Një nga folësit në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, ish-luftëtari i UÇK-së Meçan Zotaj, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke u shprehur se, ndaj tij dhe protestuesve po ushtrohet presion për shkak të qëndrimeve publike kundër ekzekutivit.
Ai akuzoi Edi Ramën se bën pazare me trojet e atdheut.
Zotaj deklaroi se pas fjalës së mbajtur një ditë më parë në protestë, në banesën e tij në Roskovec kanë shkuar forca të policisë, duke e cilësuar këtë si një akt presioni politik.
Ai u shpreh se, më herët vëllai i tij është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij politike, duke e lidhur këtë me përplasjet e tij të vazhdueshme me autoritetet.
‘Qeveria kriminale e Edi Ramës me skllevërit e tij modernë patronazhistë dhe institucionalë, kanë filluar presionin e të gjithë pjesëtarëve që deklarohen kundër kësaj qeverie kriminale dhe këtij sistemi të kalbur 35 vjeçar.
Është kjo qeveri që para ca vitesh, ka arrestuar vëllain tim për shkak të kundërshtimit tim ndaj kësaj qeverie.
Sot kanë shkuar në mëngjes në shtëpinë time në Roskovec, vetëm sepse dje unë e krahasova me Çausheskun. Ai është një Çaushesk dhe nëse vazhdon të kërcënojë popullin do të marrë përgjigjen.
Ai bën pazare me trojet e atdheut sikur ta kishte çifligun e Kristaqit. Kërcënimet që qeveria bën përmes patronazhistëve dhe skllevërve, na bëjnë më të fortë e më të qëndrueshëm.
Jemi të gatshëm të sakrifikohemi deri në fund për t’i dhënë fund fashizmit të kësaj qeverie që urtësinë e këtij populli punëtor e morën për dobësi’ - tha Zotaj ne proteste.
© SYRI.net