Publikimi i "Albanian Files" ka nxjerrë në dritë një skemë të thellë e të mirëmenduar, që lidh interesat e trafikantëve me zyrtarët e korruptuar, e cila përbërën material të bollshëm për hetime nga prokuroria. Faktet tregojnë një plan afatgjatë për betonizimin e kryeqytetit dhe bregdetit, një proces që favorizon një pakicë njerëzish, ndërsa i shkakton dëme të parikuperueshme mjedisit dhe qytetarëve.
I ftuar në studion e emisionit “Task Force”, gazetari Sami Neza u shpreh se publikimi i “Albanian Files” tregon një skemë të lidhur me ndërtimet e mëdha, interesat e korruptuara dhe ndikimin e tyre në zhvillimet urbane në vend.
Ai tha se historia e kullave në Tiranë, e nisur që në vitin 2004 dhe e zgjeruar më pas, është rikthyer me intensitet pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë, duke u shtrirë më tej edhe në zonat turistike.
Neza ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kapacitetin e ekonomisë shqiptare për të përballuar projekte të tilla dhe mbi burimin e financimeve.
Sipas tij, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024, veçanërisht zëvendësimi i formulës “nuk lejohet” me “kufizohet”, kanë lehtësuar ndërtimet në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe bien ndesh me Konventën e Aarhusit.
Pjesë nga deklarata:
Sapo e kam parë. Edhe domethënia e parë e atij libri është se përbën objekt për prokurorinë. Praktikisht është një rekord i mjaftueshëm, i shëndetshëm, edhe për prokurorin më të dobët, më të ri, më me pak guxim, për të vazhduar, për të vijuar procesin. Dhe në një intervistë tjetër te televizioni juaj, unë e kam thënë para një jave gati që kjo “Albanian Files” duhet të frymëzojë patjetër një prokuror që ta marrë kryesisht dhe të merret me të. Duke studiuar “Albanian Files” do të shikojë nga njëra anë se si ndërthuret i gjithë ky libër, i gjithë ky vizion me vizionin e trafikantëve dhe si ndërthuret ky me vizionin e njerëzve të korruptuar brenda Shqipërisë. Se si përmes një skeme, e cila është një skemë e mirëmenduar, pavarësisht se është e hedhur në mënyrë multiplikative përgjatë viteve.
Kur nisi historia e kullave ose projekteve të mëdha, nisi në fakt në 2004 me projektin e nëntë kullave në Tiranë dhe ngeli një projekt i rezervuar në fakt edhe në implementim për shkak të qëndrimit të atëhershëm të qeverisë së Partisë Demokratike në vitet 2005–2013, që nuk ishte për të inkurajuar ndërtimin e kullave, ndërtesave të larta në Tiranë.
Më pas erdhi kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili promovoi në mënyrë konsistente, të qëndrueshme, të përditshme mundësinë për të ndërtuar lart. Sipas tij, për të krijuar hapësirë, qoftë për përfitimin e qytetarëve përmes ndërtimeve. Pa llogaritur se përfitimi ishte për një grup fare të vogël qytetarësh dhe humbja ishte për një grup shumë të madh qytetarësh; humbja ishte në mjedis, në ambient dhe në shumë gjëra të tjera. Megjithatë, ai e bëri këtë gjë dhe në një farë mënyre përgatiti psikologjikisht njerëzit për një prurje të tillë projektesh, të cilat do të dominonin jo vetëm Tiranën, por të gjithë bregdetin dhe të gjitha zonat turistike të Shqipërisë.
Së dyti, a ka kapacitet ekonomia shqiptare për të përballuar një projekt të tillë, një vizion të tillë për një kohë kaq të shkurtër? Se kemi parasysh që disa projekte janë implementuar, disa janë duke u ndërtuar dhe disa ishin planifikuar të ndërtoheshin shumë shpejt. Atëherë, ekonomia e bardhë e Shqipërisë nuk ka mundësi ta bëjë këtë gjë. Sigurisht. Nuk ka mundësi sepse, në çfarëdo lloj aspekti ta marrim, qoftë nga aspekti i buxhetit të shtetit, qoftë nga aspekti i GDP-së, qoftë nga të ardhurat personale, qoftë nga niveli i punësimit apo niveli i arsimit, nuk e përthith dot si ekonomi dhe nuk e përballon dot si ekonomi. Duhet të marrim kredi te bankat e mëdha ndërkombëtare në mënyrë që këto gjëra të implementohen.
Markat e huaja krijojnë punësim. Megjithatë, këto marka të huaja janë një aspekt tjetër, një aspekt dytësor.
Së treti, është e lidhur me shkeljen e disa konventave ndërkombëtare, por ndër konventat ndërkombëtare më të rëndësishme që lidhen me mjedisin është Konventa e Aarhus, e cila e ka të detyrueshme që çdo institucion, sa herë që ndërmerr veprime të tilla ose ndërton projekte në zonat mjedisore të cilat kanë ndjeshmëri të lartë mjedisore, duhet të konsultohet me qytetarët së pari, duhet të konsultohet me institucionet lokale dhe më pas duhet të ketë një tërësi kërkesash që çojnë deri te implementimi i projektit.
Ne kemi një rast kur në Divjakë, në plazhin e Divjakës, para pak vitesh, diku nga 2009–2010 ndoshta, është paraqitur një projekt shumë i madh turistik, me të gjitha të mirat e turizmit, me nivel të lartë prestigji, mbi pesë yje, por edhe me gjithë asetet e tjera të nevojshme për një resort të tillë. Miliarda shpenzime dhe ndoshta ato miliarda të mbështetura nga ai biznes që aplikoi, ka qenë ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, ai që po ndërton aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli. Dhe për shkak të diskutimeve, të zbatimit të Konventës së Aarhus, por edhe ndjeshmërisë shqiptare, ai projekt nuk ekziston. U anulua i gjithi; ishte i vizatuar, ishte gati për të filluar praktikisht.
Së katërti, nuk kemi vetëm një PR në lidhje me çështjen e ndërtimit të turizmit elitar ose turizmit pesë yje e sipër, por kemi edhe një infrastrukturë ligjore e cila e ka shoqëruar, i ka paraprirë dhe është një infrastrukturë ligjore që është tërësisht brenda kontureve të ligjeve me porosi. Për shkak se ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura ka qenë një ligj i cili u bë në 2017-ën. Nga 2017 deri në 2024 janë shtatë vite. Është shumë e vështirë që një ligj kaq specifik për zonat e mbrojtura të ketë nevojë për ndryshime dhe revizionim brenda një periudhe kaq të shkurtër. Megjithatë, ato ndryshime u bënë me propozimin e një grupi deputetësh të mazhorancës dhe u miratuan shumë shpejt gjatë vitit 2024, në më pak se dy vjet.
Çfarë ka ndodhur? Te ligji kanë ndryshuar edhe gjuha, edhe sintaksa. Për shembull, në ligjin e vjetër për zonat e mbrojtura, në thelb kishte sintaksë mohuese: “nuk lejohet”. Nuk është më mohuese, është kufizuese. Aty ku thuhej “nuk lejohet”, thuhet “kufizohet”. Janë bërë ndryshime në nenet që kufizonin përdorimin, përveç nevojave të vetë komunitetit, domethënë nevojave vetjake për ata që banonin aty, për zonat e nivelit të tretë të mbrojtjes. Është ndryshuar dhe është futur sërish turizmi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me zonat e nivelit të pestë. Edhe në një zonë të nivelit të pestë është futur nevoja për të zhvilluar turizmin elitar, por përveç kësaj është futur edhe mundësia që të bëhen ndërtime dhe infrastrukturë e nevojshme për t’i shërbyer këtij lloj turizmi. Dhe këtë pjesë e ka përjashtuar plotësisht nga detyrimi ligjor nëse duhet të kërkosh apo jo leje, qoftë te qeveria, qoftë referim te ligji apo aktet nënligjore.
© SYRI.net