishte dyshim më të bazuar që këta persona kishin bërë veprime konkrete. Pra po flasim për goditje me sende të forta, gurë, e gjëra të kësaj natyre. Por për të gjithë të tjerët nga këta ishte materiali i policisë ishte tepër i dobët, kishte një listë me emra që thjesht thuhej që këta kanë kundërshtuar forcat e policisë. Në fakt ne paraqitëm dhe materiale filmike, paraqitëm dhe materiale të tjera nga çfarë mund të kemi pasur mundësi këto dy ditë të fundjavës nga burime të hapura. Dhe gjithsesi gjykata nuk u bind që këta persona, pra të tre ata, janë të atillë që mund të kenë rrezikshmëri të atillë që të rrinë në arrest në burg. Sigurisht vetëm dy prej tyre do rrinë në arrest shtëpie, nga ata që u kërkua për arrest në burg, ndërsa personi tjetër kaloi në detyrim për paraqitje.
Gazetari: Avokat, një rast i veçantë, duke qenë se jemi përfshirë në një debat drejtpërdrejt publik me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari. Si ishte caktimi i masës ndaj këtij personi ditën e sotme, duke qenë se ka qenë në spital, ishte i pranishëm?
Avokati Dorian Matlija: Ishte i pranishëm, pati një krizë epilepsie në momentin kur ishte në sallë të gjyqit. Një përplasje e fortë madje e kokës së tij pas xhamit, ai xhami i famshëm ku gjithmonë këta persona rrinë si me qenë kriminelë. Dhe kjo u bë sebep sepse e përkeqësoi dhe një dëmtim, lëndim të radhës, që u shoqërua patjetër me mjetet e ambulancës. Por ky person u la për detyrim për paraqitje një herë në muaj, me idenë që do të duhet që në një moment të sqarohet pak më mirë roli i tij. Duhet të themi një gjë, që deri në këtë moment që flasim ende prokuroria nuk i ka analizuar pamjet video. Pra ka ecur vetëm me çfarë policia i ka sjellë në tavolinë. Në ditët që vijojnë do të ketë shumë zhvillime, që për disa prej tyre do të kemi dhe pushim të hetimit ma merr mendja...
© SYRI.net