Izolimi i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ishte thjesht një goditje ndaj një individi, por një strategji e mirëfilltë për të asgjësuar opozitarizmin në Shqipëri.
Kështu shprehet në ‘Task Force’, në Syri Tv, Ilda Zhulali, eksperte e çështjeve ndërkombëtare, e cila thekson se i gjithë procesi ndaj Berishës shërbeu si një "armë" e dhuruar kryeministrit Edi Rama për të goditur kundërshtarët e tij politikë.
Sipas saj, për pesë vite me radhë, Partia Demokratike ka mbijetuar nën një presion dhe trysni të paprecedentë, e përballur me goditje ligjore dhe mediatike që kulmuan me heqjen e logos dhe vulës, duke e lënë partinë më të madhe opozitare në kushte ilegaliteti.
Zhulali tha ndër të tjera se e gjitha kjo ishte një goditje e mirëmenduar, e ndihmuar nga një lobim i fuqishëm ndërkombëtar, ku spikasin emra si ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal dhe ish-ambasadorja Yuri Kim.
Këta të fundit, duke përdorur emrin e Shteteve të Bashkuara, sipas Zhulalit, i kanë bërë një nder personal Edi Ramës, por i kanë shkaktuar një dëm të madh pluralizmit dhe qytetarëve shqiptarë.
Heqja e këtyre sanksioneve nuk shihet si një rastësi, thekson ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, por si një instrument i ri politik që përkon me protestat masive të qytetarëve shqiptarë.
Ky hap gjithashtu, theksoi Zhulali, përkthehet si një mesazh i drejtpërdrejtë për Edi Ramën se koha e qeverisjes së tij ka marrë fund.
Duke ditur se çfarë përfaqësonte Sali Berisha për historinë e Shqipërisë, se çfarë përfaqësonte për Partinë Demokratike, duke njohur autoritetin e tij të natyrshëm në Partinë Demokratike dhe peshën politike që ai përfaqësonte. Goditja e Sali Berishës nënkuptonte drejtpërdrejt goditjen e Partisë Demokratike. Dhe në një vend kur ti godet opozitën, ti i ke dhënë mirëseardhjen ose një kartë blanko regjimit të Edi Ramës, i cili e ka përdorur këtë argument si një çekiç për të goditur mbi kokën e opozitës. E ka përdorur mediatikisht, e ka përdorur ligjërisht, sepse arriti deri në izolimin e Partisë Demokratike duke e çuar jashtë, në ilegalitet.
Pa sigël, pa logo e çdo gjë pra, e nxori në kushtet e ilegalitetit, se kështu ka vepruar. Dhe të rikthehemi pak në kohë, se kjo ka ndodhur për pesë vite, se pesë vite nuk janë pak në jetën e njerëzve. Për pesë vite, Partia Demokratike dhe demokratët kanë jetuar nën këtë lloj presioni. Frikësim, presion, trysni me mjete ligjore, politike, parapolitike dhe e gjitha kjo ishte rezultat i një procesi që, siç na dëshmoi të gjithëve, ishte rezultat i një lobimi ndërkombëtar, me Charles McGonigal, me Yuri Kim, të cilët duke veshur flamurin amerikan në fakt i bënë një nder personal Edi Ramës, por dëmin ia bënë të gjithë shqiptarëve. Pra nuk ishte një dëm vetëm ndaj Sali Berishës apo vetëm ndaj Partisë Demokratike.
Forcimi i pozitave të Edi Ramës dhe e gjithë mbështetja që iu dha Edi Ramës për të ndjekur një aksion të caktuar politik... Fakti që ky vendim për Sali Berishën vjen në të njëjtën kohë kur të gjithë qytetarët kanë dalë në rrugë, këto shkojnë bashkë. Dhe prandaj po them që ky është një instrument politik. Dhe ky instrument politik që vjen sot, në këtë kohë, njëkohësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, është për t'i dhënë mbështetje dhe një frymë të re rrugës përpara që ka opozita shqiptare. Një mbështetje Partisë Demokratike, që ajo të shikohet si alternativa e së nesërmes.
Se sot ka diskutime që vendi s'ka alternativë, jo, ky është një rikonfirmim. Edhe pse kërkesat e protestës kanë presupozuar në vetvete relativizimin e problematikës që shkakton si një kryeministër ashtu edhe një lider opozite, ku kjo problematikë e liderit të opozitës buronte në një pjesë të madhe edhe nga sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por është njëkohësisht një mesazh shumë i qartë për qeverinë dhe Edi Ramën, që koha e tij ka mbaruar. Kështu që mendoj që dita e sotme, pas asaj proteste madhështore mbrëmë dhe këtij vendimi sot, që është një rikonfirmim edhe një herë për Sali Berishën si kryetar i Partisë Demokratike me legjitimitetin e plotë të peshës dhe rolit që ai ka brenda Partisë Demokratike, por dhe vetë për PD-në si forcë opozitare, është lajmi më i shkëlqyer sot për Shqipërinë dhe për atë që e pret përpara shqiptarët nesër.
© SYRI.net