Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe Edi Ramës gjatë takimit me 71 të rinjtë e zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kuadër të nismës ‘RI(ni)PËRTËRITJE’.
Në prani të europarlamentarit Antonio Lopez-Isturiz, Berisha e cilësoi PS-në si një parti të ndërtuar mbi krimin, duke akuzuar Ramën se përdor kartelet e drogës dhe bandat kriminale për të realizuar qëllime që, sipas tij, nuk mund t’i arrijë përmes ligjit.
Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat vlerësoi rolin e brezit të ri në reformimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike, ndërsa paralajmëroi se opozita përballet me një kundërshtar që, sipas tij, e ka ngritur pushtetin mbi lidhjet me krimin.
Berisha solli një sërë shembujsh që, sipas tij, dëshmojnë lidhjet e mazhorancës me figura të botës së krimit, duke theksuar se beteja për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri mbetet sfida kryesore e opozitës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Nuk kam këshilla për t’ju dhënë, përveç një gjëje që e them nga përvoja e një njeriu të ri në politikë.
Ne kaluam kohë të veçanta gjatë luftës kundër diktaturës komuniste. Dhe një i ri vinte çdo ditë në zyrën time dhe më pyeste: ‘Çfarë duhet të bëjmë sot? Çfarë duhet t’u bëjmë atyre sot?’, Azem Hajdari.
Dhe kur i thosha se do të bënim këtë dhe këtë, ai më përqafonte dhe largohej. Sot, secili prej nesh duhet të shtrojë të njëjtën pyetje: çfarë duhet të bëjmë për të arritur objektivat tona? Për të rinovuar partinë, për të rinovuar vizionin, për ta modernizuar dhe për ta organizuar më mirë atë?
Kjo është mënyra më e mirë për të arritur qëllimet tona.
Ne kemi një armik shumë të veçantë. Ky armik, siç e shihni, është një parti e themeluar dhe e ndërtuar mbi krimin.
Unë isha me Antonion në një konferencë të ‘Martens Centre’ dhe ua shpjegova se çfarë po ndodh.
Por nuk tregova disa aspekte të tjera. Nuk u thashë se dy javë më parë Partia Socialiste e Shqipërisë i akordoi një medalje mirënjohjeje një ish-deputeti që doli se ishte informator i një vrasësi serial, Altin Hajrit. Jurgis Çyrbja përdori mandatin e tij si deputet për të pasur lidhje të forta me policinë dhe për ta informuar atë për çdo lëvizje të policisë në zonë.
Një vajzë e re ishte kandidate e partisë sonë dhe një ditë ky vrasës serial ndaloi qëllimisht makinën para saj dhe e terrorizoi duke i thënë: ‘Unë jam këtu.’
Dhe ky deputet mori medaljen e mirënjohjes nga Edi Rama.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me babain e Ergys Agasit, një nga figurat më të rrezikshme të mafies në Evropë, sepse ishte personi më i afërt zyrtarisht me Kryeministrin dhe kontrollonte të dhënat digjitale të shqiptarëve dhe të huajve në Shqipëri, etj.
Babai i tij u përzgjodh mes 100,000 socialistëve për t’u nderuar si ‘Nder i Partisë Socialiste’. Pse?
E theksoj këtë për një arsye. Në rininë time kam qenë kardiolog dhe kam mësuar diçka shumë të rëndësishme që më ka shërbyer gjithë jetën. Kam trajtuar njerëz të zakonshëm, por edhe anëtarë të Byrosë Politike. Nuk u mora kurrë me Enver Hoxhën, sepse ai nuk kërkoi trajtim nga unë, por të tjerët po.
Ajo që pashë dhe mësova ishte kjo: njerëzit më të vlerësuar ishin ata që kishin thyer kockat e kundërshtarëve të tyre në qeli. Kur ky ‘kasap’ vinte në takim, zërat uleshin, koha ndalej dhe ata konsideroheshin më shumë se kolegët e tyre, ministra apo anëtarë të Byrosë Politike.
Ata ishin ‘heronjtë’ e atij sistemi. Dhe ata e dinin se këta kriminelë po shkelnin ligjin, sepse edhe pse ligjet ishin të këqija, nuk lejonin torturë apo vrasje jashtëgjyqësore. Megjithatë, ato ndodhnin. Dhe nomenklatura e dinte këtë, por i konsideronte si njerëzit më të vlerësuar.
Pse? Sepse krimi ishte i nevojshëm për pushtetin e tyre. Kështu ndodh edhe sot. Prandaj ata janë kaq të ‘çmuar’ për sistemin.
Ata e dinë se po kryejnë krime, por i kryejnë për karrigen dhe pushtetin e tyre. Dekada më vonë, unë shoh Edi Ramën dhe pyes: pse përdor ai kriminelë? Pse përdor kartelet e drogës? Për të njëjtën arsye: për të arritur me ta atë që nuk mund ta arrijë me ligj.
Është e njëjta logjikë si e të kaluarës. Babai i tij firmosi dënimin me varje të Havzi Nelës. Ai dukej si një zotëri: i gjatë, i rregullt, i veshur mirë. Por kur erdhi puna te poeti që shkruante vargje për frymën e Helsinkit që duhej të frynte në Shqipëri, Kristaq Rama, babai i Edi Ramës, firmosi ekzekutimin e tij.
Pse? Sepse kjo kërcënonte pushtetin. Krimi për ta ishte mjet, ishte funksional.
Krimi për Edi Ramën është i njëjtë. Prandaj ai shpërblen një vrasës serial për t’u treguar shqiptarëve se për ta kriminelët janë ‘fisnikëri’.
Nuk do të zgjatem më shumë, por këto shembuj i solla për të kuptuar sa të rrezikshëm janë këta kundërshtarë, sepse ata janë armiq të lirisë së shqiptarëve. Dhe ne duhet të luftojmë. Dhe do të luftojmë, do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Por ju keni një rol shumë të rëndësishëm për t’u bërë flamuri i suksesit dhe fitores së Partisë Demokratike. Jam plotësisht i bindur se ju do ta bëni këtë.
Faleminderit edhe një herë.
Miku im i dashur, faleminderit për këtë nder të madh që na bëtë.
© SYRI.net