'Protesta e fokusuar te dorëheqja e KM'/ Boçi: Rama në panik, kërkon t’ia hedhë fajin administratës

16:57, 28/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një intervistë për SYRI TV me gazetarin Arnold Kariqi, deklaroi se kryeministri Edi Rama po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për situatën e krijuar nga protesta, duke ia atribuar fajin administratës.

Sipas Boçit, sulmet e vazhdueshme të Ramës ndaj protestës dhe protestuesve nuk kanë dhënë efektin që ai priste, ndërsa ndryshimi i fundit në retorikë është një përpjekje për të gjetur një justifikim të ri.

Deputeti demokrat tha se kryeministri ka frikë nga vazhdimësia dhe zgjerimi i protestës, ndërsa interpretimet e fundit për administratën apo deklaratat e tij publike i cilësoi si tërheqje taktike. Boçi shtoi se kryeministri po përdor mediat pranë qeverisë për të ndërtuar një narrativë që synon të godasë protestuesit dhe të zbehë fokusin e protestës.

Sipas deputetit të PD-së, protesta mbetet e përqendruar te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, të cilin ai e konsideroi përgjegjës për gjendjen politike dhe ekonomike në vend.

Ai argumentoi se qytetarët kërkojnë jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tij, kanë shkaktuar pasoja të rënda, duke përmendur ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, ligjin për investimet strategjike dhe paketën e maleve.

Në intervistë, Boçi komentoi edhe deklaratat e fundit të Ramës, duke u ndalur te shprehja “më keni lënë vetëm”, të cilën e interpretoi si tregues të izolimit politik të kryeministrit.

“Braktisja brenda radhëve të tij ka nisur, por ai përpiqet ta frenojë. Ndërkohë, lidhja e tij dhe e përfaqësuesve të qeverisë me shqetësimet e qytetarëve është shkëputur prej kohësh. Rama jeton në një realitet tjetër, larg problemeve të përditshme të qytetarëve”, vijoi Boçi.

Boçi:

Në fakt po mundohet të gjejë atë justifikimin e radhës pas sulmeve të shpeshta që ka bërë ndaj protestës, pas edhe sulmeve nominale ndaj atyre që janë pjesë e protestës, folës apo në thonjëza organizatorë të protestës. Dhe tanimë ngaqë s'i pi më ujë kjo mënyrë sjelljeje e tij, se e kupton që shkalla e zemërimit është nxitur akoma më shumë, po gjen një formë alternative, jo duke pranuar fajin vetë sepse përndryshe normal duhet të vazhdojë për të plotësuar kërkesat e protestës, por duke gjetur fajtorë brenda vetes dhe fajtorë që janë distantë nga ai, që është administrata. Pa emër, është anonime, është administrata e çfarë niveli nuk e përcakton, e lë si fjalë në mjegull, me qëllim që edhe faji të mbetet në mjegull dhe me qëllim që edhe mesazhi tek protestuesit të jetë i tillë në tym.

Dhe megjithatë, duhet të shohim një lloj, të themi, frike shumë të madhe të Ramës nga vazhdimësia e protestës, pse jo edhe nga forca e saj, e cila duhet të rritet në ditët në vazhdim, ka gjasa që edhe të rritet për shkak se normaliteti vazhdon në një farë kohe, më pas do të ketë edhe përshkallëzim dhe ka filluar të pranojë në minorancë disa gjëra fare të vogla, siç ka thënë sot për administratën apo siç ka mbuluar shprehjen e atij arkitektit të famshëm duke pretenduar që është një lloj ironie. Pra ka një tërheqje të vogël, por nuk ka rëndësi fare se është tërheqje e vogël e ndërgjegjshme, se është tërheqje, se ai pranon diçka.

Ai nuk pranon asgjë, thjesht po e përdor si taktikë dhe që kërkon të zhvendosë edhe vëmendjen ndoshta të protestës nga ai tek administrata, se ndodh një gjë, një fenomen, e thotë Rama dhe interferojnë pastaj mediat e tij, interferojnë njerëzit e tij, e spinojnë si arsye jo vetëm në mediat online por edhe në mediat sociale. Dhe goditja, targeti i goditjes sigurisht që janë protestuesit. Megjithatë, Rama është në panik edhe Rama e di shumë mirë që kjo protestë forcën e ka te vazhdimësia dhe pavarësisht se mund të merret me pjesëmarrjen herë pas here në ditë të caktuara...

