Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, e ftuar në një intervistë me moderatorin Arnold Kariqi në SYRI TV, ngriti alarmin për rënien e vazhdueshme të numrit të maturantëve në Shqipëri, duke e lidhur këtë fenomen me procesin e shpopullimit dhe emigracionit të të rinjve.
Sula deklaroi se sistemi arsimor po reflekton qartë krizën demografike që po kalon vendi, duke theksuar se çdo vit ka të paktën 2 mijë maturantë më pak krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas Sulës, ulja e numrit të maturantëve sjell pasoja zinxhir në të gjithë sistemin arsimor dhe ekonomik të vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në numrin e studentëve në universitete dhe më pas në tregun e punës. Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD e cilësoi situatën si një proces “shkombëtarizimi” dhe “shpopullimi”, duke paralajmëruar se Shqipëria po përballet me një sfidë ekzistenciale për të ardhmen e saj si komb.
Në intervistë, Sula u ndal edhe te tendenca në rritje e maturantëve që zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Ajo argumentoi se universitetet e huaja ofrojnë më shumë mundësi, standarde më të larta akademike, kosto më të ulëta studimi dhe mbështetje konkrete për studentët.
Sula kritikoi gjithashtu kushtet e punës në arsimin e lartë në Shqipëri, duke deklaruar se pedagogët detyrohen të blejnë vetë pajisjet e nevojshme për punën dhe kërkimin shkencor. Duke folur për perspektivën e të rinjve në vend, ajo u shpreh se punësimi mbetet i vështirë, ndërsa pagat janë “qesharake dhe poshtëruese”, çka sipas saj i shtyn të rinjtë të kërkojnë mundësi jashtë Shqipërisë.
Më tej, ajo e cilësoi problematik edhe takimin e fundit të kryeministrit Edi Rama me studentët, duke theksuar se shumë nga kërkesat e protestës studentore të vitit 2018 mbeten ende të paplotësuara.
Sula:
Është një problem real Arnold me të cilin arsimi, por jo vetëm arsimi, të gjitha familjet shqiptare dhe gjithë ky komb shqiptar, po e përjeton çdo ditë e përjeton çdo vit. Ajo që thoni ju që ne nga viti në vit kemi të paktën 2000 maturantë më pak, është vetëm një projektim i këtij shpopullimi. Pra vetëm në sistemin arsimor, vetëm në vitin e fundit të gjimnazeve, të shkollave të mesme, ne kemi nga viti në vit të paktën 2000 maturantë më pak, gjë që unë jam e bindur që janë shumë më tepër sepse e kemi thënë dhe herë të tjera midis statistikave zyrtare dhe numrit real që janë në klasa në shkollat e Shqipërisë, ka një hendek të madh. Ndërkohë ky lloj shkombëtarizimi siç e kemi quajtur, ky lloj shpopullimi, është domethënës shumë në sistemin arsimor, sepse pasojat janë zinxhir.
Domethënë, nëse ne kemi sot 2000 maturantë më pak, ose kemi 26.600 në krahasim me vitet e mëparshme ku unë mbaj mend edhe 40.000 edhe 36.000, kam bërë para shumë vitesh testin e maturës shtetërore, kam qenë një ndër hartueset, dhe kanë qenë mbi 36.000 maturantë, dhe sot jemi në këtë shifër.
Domethënë nga viti në vit ne kemi minus të paktën 2000 maturantë më pak. Të paktën 2000 maturantë më pak. Por sigurisht që shifrat duhet ta themi dhe ta theksojmë që shifrat zyrtare me numrat ose me statistikat reale në terren përsëri kanë një hendek. Kështu që kjo diferencë është edhe shumë më e thellë se sa po them unë. Është një zinxhir, është një cikël që shkon nga sistemi arsimor parauniversitar që shkon në sistemin universitar, më pas shkon edhe në tregun e punës.
Gjithçka reflektohet. Në kuptimin social ne po përballemi, të paktën si opozitë ose një pjesë e kanë pranuar këtë situatë, ajo që është sot në pushtet, ajo pjesë që është në pushtet, ne po përballemi me shkombëtarizim dhe me një shpopullim, me një ngjarje madhore historike që na çon në kufijtë ekzistencialë të shqiptarëve si komb, në kuptimin e ose në nocionin e kombit. Në pikëpamjen arsimore, ne jemi futur në një qark, ose në një rreth ciklik që vit pas viti po ndiejmë pasojat e uljes së numrit të maturantëve sot në universitet dhe në tregun e punës. Pra, në universitetet do të ketë përsëri më pak studentë që do të ulen në vitin e parë në bankat e, në auditoret e universiteteve, siç rritet numri vit pas viti i personave ose maturantëve që aplikojnë për të studiuar jashtë vendit.
Është shifër domethënëse që lidhet me shpopullimin, lidhet me mungesën e besimit që kanë maturantët në sistemin tonë arsimor, lidhet me tregun e punës për të cilin në të njëjtën disiplinë po të studiojnë në Shqipëri dhe po të studiojnë jashtë vendit, janë shumë më mirë dhe do të gjenden shumë mirë në tregun e punës dhe do të jenë shumë herë më mirë të paguar sesa në vendin tonë. Lidhet me një sistem rankimi për të cilin në universitetet shqiptare mungon. Asnjë prej universiteteve tona nuk është i rankuar në listat e institucioneve ndërkombëtare dhe në agjencitë përkatëse që kryejnë rankimet. Kurse universitetet jashtë vendit sigurisht që të gjitha janë të rankuara, flitet për ndryshime të vendeve në listën e rankimit, por nuk flitet për mungesë të rankimeve të universiteteve europiane.
