'Rënia e euros po dëmton operatorët turistikë'/ Ozuni: Kërkojmë shumë nga turizmi, por ende ofrojmë pak

17:37, 28/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni ka folur për ecurinë e sezonit turistik, numrin e vizitorëve, tregjet e reja që po afrohen me Shqipërinë, kapacitetet akomoduese dhe sfidat që përballet industria e turizmit.

Në bisedën me moderatorin Arnold Kariqi, Ozuni tha se Shqipëria tashmë ka hyrë në periudhën më intensive të sezonit turistik, e cila nis nga fundi i qershorit dhe vijon deri në fund të gushtit.

Sipas tij, në terren situata duket e ngjashme me vitin e kaluar sa i përket fluksit të turistëve, ndërsa ndryshimi kryesor është shtimi i interesit nga tregje të reja. Ozuni veçoi veçanërisht rritjen e turistëve nga Rumania, duke e cilësuar si një nga tregjet më interesante të këtij sezoni.

Ai theksoi se tashmë ka linja me autobusë nga Rumania drejt Shqipërisë, ndërsa janë shtuar edhe fluturimet charter nga Bukureshti dhe Kluzhi drejt Tiranës.

Sipas tij, rritje ka edhe nga Hungaria, ndërsa vijon trendi pozitiv nga Polonia dhe Çekia. Ai foli edhe për turistët nga Franca, Britania e Madhe dhe vendet nordike, duke i cilësuar si vizitorë me interes për industrinë shqiptare, pasi kanë tendencë të konsumojnë më shumë. Sa i përket kapaciteteve akomoduese, eksperti tha se ka rritje, por jo në përmasat që shpesh deklarohen publikisht.

Ozuni nënvizoi se Shqipëria përballet me një paradoks në turizëm: kërkesa është e lartë, por oferta nuk rritet me të njëjtin ritëm. Duke folur për çmimet, eksperti tha se ato tashmë janë stabilizuar, ndonëse vijojnë të ekzistojnë raste abuzimi.

Ai theksoi se zhvlerësimi i euros po ndikon negativisht te operatorët turistikë, pasi pjesa më e madhe e shpenzimeve bëhet në lekë, ndërsa të ardhurat merren në euro.

Pjesë nga biseda në studio:

Arnold Kariqi:Sezon që ne në fakt e kemi nisur gjithmonë në sy të televizion duke ju ftuar dhe duke folur mbi ecurinë e saj, por të paktën sot jemi në 28 qershor, mund ta quajmë pikun e sezonit të paktën?

Ozuni: Mund të themi që sapo kemi hyrë në pikun e sezonit. Besoj se domethënë duke filluar nga 10-ditëshi i fundit i qershorit deri në fund të gushtit jemi në ato kulmet e sezonit turistik, sepse duam apo s'duam, Shqipëria, pavarësisht se synon turizmin gjithëvjetor, këtu e ka epiqendrën, që nga këtu lëvizin gjithçka. Këtu janë pritshmëritë më të mëdha. Dhe ndoshta dhe këtu janë dhe të ardhurat më të mëdha.

