Në protestën kombëtare të zhvilluar në Tiranë, Dritan Goxhaj, në emër të grupit koordinator të organizimit, mbajti një fjalim ku uroi popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e lidhur mesazhin e kësaj dite me nevojën për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.
Duke iu drejtuar protestuesve të mbledhur në shesh, por edhe shqiptarëve që e mbështesin protestën nga kudo që ndodhen, Goxhaj tha se grupi koordinator kishte vendosur që kjo ditë të nderohej me një mesazh të veçantë për aleatin strategjik të Shqipërisë.
Sipas tij, Deklarata e Pavarësisë afirmon se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, gëzojnë të drejta të patjetërsueshme dhe se qeveritë marrin legjitimitetin nga pëlqimi i qytetarëve, ndërsa qëllimi i tyre është mbrojtja e lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të njeriut.
‘Të dashur bashkëkombas, bashkëqytetarë, bashkëprotestues. Të dashur motra dhe vëllezër.
Të gjithë ju që jeni këtu në shesh me ne, dhe ata që nuk janë në shesh me ne, por që në zemër, me mendje dhe me shpirt janë me ne, kudo që ata ndodhen.
Në emër të grupit koordinator, jam autorizuar prej tyre të lexoj këtë deklaratë:
Sot, në ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju urojmë popullit amerikan 245 vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre.
SHBA-ja është aleate strategjike e Republikës së Shqipërisë, dhe një mike e çmuar e popullit shqiptar, që ka qëndruar pranë nesh në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.
Në këtë ditë, kujtojmë edhe një nga dokumentet më me ndikim në historinë politike të botës, Deklaratën e Pavarësisë.
Ajo nuk ishte vetëm shpallja e lindjes së një shteti të ri. Ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popujt anembanë botës: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se gëzojnë të drejta të patjetërsueshme, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga pëlqimi i të qeverisurve, dhe se qëllimi i tyre është mbrojtja e lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të qytetarëve.
Deklarata e pavarësisë na kujton gjithashtu se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por një besim i dhënë nga qytetarët.
Kur ky besim cënohet dhe kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen, shoqëritë demokratike kanë të drejtën dhe përgjegjësinë të kërkojnë ndryshimin me mjete paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Këto nuk janë vetëm parime amerikane, janë vlera universale mbi të cilat janë ndërtuar demokracitë më të modernet dhe aspiratat e çdo populli që kërkon liri, drejtësi dhe një qeverisje që i shërben qytetarëve.
Gëzuar 245 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Qoftë kjo ditë një kujtesë se liria nuk është dhuratë e pushtetit, por një e drejtë e njerëzve, dhe se demokracia mbetet e fortë vetëm kur qytetarët e mbrojnë atë me përgjegjësi, guxim dhe përkushtim.
Duke falënderuar gjithë shqiptarët që kanë ardhur nga mërgata, themi që sot ata do të kenë prioritet në fjalë.’, tha Dritan Goxhaj gjatë fjalës së tij.
© SYRI.net