Nga Altin Joka
Sot motra ime mori pension e muajit, një pension invaliditeti a nuk e di si quhet,u lodh shkoi mes të vapës 2 km për ta marrë, e pamundur dhe kur erdhi lotova… kishte marrë 115 mijë lekë.
Motra ime pësoi një komplikacion të rëndë pas lindjes, në tru…Mbijetoi me vështirësi, por që nga ajo ditë nuk ka pasur kurrë mundësi të jetojë normalisht apo të punojë.
Në kohën e Berishës diku 17 vjet para merrte 96 mijë lekë të vjetra.
Sot, pas 17 vitesh, pensioni i saj është 115 mijë lekë në muaj… para ca muajsh iu bë 130 mijë,por shteti, bashkia mendoj që merr shumë dhe ia uli 115 mijë lekë në muaj…
115 mijë lekë.
Një shumë që nuk mjafton as për ujë dhe ilaçe,jo për një qenie njerëzore e dinjitoze…jo më për dikë që ka nevojë për mjekë, analiza, ilaçe dhe përkujdesje të vazhdueshme.
Por problemi nuk është vetëm pensioni qesharak,. Problemi është filozofia e një shteti që i sheh njerëzit në nevojë si barrë dhe jo si qytetarë,si kavie…si turp.
Çdo dy vjet e thërret të provojë se është ende e sëmurë,injorancë që nuk ndodh as në vendet e zhvilluara…Sikur sëmundja e saj të zhduket me një firmë në zyrë. Sikur të mos mjaftojë vuajtja, duhet të kalojë edhe torturën e burokracisë, sporteleve, komisioneve,doktorëve,mjekëve,bashkisë dhe dokumenteve pa fund për 115 mijë lekë në muaj dhe ndonjëherë i duhet të japë dhe bakshish.
Në vend që shteti t'ua lehtësojë jetën njerëzve më të pambrojtur, me vështirësi ua vështirëson edhe më shumë…dhe jo vetëm asaj por nënës time në radhë të parë që ka 40 vite që mundohet e lodhet.
Në vend që të shkojë ndihma te qytetari, qytetari endet pas ndihmës me përbuzje me arrogancë dhe ofezë…
Në vend që të ketë dinjitet, ka poshtërim.
Pastaj dëgjojmë propagandë për suksese, reforma dhe mirëqenie. Por matësi i vërtetë i një shteti nuk janë fjalimet dhe as fasadat. Matësi është mënyra se si trajtohen të sëmurët, invalidët, pensionistët dhe njerëzit që nuk kanë zë,por që vuajnë më tepër se kushdo.
Kur një person që nuk mund të punojë detyrohet të mbijetojë me 115 mijë lekë në muaj, ndërsa miliona e miliarda shpërdorohen pa hesap, problemi nuk është më ekonomik.
Problemi është moral,është çnjerëzor.
Sepse një shtet që nuk mbron më të dobëtit, ka dështuar në detyrën e tij më themelore.
Dhe kjo është e vërteta që asnjë propagandë nuk mund ta fshehë.
Bashkia Tiranë ,instituti i sigurimeve,komisionet ligjore të mjekëve,qeveria,kujdesi social etj. janë një turp sikur të ishte i vetmi rast.
Po si mundet t'i thuash nënës sime dhe motrës po merr shumë lekë dhe duhet ta ulim edhe pak?
Po si mundet t'jua zërë goja e rrokë mendja?
Kush e njeh motrën time e di sa e dhimbshme është sa përkujdeset për këdo,kujton këdo,uron ditëlindjen e kujtdo,jep çdo gjë që ka në dorë për këdo…
Dhe në fund ajo nuk po kërkon luks. Nuk po kërkon privilegje. Nuk po kërkojmë mëshirë,as bileta falas,as ndihmë,as shumë të tjera që i japin njerëzve në Perëndim…
Po kërkon vetëm diçka që në një shtet normal quhet DINJITET dhe RESPEKT.
Fytyra e shtetit tim është e grisur…dhe më vjen turp për këtë…

© SYRI.net