Nënkryetari i Fondacionit Tatarella, Fabrizio Tatarella, gjatë promovimit në Tiranë të librit “E djathta drejt së ardhmes – itinerari i një kthese”, vlerësoi marrëdhëniet historike të familjes Tatarella me Shqipërinë dhe me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai kujtoi se babai dhe xhaxhai i tij, Pinuccio Tatarella, kanë mbështetur bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë, ndërsa e cilësoi Berishën një mik të afërt të familjes. Tatarella u ndal edhe te figura e Pinuccio Tatarellës, të cilin e quajti arkitektin e transformimit të së djathtës italiane në një të djathtë moderne dhe qeverisëse.
Trashëgimia politike e Pinuccio Tatarellës gjen sot shprehje te kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilën e cilësoi si realizimin e vizionit të “së djathtës së së ardhmes” të parashikuar prej tij dekada më parë.
“Ky libër i ka sjellë fat Giorgia Melonit dhe sot i ka sjellë fat edhe Sali Berishës. Sepse ajo që ndodhi, vendimi i Shteteve të Bashkuara për të mos e konsideruar më Sali Berishën person të padëshiruar, tregon se ai kishte qenë viktimë e një padrejtësie’ tha ai.
Fjala e Fabrizio Tatarellas
ara së gjithash faleminderit të gjithave, faleminderit të gjithëve që jeni kaq të shumtë sot në Tiranë. Ju kërkojmë edhe një herë ndjesë për vonesën. Unë jam shumë i emocionuar sepse është hera e parë që jam në Shqipëri, ndërsa si babai im ashtu edhe xhaxhai im kanë qenë disa herë në këtë tokë, dhe Sali Berisha që më nderon sot me praninë e tij në këtë prezantim është për mua shumë i rëndësishëm, ka qenë disa herë mysafir i familjes Tatarella, është praktikisht një person i dashur për mua dhe i familjes. Unë nuk e shoh që nga funeralet e xhaxhait tim më 8 shkurt të vitit 1999, por e di shumë mirë për marrëdhëniet mes tij dhe xhaxhait tim dhe mes tij dhe babait tim që ishte deputet europian. Unë kam gjetur edhe disa rezoluta në të cilat babai im në Parlamentin Europian në vitin 2006, në Parlamentin e Brukselit, shprehte vlerësim për marrëveshjet e bashkëpunimit dhe të kohezionit mes Italisë dhe Shqipërisë dhe shpresonte që kjo gjë të mund të ndodhte edhe mes Europës dhe Shqipërisë, sepse pikërisht Berisha që ishte rizgjedhur prej pak kohësh president i Shqipërisë mund t'i jepte kësaj republike të re, kësaj republike të re, stabilitet dhe një aleancë në krahun adriatik, në krahun europian. Dhe ka pasur gjithmonë të drejtë Sali Berisha të kujtojë dashurinë dhe marrëdhënien që si Giuseppe Tatarella ashtu edhe Salvatore Tatarella kanë pasur ndaj Shqipërisë. Mua disa herë më kanë treguar për marrëdhëniet mes Alleanza Nazionale dhe Partisë Demokratike. Qartë po flasim për 30 vjet më parë, unë jam 49 vjeç prandaj janë gjëra që i kujtoj me kënaqësi të madhe. Po thosha, unë jam shumë i nderuar të jem këtu, ky libër i ka sjellë fat Giorgia Melonit dhe i ka sjellë fat sot Sali Berishës.
Sepse unë nuk kam ardhur kurrë në Shqipëri, kam ardhur sot për të sjellë këtë libër të shkruar dhe një të pabotuar kurrë nga xhaxhai im, nga Pinuccio Tatarella, dhe rastësisht e solla pikërisht sot, në ditën e duhur. Dhe ndoshta sipas meje është një shenjë që Pinuccio ka dashur t'i dërgojë mikut të tij, sepse ajo që ndodhi sot, që i dha fund nga ana e Shteteve të Bashkuara konsiderimit të Sali Berishës si mysafir i padëshiruar, do të thotë se Saliu kishte pësuar një padrejtësi, dhe fakti që unë mbërrita pikërisht këtu sot, herën time të parë në Shqipëri, dhe solla brenda thonjëzave fat, ose më mirë Pinuccio Tatarella nga lart do t'i ketë sjellë fat Sali Berishës, është dëshmia se kjo dashuri dhe kjo marrëdhënie vazhdon edhe në dimensione të tjera, edhe nga lart.