Arnold Kariqi:Ndërkohë si paraqitet nëse mund të bëjmë një krahasim sepse gjithmonë kur fillon sezoni zoti Ozuni themi e ka më tepër, ka më pak, s'është mirë, s'është si vjet. Se ka pak nga, nga, nga, të paktën jo nga resortet, flas për pjesën tjetër jashtë resorteve. Ozuni: Shiko Arnold, numrat, perceptimet janë në bazë të asaj që ti njeh. Teknikisht ne që jemi në rrugë dhe në terren gjithë kohës shohim që ndoshta jemi pak a shumë në të njëjtat shifra që kemi qenë vitin e kaluar. Nuk mund të them 12 apo 13 milionë sepse kjo metodologjia e matjes statistikore për hyrje-daljet e turistëve është një çudi më vete, por të paktën si paralelizëm me vitin e kaluar mund të themi që jemi pak a shumë në të njëjtat shifra që kemi qenë vitin e kaluar. Ndryshimi i vetëm që bën sivjet është fakti që ndoshta kemi disa tregje të reja që kanë shtuar vëmendjen ndaj Shqipërisë dhe këtu dua të theksoj, i pari është Rumania. Turistët nga Rumania sivjet kanë një dyndje shumë të madhe, ndoshta do të shohim statistikat vitin e ardhshëm kur të dalin për këtë vit, që do të kemi ndoshta një rritje me pesë apo gjashtëfish nga viti i kaluar, sepse përveç faktit që kemi autobuza charter, pra autobuza që nisen nga Rumania drejt Shqipërisë që janë pothuajse disa herë, disa autobuza në ditë, duke filluar nga java e kaluar janë edhe dy fluturime charter që nisen një nga Bukureshti, kryeqyteti, dhe një nga Kluzhi në veri të Rumanisë direkt për në Tiranë. Që është një asut shumë i mirë sepse turistët nga Rumania kanë pasur gjithmonë epiqendër vizitash Greqinë dhe normalisht Turqia që është e pashmangshme. Fakti që kanë filluar të orientohen nga ne, është një gjë e mirë që tregon që në qoftë se ne do të dimë t'i shërbejmë ashtu siç duhet dhe të pretendojmë që t'i bëjmë konkurencën që themi që duhet t'i bëjmë Greqisë, është një treg me 20 milionë banorë, kështu që ka kapacitete për të na mbajtur ne me turistë për një periudhë goxha të gjatë. Janë rritur numrat e turistëve që vijnë nga Hungaria. Janë rritur, vijon atë standardin Polonia dhe Çekia me fluturimet e tyre.

Arnold Kariqi:Francezët?

Ozuni: Francezët vijnë, janë, jo me chartera, janë, pjesa më e madhe e tyre vijnë me linjat ajrore, pra po grupe po me linjat ajrore. Individual kemi shumë sivjet.

Pra familje, grupe shoqërore që vijnë individual. Kemi individual dhe grupe përfshirë dhe chartera nga Britania e Madhe, shumë nga kompanitë low-cost që janë në Shqipëri që kanë fluturime nga Anglia, pjesën më të madhe të fluturimeve të tyre i kanë të shitura drejt agjensive turistike që i përdorin këto fluturime për grupet e tyre turistike, që është një asut shumë i mirë sepse janë tregje për shembull Franca, Austria, Gjermania, Norvegjia, pra vendet nordike, janë tregje të cilat sjellin dhe turistë që për ata konsiderohen turistë të shtresës së ulët përsa i përket konsumit, po për ne janë turistë që shpenzojnë dhe shpenzojnë mirë. Pra janë ajo kategori turistësh e cila teknikisht ne na intereson.

Arnold Kariqi:Nuk vijnë me bukë me vete.

Ozuni: Nuk janë turistët e Italisë së Jugut që shprehja "nuk vijnë me bukë me vete" më është bërë rutinë tashmë, por nuk janë as turistët nga, tipologjitë e turistit nga Bosnja, tipologjitë e turistit nga Kosova, tipologjitë e turistit nga Serbia, të cilët vijnë dhe maksimumi shohin, në rastin më të mirë shohin hotele me katër yje, të cilat kanë çmime të ulëta. Normalisht tek hotelet me tre yje e kanë synimin në çmimet e ulëta dhe shpenzojnë pak. Turistët që vijnë nga vendet e Evropës veriore dhe perëndimore, synojnë hotele katër yje plus, pra katër yje të mira dhe më sipër, dhe turistë të cilët kanë edhe interesin për të lëvizur nëpër Shqipëri, që do të thotë që nuk përqendrohen dhe shpenzojnë të gjithë kohën e tyre në një vend të caktuar, por shpërndajnë shpenzimet e tyre në pika të ndryshme të Shqipërisë, është edhe kjo ajo mangësia që ne kemi në tërësinë e industrisë turistike në Shqipëri.

Arnold Kariqi:Si jemi me akomodimet, se do dalim më pas me infrastrukturën që është detyrë shtetërore. Akomodimi, resortet, hoteleria, kushtet? Ka pasur një përmirësim nga viti në vit zoti Ozuni?

Ozuni: Kemi shtim të kapaciteteve. Kemi shtim të kapaciteteve, kemi dhe... Arnold Kariqi:Se flitet që ka, se qeveria, nëse dëgjon qeverinë, flitet që ka rritje disa fish, etj etj, por nëse nuk ka rritje të kapaciteteve ku do shkojnë këta njerëz, se vetëm nëse flenë në rrugë... Ozuni: Logjikisht... ne kemi një paradoks shumë të madh, sepse kërkojmë shumë po ofrojmë pak. Njësitë akomoduese në Shqipëri janë për momentin stabile, me një rritje që vjen normale sepse ka investime të cilat kanë nisur 2 apo 3 vite më përpara, investime resortesh apo investime familjare, pra me hotele, butikë të vogla 20, 30, 40 dhoma. Ka dhe investime për njësi akomoduese të mëdha, por nuk mund të them që rritet me disa fishe. Domethënë, kemi një rritje graduale vjetore ndoshta me 10, maksimumi 15% të numrit të shtretërve. Por dhe kjo është, edhe njëherë e theksoj, perceptimi që kemi nga tregu, jo nga informacioni statistikor zyrtar sepse aty kemi mangësi pastaj të cilat ndoshta do duan një emision më vete për t'i diskutuar. Arnold Kariqi:Akomodimi. Mund të ndalemi pak tek çmimet që ofrojmë ne, zoti Ozuni. Është një turizëm i lirë siç deri dje është trumbetuar, sepse ne e kemi diskutuar disa herë dhe bashkë këtu në studio, që kemi rivalë si Kroacia, si Greqia, për të mos shkuar në Turqi. Pra nuk është se ne jemi më të bukur se ta. Këtu vijmë edhe për çmimet. Po çmimet si janë? Ozuni: Sigurisht. Arnold, ne na pëlqen të themi që i kemi rivalë. Ata janë disa shkallë përpara nesh.

Arnold Kariqi:Ata nuk na shohin si rivalë.

Ozuni: Ata nuk na shohin akoma si rivalë. Ndoshta sivjet mund ta ndiej pak Greqia veriore, ndoshta zona e Halkidikisë, zona e bregdetit të Jonit, ku siç përmenda për shembull i ka ikur Rumania në një numër të konsideruar dhe ka ardhur nga ne, por janë lëvizje të vogla për një numër... Greqia diskuton 50-60 milionë turistë. Domethënë, jemi goxha larg kësaj dhe i kanë kapacitetet për ta mbajtur atë numër turistësh. Ne, për t'u konsideruar dhe ata të na konsiderojnë ne si rivalë e konkurentë në treg, na duhet shumë punë. Çmimet janë okej, duke marrë parasysh shumë faktorë, pra sepse nuk mund të të jap një përgjigje që 'Okej, jemi mirë, jemi lirë, jemi shtrenjtë'.

Arnold Kariqi: Për çmimet ku flet? Në Jug?

Ozuni: Prandaj, prandaj thashë, pra kur them që çmimet janë okej, duhet të kemi parasysh disa faktorë: pozicionimi gjeografik, kursi i këmbimit të euros, mungesa e krahut të punës, janë të gjitha këto që e bëjnë një çmim të pranueshëm apo jo. Në qoftë se përpara tre-katër vjetësh ne i kishim çmimet në qiell pa asnjë lloj arsye, thjesht sepse kishim qejf që të...

Arnold Kariqi:Turizmit t'i vjelim, të fitojmë më tepër.

Ozuni: Të fitojmë, të nxjerrim lekët e investimit për një vit apo për dy vite, tanimë çmimet janë stabilizuar në këtë aspekt (flasim në tërësi, se ka abuzime pastaj sa të duash), janë stabilizuar në këtë aspekt por kemi barrën tjetër mbi kurriz: euroja është 94 lekë sot.

Arnold Kariqi:Si po ndikon kjo? Si po ndikon kjo sipas jush?

Ozuni: Ekstremisht keq mbi kurriz të operatorëve ekonomikë, sepse duhet llogaritur... 80% e gjithë shpenzimeve të operatorëve ekonomikë bëhen në monedhën lek. Pra stafi, taksat, blerjet, të gjitha. Çdo gjë. Dhe ti e merr në euro, që do të thotë ti humbet në vlerë imazhi me atë tjetrin, sepse ai turisti i huaj, thotë vjet ishte 100 euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco