Ish-deputetja dhe ish-ministrja Ermelinda Meksi ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Petro Koçi, i cili një ditë më parë e kishte cilësuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku si “themeluese të korrupsionit”.
Në një qëndrim publik, Meksi thekson se në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, shkrimi i Koçit ngre disa çështje që meritojnë reflektim, duke e parë debatin jo thjesht si përplasje mes individësh, por si një shqetësim për mënyrën se si ka evoluar Partia Socialiste në raport me frymën e saj të viteve të para.
Sipas saj, diskutimet mbi përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm dhe largimin e figurave me kontribute nuk duhet të mohohen, por të shërbejnë si bazë për reflektim dhe vetëkorrigjim brenda partisë.
Meksi theksoi se një parti që qëndron gjatë në pushtet përballet natyrshëm me sfidën e ruajtjes së dinamizmit dhe pluralizmit të mendimit, duke uruar që PS të ruajë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten.
Postimi i Meksit:
Në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, shkrimi i Petro Koçit ngre disa çështje që meritojnë reflektim.
Më shumë se debat mes individësh, e lexoj atë si një shqetësim për mënyrën se si ka evoluar Partia Socialiste në raport me frymën e viteve të para të saj.
PS e fillimviteve ’90 u përpoq të fitonte besimin e shoqërisë përmes debatit të ideve, përfshirjes së intelektualëve, demokracisë së brendshme dhe hapjes ndaj mendimit ndryshe. Shumë prej nesh u angazhuam në PS pikërisht për këto vlera.
Për këtë arsye ky shkrim më preku, aq më shumë që me qarkun e Fierit më lidh një nga betejat më të rëndësishme elektorale të jetës sime politike. Në vitin 2009, pas pesë mandatesh si deputete e Tiranës, Partia Socialiste më besoi, së bashku me mallakastriotin Piro Lutaj, një nga sfidat më të vështira elektorale në qarkun e Fierit. Kandidova plot dëshire në Mallakastër, vendlindjen e tim eti, një zonë ku gjithë pushtetii lokal qe i dominuar nga Partia Demokratike. Falë punës së socialistëve dhe mbështetjes së mallakastriotëve kudo që jetonin, arritëm fitoren qe ndryshooi ekuilibrat politikë të zonës.
Kur dëgjoj sot diskutime mbi përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm apo largimin e figurave me kontribute, mendoj se përgjigjja nuk duhet të jetë mohimi i problemit, por reflektimi mbi të.
Një parti që qëndron gjatë në pushtet përballet natyrshëm me sfidën e ruajtjes së dinamizmit, pluralizmit te mendimit dhe aftësisë për vetëkorrigjim.
Kjo është çështja më e rëndësishme që ngre ky shkrim, veçanërisht në një moment kur besimi publik dhe aftësia për të dëgjuar zërat kritikë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të ardhmen e PS.
Në këtë përvjetor, u shpreh mirënjohjen të gjithë socialistët që ndërtuan dhe mbështetën Partinë Socialiste në vitet më të vështira te opozites si dhe në ato të qeverisjes.
Gëzuar 35-vjetorin, me urimin që PS të ruajë gjithmonë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten.
© SYRI.net