Si lind ky libër dhe pse i ka sjellë fat edhe Giorgia Melonit? Fondacioni Tatarella ruan 20.000 libra të Pinuccio-s dhe të Salvatore Tatarella-s dhe përmban arkivin historik të së djathtës italiane dhe të Lëvizjes Sociale Italiane dhe të Alleanza Nazionale, sepse në Bari Pinuccio Tatarella, siç kujtoi Sali Berisha më parë, ka lindur, ka qenë arkitekti i kthesës së së djathtës në Itali. Në Itali kishte një të djathtë postfashiste që ishte Lëvizja Sociale Italiane dhe Pinuccio Tatarella e transformoi të djathtën italiane në një të djathtë demokratike, qeverisëse. Pinuccio ishte njeriu i parë i së djathtës në Itali që nga koha e Cavour-it, pra që nga Rilindja, që kryesoi një Këshill ministrash, dhe falë asaj pune të tij, 30 vjet më vonë një vajzë e re, që unë e njoh sepse ka bërë me mua politikë në lëvizjet rinore të Alleanza Nazionale — Giorgia Meloni ishte shefi im, ishte presidentja rinore e Alleanza Nazionale, e Azione Giovani, organizatës sonë rinore — sot është madje kryeministre. Dhe ndërsa po rirenditnim këtë arkiv të pafund të Pinuccio-s, të Giuseppe "Pinuccio" Tatarella-s, gjetëm disa fletë të shkëputura që quheshin "E djathta drejt së ardhmes". Kishim një ekzemplar të vetëm. Unë e pyeta presidentin aktual të Senatit të Republikës, Ignazio La Russa, mikun më të mirë, mikun e zemrës së Pinuccio Tatarella-s, çfarë ishte ky libër, dhe presidenti i Senatit më tha: "E gjete më në fund, ai është libri që Pinuccio donte të shkruante dhe donte ta paraqiste në Fiuggi në vitin 1995." Ky libër që ne e rishkruam në makinë shkrimi, në kompjuter, e shtypëm, është saktësisht rrëfimi i artikujve që Giuseppe Tatarella ka bërë nga dhjetori i '86-ës deri në dhjetorin e vitit 1993 për të thënë se ku do të shkonte e djathta. E kishte titulluar "E djathta e së ardhmes". 30 vjet më parë Tatarella shkruante një libër që quhet "E djathta e së ardhmes"; e djathta e së ardhmes 30 vjet më vonë është Giorgia Meloni. Domethënë një grua që vjen nga ajo e njëjta përvojë politike, që është bija politike e Pinuccio Tatarella-s, që i ka çuar idetë e Tatarella-s në qeverinë e Italisë.
Pse i ka sjellë fat ky libër Giorgia Melonit? Në vitin 2022 në Itali kishte një qeveri teknike, qeverinë Draghi. Kur e gjetëm këtë libër në shkurt të 2022-ës, unë i thashë Giorgia Melonit se sipas meje, ky libër nuk kishte një parathënie. Aq sa La Russa më tha: "Bëja ta shkruajë Gianfranco Fini-t" që ishte presidenti i asaj kohe. Unë thashë jo, parathënien e këtij vëllimi ia bëjmë ta shkruajë Giorgia Melonit. Giorgia Meloni më tha: "Fabrizio, pse do që unë të shkruaj parathënien e një libri të xhaxhait tënd të shkruar 30 vjet më parë, kur ishim 15-16 vjeç unë dhe ti?" Dhe unë iu përgjigja: "Giorgia, nëse bie qeveria Draghi, me shumë gjasa ti do të jesh kryeministrja e ardhshme. Sepse Pinuccio Tatarella kishte punuar gjithë jetën që kjo të realizohej." Giorgia tha: "Mirë, e bëj, por kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë." Në qershor të 2022-ës qeveria Draghi hyn në krizë, votohet në shtator të 2022-ës, katër vjet më parë, Giorgia Meloni fiton zgjedhjet, dhe prej katër vjetësh Giorgia Meloni, sipas asaj që kishte parashikuar në mënyrë largpamëse Pinuccio Tatarella në këta artikuj, bëhet kryeministrja e parë e së djathtës në Itali, kryeministrja e parë grua në Itali.
Është e rëndësishme të studiohet kjo histori, pse? Sepse Tatarella, që ka qenë personi që u ka penguar komunistëve italianë të shkonin në qeveri në vendin tonë, dhe për këtë kishte dashuri për Shqipërinë, sepse e dinte se Shqipëria ishte katandisur në varfëri nga regjimet komuniste në këtë vend. Dhe për këtë lind miqësia me Sali Berishën, sepse falë Tatarella-s në '94-ën Berlusconi fiton zgjedhjet. Sepse Tatarella është njeriu që bashkon Alleanza Nazionale-n dhe Lega Nord-in e Gianfranco Fini-t dhe Umberto Bossi-t për të ndërtuar, siç thoshte Sali Berisha më parë, jo vetëm të djathtën moderne dhe demokratike, por madje një qendër të djathtë që për herë të parë fitonte zgjedhjet në Itali. Në vendin tonë hera e parë që qendra e djathtë ka fituar zgjedhjet në Itali ka qenë në vitin 1994, falë Silvio Berlusconi-t dhe Pinuccio Tatarella-s. Prej 30 vjetësh kjo është trashëgimia e madhe e Pinuccio Tatarella-s, domethënë një koalicion i qëndrueshëm, uniteti i moderatëve të qendrës së djathtë, mes Forza Italia dhe Fratelli d'Italia që sot është partia e re që është evolucioni i Alleanza Nazionale, e pengon të majtën të shkojë në qeverinë e këtij vendi.
Pse Tatarella punon për këtë hipotezë të një të djathte të re në vitet '90, kur Saliu ishte president i Shqipërisë? Sepse Tatarella thoshte se në Itali kishte një bipolarizëm të rremë, një bipolarizëm mes Demokracisë së Krishterë dhe Partisë Komuniste, që kishin një interes të vetëm, një qëllim të vetëm, atë të pengimit të së djathtës italiane për të shkuar në qeverinë e këtij vendi. Domethënë komunistët në Itali nuk donin që e djathta të shkonte në qeveri. Dhe përkundrazi e djathta arrin në qeveri falë Tatarella-s dhe Berlusconi-t në '94-ën, dhe falë asaj që shkruan Tatarella në këtë libër, frutat janë mbledhur nga Giorgia Meloni që në atë kohë ishte një vajzë shumë e re, që nuk e ka njohur Pinuccio Tatarella-n, por që nga Pinuccio Tatarella ka mësuar gjithçka të politikës, sepse Tatarella ishte konservator dhe Giorgia Meloni e ka çuar të djathtën italiane te konservatorët europianë. Tatarella imagjinonte një të djathtë qeverisëse dhe Giorgia Meloni e ka rikthyer të djathtën në qeverinë e Italisë. Tatarella ëndërronte unitetin e qendrës së djathtë dhe Giorgia Meloni sot nuk arsyeton më vetëm si lidere e një partie të djathte moderate, por arsyeton, siç arsyetonte Tatarella, si lidere e gjithë qendrës së djathtë italiane, duke marrë përsipër edhe nevojat, pritshmëritë e aleatëve, të partnerëve të vegjël (junior partner) si Lega dhe si Forza Italia.
Kjo është e rëndësishme sepse Giorgia Meloni nga Tatarella ka trashëguar edhe gjëra të tjera: marrëdhëniet në Mesdhe, planin Mattei, aftësinë për ta bërë Italinë qendrore. Sot falë politikës së jashtme të Giorgia Melonit Italia është rikthyer të jetë një vend qendror në tabelën e shahut ndërkombëtar, edhe në tabelën e shahut të Mesdheut. Sot nuk ka asnjë lider në Itali që mund të mendojë të kundërshtojë Giorgia Melonin. E pamë edhe sot në mëngjes në Itali, në Parlament, ku Giorgia Meloni qortoi Schlein-in, Conte-n. Ndërsa në Itali ka një të djathtë që ka një lider dhe që ka një program të përbashkët, në të majtë në Itali kemi tre lidere, tre forca jo të qendrës së majtë por të majta që madje janë të ndara për gjithçka, për taksën mbi pasurinë, për politikën e jashtme, madje sot në mëngjes për komunikimet e qeverisë. Qeveria votoi në mënyrë kompakte, siç ishte e qartë, rezolutën e propozuar nga Giorgia Meloni; e majta propozoi tre mocione të veçanta për të shkuar kundër Giorgia Melonit, domethënë as në gjënë më të thjeshtë, pra "le të bashkohemi të gjithë kundër Giorgia Melonit", nuk arritën ta bënin, sepse kanë tre ide të ndryshme se si t'i kundërvihen asaj që unë e konsideroj kryeministren më të mirë italiane që nga koha e De Gasperi-t deri më sot. De Gasperi thoshte se politika e jashtme nuk është gjë tjetër veçse politikë e brendshme, dhe Giorgia Meloni ka bërë një politikë të jashtme të madhe që në sytë e italianëve po e bën të kuptueshme se sa puna e saj ka qenë e rëndësishme për vendin tonë. Dhe vini re mirë, Giorgia Meloni ka marrëdhënie shumë të mira sepse e kupton që duhet të arsyetojë jo si lidere partie ose koalicioni, por si kryeministre, duhet të bëjë interesin kombëtar. Ka pasur marrëdhënie të mira, i ka pasur me Biden-in, pastaj me Trump-in, pastaj ka ditur t'i thotë Trump-it "qetësohu, mos e tepro". Ka treguar se ka një ekuilibër të madh politik, një inteligjencë të madhe politike, që janë cilësi të rëndësishme.
Pra pa këtë punë, pa kthesën e Fiuggi-t, pa lindjen e Alleanza Nazionale nuk do të kishte pasur një të djathtë demokratike në Itali. Pinuccio Tatarella përcaktohet nga Saliu, në gjithë Italinë, si babai i së djathtës demokratike, moderne, europiane, qeverisëse italiane — babai. Por pastaj është edhe ideatori i qendrës së djathtë, sepse ishte personi që shkoi te Silvio Berlusconi dhe i tha: "Ne duhet të jemi bashkë, sepse vetëm kështu mund t'i çojmë komunistët në shtëpi." Dhe ëndrra tjetër e Pinuccio Tatarella-s, që Giorgia Meloni po e realizon — dhe po i afrohem fundit — është ajo e ndërtimit edhe në Europë të një qendre të djathtë sipas asaj që është modeli italian. Sot në Europë e majta ka pasur gjithmonë shumica, Partia Popullore shumë herë ka votuar bashkë me Partinë Socialiste Europiane. Për herë të parë ka një Parlament europian që, nëse për disa dosje — gjinia (gender), green deal, imigracioni — ka një shumicë të qendrës së djathtë, duhet që në vitet e ardhshme ta bëjmë strukturore. Dhe vetëm Giorgia Meloni mund, me 24 deputetët e saj europianë, me Nicola Procaccini-n, me Carlo Fidanza-n që drejtojnë delegacionin prej 24 parlamentarësh europianë të Fratelli d'Italia, kurrë të pasur kaq shumë. Kur babai im ishte deputet europian, maksimumi që bënte Alleanza Nazionale ishin 12 deputetë europianë, njëri ishte babai. Tani janë madje 24, por në atë kohë nuk kishte një kryeministër të së djathtës. Në kohën e Berlusconi-t kishte qendrën e djathtë. Sot madje ka një të djathtë-qendër, sepse Giorgia Meloni vjen nga e djathta. Shikoni si është balancuar, përmbysur situata.
Krahasuar me '94-ën, Giorgia Meloni ka qartësisht një autostradë për dy arsye. Në vitin 1994 ishte i fortë ndaj së djathtës italiane paragjykimi i fashizmit. Domethënë të gjithë thoshin se e djathta italiane ishte fashiste. Pinuccio Tatarella punoi për kthesën e Fiuggi-t pikërisht për të shmangur që të mund të thuhej akoma kjo gjë. Dhe pastaj në '94-ën ishte një burrë i madh si Berlusconi, që e pengonte Alleanza Nazionale-n të shkonte përtej 15-17%. Ne kishim Forza Italia-n që kishte 30% dhe Alleanza Nazionale-n që kishte 15%. Sot kemi Forza Italia-n që ka 8% dhe Fratelli d'Italia-n që ka 30%. Pas 4 vjet qeverisjeje madje rrit konsensin.
Çfarë dua të them dhe po e mbyll? Pinuccio Tatarella, kur shkoi në Bruksel në vitin 1994 për të marrë pjesë në një Këshill Ministrash europian, gjeti një belg, zëvendëskryeministrin belg Elio Di Rupo, që haptazi refuzoi t'i shtrëngonte dorën Pinuccio-s, Giuseppe Tatarella-s, sepse tha: "Giuseppe Tatarella është fashist, është shprehje e një qeverie fashiste, unë nuk i shtrëngoj dorën Giuseppe Tatarella-s." Pinuccio Tatarella u ndje keq në atë moment, sepse kuptoi se shumë ujë duhej të kalonte nën ura. 30 vjet më vonë, falë fyerjes që pësoi Tatarella dhe punës për kthesën e së djathtës demokratike të dëshiruar nga Tatarella, cili burrë në botë mund të refuzojë t'i shtrëngojë dorën Giorgia Melonit? Bëjnë gara për t'i shtrënguar dorën Giorgia Melonit, në gjithë botën. Madje edhe shefi juaj, Rama, që përkulet, mirë, mirë... Por mbi të gjitha, cili person mund të thotë sot se Giorgia Meloni, pas 4 vitesh që qeveris Italinë, është fashiste, është antidemokratike? Prandaj është gjithmonë e majta që përpiqet të thotë se e djathta është fashiste, sepse është e majta që vendos çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është e mirë, çfarë është e keqe dhe çfarë nuk është e keqe. Kjo ka qenë gjithmonë e majta që ka krijuar një oligarki, një qendër pushteti klientelist, pushteti për t'i penguar së djathtës italiane të shkojë në qeveri. Dhe përkundrazi ne në qeveri, falë ideve të Tatarella-s dhe konkretizimit të Giorgia Melonit, arritëm.
Unë, Sali, përfundoj gjithmonë me një frazë të Luciano Violante-s, që do ta kujtosh se ka qenë në vitin 1996 Presidenti i Dhomës së Deputetëve. E megjithatë, duke qenë person që vinte nga Partia Komuniste, ishte shumë mik i Pinuccio Tatarella-s. Unë e kam parë të qajë më shumë se një herë në një konferencë që kam bërë me të në Puglia ose në Romë, duke folur për Pinuccio Tatarella-n. Dhe ai tha një frazë që mua më mbetet gjithmonë në zemër dhe më bën të më ngrihen mornicat. Thoshte, duke iu drejtuar të rinjve — dhe unë shoh që ka shumë të rinj shqiptarë këtë mbrëmje — thoshte: "Të gjithë të rinjtë italianë që duan t'i afrohen politikës, që duan ta kuptojnë politikën, të kuptojnë arsyet e politikës, duhet të studiojnë figurën e pavdekshme, siç thoshte Saliu, të Giuseppe Tatarella-s. Sepse Giuseppe Tatarella na ka mësuar ndryshimin mes të vdesurit dhe të mbaruarit." Në kuptimin që pas 30 vjetësh për Giuseppe Tatarella-n flitet akoma shumë, e megjithatë janë 30 vjet që ka vdekur. Dhe fakti që pas 30 vjetësh politika italiane i referohet akoma Pinuccio Tatarella-s, flitet akoma pas 30 vjetësh nga vdekja e Pinuccio Tatarella-s, do të thotë që Pinuccio Tatarella fatkeqësisht fizikisht nuk është më mes nesh, ka vdekur, nuk është më, por që Pinuccio Tatarella nuk ka mbaruar kurrë, sepse vazhdon të jetojë akoma bashkë me ne. Faleminderit.
© SYRI.net