Dhe këta maturantë edhe me një sfidë në vetvete, është një barrë dhe është një... janë 18 vjeç, janë shumë të vegjël, nuk janë madhorenë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të pjekur që të marrin mbi vete një barrë të tillë dhe të spostojnë jetën e tyre për të studiuar në Gjermani, në Itali, në Europë por edhe përtej Europës. Dhe pse tjetër? Po të studiojnë në Gjermani ato e kanë vitin shkollor pa taksë... kanë zero euro taksën e vitit akademik. Dhe kjo është përsëri shumë e rëndësishme për studentët. Çfarë kanë tjetër? Marrin pajisje elektronike, pajisje kompjutera, laptop për t'i përdorur gjatë vitit shkollor...
Dhe i dorëzojnë në fund të vitit. Ndërkohë që unë si pedagoge, kam 30 vjet thuajse në arsim dhe ende nuk kam marrë një... flas për vete, flas në përgjithësi për pedagogët.
Nuk kam një pajisje time për të punuar, sepse puna e pedagogut nuk është vetëm në universitet, por shumë më tepër është jashtë universitetit për kërkim shkencor, dhe çdo pajisje elektronike, laptop, kompjuter ne i blejmë me paratë e rrogës edhe me të ardhurat tona personale, për të punuar, për kërkim shkencor, për të hedhur notat në sistem, për të pasur raportet e këmbimeve dhe të shkëmbimeve të detyrave dhe të punëve të diplomave të studentëve. Pra, studentët dhe maturantët e sotëm bëjnë një zgjidhje të zgjuar.
Por me kosto gjithsesi, me një kosto në kuptimin e zhvendosjes së jetës së tyre, që nga ana tjetër do t'i përgatisë si qytetarë të Europës. Ne nuk përgatisim sot Arnold qytetarë të Europës. Ne diplomojmë të rinj, nuk i bëjmë të gatshëm për tregun e punës. Punësimi këtu është jashtëzakonisht i vështirë, rrogat këtu janë qesharake, poshtëruese, dhe sigurisht që krijimi i jetës i një çifti të ri është thuajse i pamundur. Sepse do t'i duhen 90 vjet një çifti të ri, do të bashkëjetojnë 25 vjeç, 27 vjeç, më poshtë ose më lartë, e kanë të pamundur të krijojnë një familje dhe të kenë një apartament të tyrin dhe jeta e tyre këtu futet në një cikël pagesash dhe asgjë në fund për të, për të ndërtuar jetën me mend, me një bosht, me një tavan të mirëfilltë.
Arnold, padyshim që dëshira e studentëve është... në çdo tre studentë, 1.5 dhe 2 shprehen për t'u larguar nga Shqipëria. Por një pjesë e madhe nuk kanë edhe po themi kushtet bazë për ta filluar atë, sepse duhet një shumë monetare si fillim për të aplikuar, për të krijuar një ambient me qira, për të krijuar dokumentacionin përkatës. Një pjesë tjetër kanë një barrë familjare për të qëndruar me prindërit e tyre. Një pjesë po kështu janë përshtatur në këtë, në këtë amullinë tonë, në këtë sistem shtetëror prej amullie dhe problemesh të pafundme, dhe vijojnë të ndjekin këtë sepse ne nuk ofrojmë më shumë. Dhe ne ofrojmë të vetmen gjë që ofrojmë ne, si realitet, është përshtatja e këtij realiteti. Pra, ne u themi studentëve dhe kujtdo të rinjve, profesionistëve, 'përshtatuni në këtë realitet'. Ata që nuk përshtaten sigurisht që të largohen.
Dhe atje gjejnë punë Arnold. Domethënë fillimi është pak i vështirë, të gjithë ata që e kanë provuar e dinë, por ato gjejnë punë. Por çfarë punësh gjejnë? Nuk bëjnë ato 8 orë në ditë punë siç bëjnë studentët tanë në Tiranë ose në vende të tjera të Shqipërisë. Punojnë 20 orë në javë, kanë kohë të mjaftueshme për të punuar, për të jetuar një jetë studenti padyshim, pa lukse, por për të përballuar jetën e tyre të përditshme. Për të pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe sigurisht që universitetet e kanë në dispozicion në kuptimin jo vetëm të literaturave, por edhe të pajisjeve elektronike.
Unë kam vizituar universitete jashtë vendit, po i referohem këtu Italisë, Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera, por edhe në Ballkan, studentët marrin një laptop në zyrat përkatëse, e përdorin për temën e diplomës dhe e dorëzojnë më pas, ama kanë të drejtë ta mbajnë në shtëpi. Studentët kanë dhoma pafund për të studiuar edhe gjatë natës, sepse bibliotekat janë, bibliotekat e qytetit dhe të universiteteve janë 24 orëshe...Kanë shumë diskutim Arnold. Pra po ta nisim nga takimi i djeshëm i kryeministrit Rama, është për mendimin tim jashtëzakonisht problematik. Së pari, lidhet me kërkesat e pambajtura të protestës së studentëve të vitit 2018...
© SYRI.net