Lajmi i fundit

LIVE- TASK FORCE/ ‘Albanian Files’, dosje akuze për Edi Ramën

'Denoncimet e PD në BE dhe SHBA'/ Zhulali: Regjimi i Ramës nën presion nga protestat dhe ndërkombëtarët

16:55, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertja për marrëdhëniet me jashtë, Ilda Zhulali, deklaroi se Shqipëria dhe Serbia po përjetojnë lëvizje të mëdha qytetare që, synojnë rrëzimin e “dy regjimeve të fundit” në rajon.

Në një intervistë për SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, Zhulali tha se të dy vendet kanë ngjashmëri sa i përket kapjes së shtetit, ndërsa theksoi se në Shqipëri kjo shoqërohet edhe me lidhje të pushtetit me krimin e organizuar.

Sipas saj, dosjet e hetuara nga SPAK dhe GJKKO kanë ekspozuar lidhje mes krimit të organizuar dhe pushtetit, si edhe qarkullim të konsiderueshëm parash që burojnë nga aktivitetet kriminale. Ndërsa për Serbinë, ajo vlerësoi se, përveç elementëve të krimit të organizuar, ekziston edhe ndikimi i politikave proruse të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe, sipas saj, përpjekjet për destabilizimin e rajonit.

Zhulali u shpreh se në të dy vendet shoqëritë kanë hyrë në një fazë zgjimi qytetar, por vuri në dukje se Serbia nuk ka arritur të krijojë një alternativë të konsoliduar politike opozitare. Ajo tha se protestat masive, të nxitura fillimisht nga studentët pas tragjedisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, nuk kanë prodhuar ende një lidership politik të unifikuar.

Në lidhje me Shqipërinë, ekspertja deklaroi se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ushtruar,  presion të fortë ndaj opozitës, duke përmendur masat ndaj liderëve të saj dhe proceset gjyqësore që kanë përfshirë drejtues të Partisë Demokratike. Megjithatë, Zhulali tha se Partia Demokratike ka ruajtur mbështetjen elektorale në zgjedhjet e fundit dhe ka vijuar denoncimet ndaj qeverisë, të cilat, sipas saj, kanë gjetur jehonë në qendrat vendimmarrëse europiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

Ajo u shpreh se si rezultat i këtyre denoncimeve janë miratuar rezoluta mbështetëse për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, ku kërkohet ngritja e një qeverie kujdestare dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të barabarta.

Zhulali:

Po, duke nisur nga ajo që është më e rëndësishmja, ne kemi dy lëvizje të mëdha masive qytetare për të rrëzuar dy regjimet e fundit që kanë mbetur në rajon. Janë dy regjime që ngjajnë me njëri-tjetrin në kuptimin e kapjes së shtetit, si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi.

Në Shqipëri kemi një përzierje edhe të lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, që është ekspozuar gjerësisht edhe brenda Shqipërisë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, por është bërë edhe tashmë fakt i kryer në kuptimin e ndjekjes penale që po bëhet edhe nga Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme në Shqipëri. Veçanërisht me lëvizjet e fundit, ne kemi parë dosje që kanë nisur herët nga prokuroria për t'u hetuar, por që ekspozojnë lidhjet e krimit të organizuar me pushtetin dhe qarkullimin masiv të parave që burojnë nga krimi i organizuar dhe flasim për shifra marramendëse që shkojnë gati sa buxheti i gjithë Shqipërisë, po t'i mbledhësh të gjitha së bashku, për aq sa janë ekspozuar se mund të shkojnë edhe më shumë.

Ndërkohë në Serbi kemi një tjetër përzierje. Përveç kapjes së shtetit, edhe aty kemi elementë të krimit të organizuar padyshim, por atje është edhe një element tjetër që lidhet me qëndrimet proruse të Serbisë dhe tendencat që ka herë pas here Vuçiç për të destabilizuar rajonin, duke ndikuar tek aktorë të tjerë politikë në Bosnjë Hercegovinë, në Mal të Zi, në Maqedoni, apo edhe tentativat për të shkaktuar provokime apo situata në Kosovë, siç e kemi parë gjatë viteve të fundit. Por tani, në të dyja vendet, si në Serbi dhe në Shqipëri, ka një realitet të pamohueshëm që shoqëritë janë zgjuar dhe kërkojnë ndryshim.

Në Serbi ky zgjim shoqëror ka ndodhur shumë më shpejt sesa në Shqipëri, atje ka patur një opozitë... vazhdon të ketë një opozitë shumë të dobët, të parcelizuar, në shumë parti të vogla, të cilat nuk mblidhen në një emërues të përbashkët, nuk arrijnë të koagulohen në një forcë të vërtetë opozitare, sepse regjimi i ka shpartalluar, i ka shpërndarë me sukses përgjatë gjithë këtyre viteve. Mirëpo atje, duke patur parasysh skandalet që ndodhën përpara dy vjetësh dhe më shumë, që kulmuan me prishjen e stacionit të trenit në Novi Sad, zgjuan një revoltë qytetare që paraprihej nga studentët dhe të rinjtë. Më pas kësaj vale iu bashkuan edhe shtresat e tjera qytetare, iu bashkua dhe opozita, pra këto iu bashkuan me vonesë, por iu bashkuan, dhe megjithatë kjo forcë e madhe qëndrestare nuk arriti të prodhojë një drejtim politik, një kokë politike që të marrë formën e një partie politike opozitare dhe që të mundet që të sjellë ndryshimin politik apo rotacionin politik në Serbi. Përveç kësaj, në zgjedhjet e fundit në Serbi ne kemi parë që përplasja dhe përballja e regjimit edhe me ato që janë parti opozitare në Serbi ka arritur kulmin, sepse në zgjedhjet e pjesshme të fundit përpara pak muajsh, ne kemi patur deri në përplasje fizike, me skena me armë brenda qendrave të votimit, dhe incidente të të tjera të cilat nuk kanë kaluar pa u shënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare, qoftë nga Këshilli i Europës, qoftë nga OSBE/ODIHR-i, qoftë nga Bashkimi Europian, dhe kanë mbajtur qëndrimet e veta. Mirëpo në Serbi, siç e thashë, ka një situatë më specifike sepse nuk ka një forcë të madhe opozitare, në kuptimin e një partie politike që të bëhet udhëheqësja e gjithë kësaj, ose të marrë kapitalin politik të të gjithë këtyre protestave. Ndërsa në Shqipëri kemi një panoramë krejt tjetër. Edi Rama ka qenë shumë më i ashpër me opozitën në Shqipëri sesa ç'ka qenë Vuçiç.

E ka goditur drejtpërdrejt, qoftë me tentativat duke arritur deri në përpjekjet për ta izoluar, për ta goditur edhe nga ana gjyqësore, ju e mbani mend që zoti Berisha u burgos në shtëpi për disa kohë, e njëjta gjë ndodhi edhe me krerët e tjerë të opozitës, por arriti deri në pikën që të mos lejonte Partinë Demokratike, si forca më e madhe politike në Shqipëri, opozitare, që të ekzistonte si e tillë, duke e nxjerrë të jashtëligjshme për disa kohë. Por pavarësisht kësaj, përsëri PD-ja në zgjedhjet e fundit arriti që të ruajë kuotat e të paktën 530 mijë votave, që nuk janë fare pak në këto kushte ku ne ishim, dhe të vazhdojë të jetë forca kryesore opozitare që jo vetëm i ka qëndruar regjimit të Edi Ramës, por ka vijuar me denoncime shumë të forta dhe këto denoncime kanë arritur më në fund pas kaq kohësh të depërtojnë edhe në qendrat kryesore europiane, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

. Dhe si pasojë e kësaj, e këtyre denoncimeve që ka bërë Partia Demokratike, ne kemi disa rezoluta mbështetëse për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, ku ndër të tjera jo vetëm që njihet forca e regjimit të Ramës si një regjim shtypës, por gjithashtu kërkohet vendosja e një qeverie kujdestare dhe vajtja në zgjedhje për të patur zgjedhje të lira dhe të barabarta më në fund në Shqipëri. Këtë gjë për shembull nuk e kemi për Serbinë. Ka patur tentativa herë pas here nga Bashkimi Europian përmes deklaratave për ta paralajmëruar Serbinë, ose për t'i vendosur asaj sanksione, edhe përmes bllokimit të fondeve të Bashkimit Europian, por nuk ka patur rezoluta në mbështetje të ndonjë partie politike opozitare në Serbi, apo thashë të forcës studentore, pasi nuk ka një kokë ku që mund të identifikohet atje.

Ndërsa në kontrast me këtë, në Shqipëri ka patur dhe vazhdon të ketë një mbështetje shumë të qartë, të drejtpërdrejtë ndaj Partisë Demokratike, dhe jo vetëm kaq, po ne patëm edhe dy misione të posaçme nga partitë më të mëdha të Parlamentit Europian, që është formacioni më i madh, Partitë Popullore Europiane, por edhe nga Parlamenti Europian, të cilët miratuan dhe rezolutat përkatëse dhe kërkuan, i kërkuan Edi Ramës që të reflektojë dhe të lejojë vendosjen e një qeverie kujdestare, si një zgjidhje e mirë për vendin, e shëndetshme për Shqipërinë, dhe që do t'i shërbejë vendit për të shkuar më në fund në zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe jo për të lëshuar pushtetin në tavolinë, për të bërë atë rotacionin në tavolinë, por përmes garës së vërtetë, përmes programeve që i shërbejnë njerëzve, të shkohet në një normalitet siç e dëshirojmë të gjithë.

Por sot siç e the, ne jemi në ditën e 30-të të protestave. Kjo tani ka marrë, përveç protestave që ka bërë Partia Demokratike përgjatë gjithë këtyre viteve, që kanë qenë të mëdha, të fuqishme, kanë rezistuar në kohë shumë të vështira, të gjithë ata demokratë që kanë dalë dhe i janë bashkuar kësaj qëndrese, sot kanë dalë edhe qytetarë të tjerë dhe ky është një shenjë shumë e mirë për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare, që dhe ata qytetarë që nuk mendojnë se kanë bindje partiake apo që deri dje mund të kenë qenë edhe të majtë, sot i janë bashkuar kauzave që ne kemi ngritur për kaq kohë dhe kanë dalë atje sepse të gjithë në fund të ditës vijnë, secili i prekur në një formë ose në një mënyrë tjetër nga i njëjti regjim.

Dikush që del atje proteston për padrejtësitë që i është bërë për pronën, dikush proteston për atë çfarë ka ndodhur në Nartë se kështu nisi, apo për mënyrën se si u morën zvarrë disa persona atje. Dikush tjetër del për situatën skandaloze që kanë sot spitalet shqiptare, dikush del për shkollat, për pamundësinë për fëmijët e tyre për të patur një jetë më të mirë, për problemet me ushqimin, e çdo gjë tjetër, dhe që kulmojnë në fund të fundit me atë plagën e madhe që ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve. Por të gjithë këta, të gjitha këto shqetësime sot janë bërë bashkë në atë shesh, shprehen në mënyra të ndryshme, por kanë një emërues të përbashkët dhe ky emërues është që Edi Rama duhet të largohet me çdo kusht, vendi të ketë një qeveri kujdestare, dhe mua më vjen shumë mirë që brenda protestës ka disa kërkesa që janë shumë të qarta, shumë të drejtpërdrejtë dhe janë të njëjta me ato që ka shtruar prej kaq kohësh Partia Demokratike, për të patur një qeveri kujdestare por edhe për të shfuqizuar me urgjencë ligjet që ka miratuar Edi Rama me forcën e kartonave në parlament.

Edhe pse Partia Demokratike ka kërkuar që jo vetëm ka kërkuar që ato të mos miratohen, por ka bërë çdo përpjekje dhe do të vazhdojë të bëjë e beteja të tjera ligjore që ato të shfuqizohen. Sot këto kërkesa thashë i ka edhe Bashkimi Europian. Për momentin kërkesa për qeveri kujdestare është e artikuluar qartësisht nga Partitë Popullore Europiane, që janë, është grupi më i madh i partive në Parlamentin Europian, por që kanë brenda dhe kryeministra shumë të rëndësishëm, siç është edhe Kancelari Merz për shembull, apo kemi edhe një kryeministër tjetër që është afër rajonit dhe kupton shumë mirë se çfarë po ndodh këtu dhe mund të bëhet edhe një zëdhënës shumë i mirë i këtij realiteti në BE, siç është kryeministri Plenkoviç, me të cilin pati dhe një takim jo shumë larg kryetari Berisha.

Dhe të gjithë këta sigurisht do të ushtrojnë, besoj unë, edhe presionin e tyre të mëtejshëm që këto kërkesa të shprehura qartë në rezolutat e Partive Popullore Europiane të vijnë tashmë si kushte nga Bashkimi Europian. Ne e kemi parë rezolutën e fundit që miratoi Parlamenti Europian, se si ndryshoi menjëherë gjuha, se sa e drejtpërdrejtë është bërë ajo, se çfarë kushtesh i janë bërë Shqipërisë, pamë se si ndryshoi raporti i bar për Shqipërinë menjëherë, se çfarë kushtesh të drejtpërdrejta iu vendosën Edi Ramës, i cili pretendonte se nuk kishte asnjë shqetësim nga Bashkimi Europian.

Por të gjitha këto po ndodhin hap pas hapi. E di që për qytetarët shqiptarë është frustruese që Bashkimi Europian reagon me shumë vonesë ose me zëra të ndryshëm, po e tillë është BE-ja sepse përbëhet nga shumë vende anëtare, nuk është një vend i vetëm. Prandaj duhet punë për të arritur një konsensus mes të gjitha këtyre vendeve dhe për t'i bërë të gjithë këta aktorë të flasin me një gjuhë të drejtpërdrejtë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco