Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, deklaroi se me heqjen e sanksioneve, e non gratas ndaj kryetarit të PD-së Sali Berisha, u rrëzua narrativën që, sipas tij, u përdor për të goditur liderin e opozitës.
Tomorri tha se tashmë është bërë e qartë se demokracia në Shqipëri nuk u minua nga Berisha, por nga një proces i dizenjuar politikisht, ndërsa theksoi se ka rënë edhe pretendimi për ‘korrupsion domethënës’.
Sipas tij, ajo që po ndodh sot përbën, korrigjimin e një gabimi me pasoja të rënda politike për Shqipërinë dhe demokracinë në vend.
Gazetari lëshoi akuza të forta ndaj ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si dhe ndaj ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, të cilët i konsideroi si figura kyçe në zhvillimet që çuan në izolimin ndërkombëtar të opozitës shqiptare.
Tomorri u ndal veçanërisht te roli i Yuri Kim, duke e lidhur atë me kontratën e diskutueshme të ashtuquajtur të ‘Tigrave’, për të cilën tha se i ka kushtuar Shqipërisë dhjetëra milionë dollarë.
‘Faktikisht, e vërteta rezultoi që demokracia u minua nga dizenjimi dhe nuk ishte Sali Berisha që e kishte minuar. Pra, ka rënë dhe teza e korrupsionit domethënës, sepse nëse ti sanksionon dikë për korrupsion domethënës, nuk e heq më nëse ai korrupsion ka qenë vërtet aty.
Pra, është korrigjimi i një gabimi, siç e thamë, me pasoja dramatike, por që tani ne e kemi pazëllin më të plotë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dhe ne shohim që njerëzit kryesorë, të cilët ishin nxitësit apo shtytësit, apo ndoshta ata që kanë gatuar gjithë këtë, sot janë Blinken-i, i cili sigurisht që është shpallur për vete non grata në zyrat e shtetit amerikan.
Edhe ish-ambasadorja Kim, e cila i la Shqipërisë, ishte një nga lobueset kryesore të marrëveshjes së tigrave të famshëm, i la Shqipërisë një faturë 74 milionë dollarë mbi kokë, në këmbim të asgjëje. Përkundrazi, për të mos marrë asnjë shërbim, pra një incenerator i dytë është kjo. Dhe sot shkon, punon te kompanitë që ishin të lidhura me këto.
Pra, ne e kemi të qartë çfarë ka ndodhur në këtë histori. Problemi është që pasojat e gjithë kësaj çorbe korruptive, lobimesh apo quajeni si të doni, i paguajnë shqiptarët.
Tani, sigurisht që ky sot është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Se u thashë edhe më parë këtu, nuk ishte çështja e fatit personal të Sali Berishës. Ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse më në fund forca kryesore opozitare nuk është më e izoluar ndërkombëtarisht.
Pra, ne ishim përballë një paradoksi të tmerrshëm, ku zakonisht sanksionohen apo goditen ata që janë në pushtet dhe që mbajnë vendet e tyre në regjime autokratike, shkelin të drejtat e njeriut, nuk lejojnë demokracinë e kështu me radhë. Në këtë rast ishte goditur opozita dhe Berisha, në atë kohë, as nuk ishte kryetar partie’, tha Klodian Tomorri në SYRI TV.
© SYRI.net