 

Gjuha është thjesht për të shmangur atë përgjegjësinë e fajit, ndërsa gjuha që ka përdorur Rama e ka nxitur protestën. Nuk është ai efekti. Pavarësisht dëshirës së tij domethënë, për ta ulur ritmin dhe intensitetin e protestës, protesta është e fokusuar mirë, e ka marrë formën e saj dhe është e përqëndruar saktësisht tek dorëheqja e Ramës që identifikohet me gjithë të keqen që ka ndodhur në Shqipëri.

Dhe në fakt e tillë është sepse çdo burim i së keqes, i vendimmarrjes politike, i qeverisë por dhe i administratës, meqenëse ai bën fajtor administratën, buron nga Rama. Dhe protestuesit nuk mund ta pranojnë gjuhën e Ramës. Për më tepër kur gjuha e Ramës kalon pastaj edhe në etiketime të tilla, ajo është bazë themelore më pas që shndërrohet në një bazë që pjesëmarrja të rritet, por edhe gjuha e protestuesve të jetë në një regjistër tjetër, regjistër jo thjesht i shoqëruar me dorëheqje, me fjalë 'dorëheqje', me fjalë 'largim', me fjalë 'qeveri kujdestare' apo 'tranzitore', por dhe me setin e atyre fjalëve që meriton një person i tillë që shfrytëzon karrigen e pushtetit për të lëshuar vrerje dhe përcaktime të tilla për protestuesit, për qytetarët, të cilët me të drejtën e tyre vazhdojnë në ditën e 29 të shprehin pakënaqësinë, zemërimin, revoltën e tyre dhe tek e fundit kërkojnë diçka reale, konkrete që duhet ta kërkojnë.

Dhe sot e kërkojnë qytetarët në një sistem demokratik, dorëheqjen e kryeministrit si burim i të gjitha të këqijave që kanë ndodhur dhe bashkëshoqëruar me akte të caktuara që lidhen me shfuqizimin, apo abrogimin e disa ligjeve që kanë sjellë dëme të parikuperueshme në Shqipëri, edhe në aspektin ekonomik, por edhe në shumë aspekte të tjera siç janë ligji për zonat e mbrojtura, ligji për trashëgiminë kulturore, ligji për investimet strategjike, apo paketa e famshme e maleve.

Madje, madje Nolld ai përdori dhe një përcaktim që 'më keni lënë vetëm', krahas kësaj. Duke marrë atë pozën e një drejtuesi që është lënë vetëm edhe në fakt kjo braktisje brenda tij është e qartë, ka nisur, por ai kërkon ta bllokojë. Ndërsa kjo lidhje e përfaqësuesve të tij me qytetarët, ose edhe e vetë atij me shqetësimet e qytetarëve, ka kohë që është distante. Rama është i mbyllur në kullën e tij të fildishtë, ose të themi në Edenin e tij që e ka ndërtuar jo me pak para, me 4.5 milionë euro, dhe nga aty pastaj ai realizon të gjitha projektet e tij që nuk lidhen fare me qytetarët por lidhen me interesa, lidhen me lobime, lidhen me pushtetin, dhe i shërbejnë zgjatjes së këtij pushteti, për ta bërë atë siç ia tha dhe ai arkitekti sipas edhe projektit që vetë Rama e ka në mendjen dhe në kokën e tij. Dhe nuk është gjë e re kjo që ka thënë Rama.

Shkëputja, distanca e pushtetarëve nga qytetari sot është shumë e madhe, ka nisur vite më parë dhe kjo evidentohet jo thjesht nga atyre që janë përfaqësues të pushtetit qëndror por dhe atyre që sot janë përfaqësues të pushtetit lokal, sepse shpesh e identifikojmë gjithçka vetëm me pushtetin qëndror dhe përfaqësuesit politik të Partisë Socialiste, është shumë e saktë ajo që thatë ju, jetojnë në një realitet tjetër, në një botë tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco