Lajmi i fundit

LIVE/ Ndërtimi i resortit turistik në Velipojë, banorët e Rjollit dalin sërish në protestë

18 maj, protesta masive në Shkup/ Rustemi: Qeveria diskriminon shqiptarët, provimi të mbahet në shqip

14:55, 15/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protesta e studentëve shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut do të mbahet më 18 maj, në orën 18:30, në rrugën “Çarshia”, ku pritet pjesëmarrje masive nga studentë shqiptarë nga Likova deri në Strugë.

I ftuar në studion e lajmeve në Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, një prej organizatorëve, Ylli Rustemi u shpreh se studentët janë detyruar t’u rikthehen protestave pas refuzimit të Ministrisë së Drejtësisë për lejimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ai akuzoi ministrin e Drejtësisë, që vjen nga partia maqedonase ZNAM, se nuk respekton Kushtetutën dhe të drejtat e shqiptarëve, duke detyruar studentët që gjithë procesin arsimor ta zhvillojnë në shqip, ndërsa provimin final ta japin vetëm në maqedonisht. Rustemi deklaroi se përgjigjja e fundit e ministrisë ishte edhe më negative dhe më e ashpër se e para, çka ka shtyrë studentët drejt organizimit të një proteste më të madhe.

Ai theksoi se kjo çështje nuk është e re, por një problem i trashëguar prej vitesh, ndërsa paralajmëroi se studentët nuk do të tërhiqen derisa të sigurojnë të drejtën për ta zhvilluar provimin profesional në gjuhën shqipe.

Pjesë nga deklarata:

Ky problem është një nismë, një iniciativë e cila t’u hapë dyert studentëve të Juridikut, ua hap dyert për t’u profesionalizuar në të ardhmen. Më dëgjoni se kam ndërprerje teknike, ju lutem.

Qëndrimi i ministrit, duke pasur parasysh se ministri vjen nga një parti maqedonase, e cila është ZNAM, apo partia ZNAM, na ka dhënë një përgjigje negative, të cilën ai vetë, si ministër i Drejtësisë, nuk e respekton të drejtën, nuk e respekton Kushtetutën dhe ligjin e vendit të tij për të na gjetur zgjidhje në problemin tonë. Dhe ne, si studentë, realizuam protestën e parë dhe ndihemi shumë të kënaqur që ka kaluar shumë mirë. Nuk kemi parë asnjë forcë speciale policore, asnjë torturë ndaj studentëve dhe gjithçka ka kaluar në mënyrë të qetë. Ndërsa atë ditë, pas përfundimit të protestës, ne dërguam të njëjtën kërkesë, sepse menduam se ministri do të reflektonte, mirëpo ai përsëri përgjigjen zyrtare na e ktheu në mënyrë më të vrazhdë, më negative se ajo e para. Dhe këtu studentët janë detyruar të organizojnë edhe protestë.

Po, domethënë, këtë radhë presim që të ketë një numër më të madh studentësh, duke filluar nga Likova e deri në Strugë. Mirëpo, na kanë premtuar partia në pushtet, liderët e koalicionit VLEN që janë pjesë e qeverisë, zëvendëskryeministri i parë, zoti Bekim Sali, dhe autoritete të tjera shqiptare, se do të gjendet zgjidhje. Është formuar edhe një grup pune në kuadër të qeverisë nga profesorë adekuatë, nga pala shqiptare dhe nga pala maqedonase, të cilët po punojnë për të gjetur zgjidhje të këtij problemi. Dhe na është premtuar se shumë shpejt do të dalin me zgjidhje konkrete.

Atë desha edhe ta ndërlidh. Partitë shqiptare që janë në pushtet na përkrahin në çdo rrugëtim, si pozita ashtu edhe opozita. Ndërsa kam vërejtje për opozitën, aktualisht që është në pushtet, ku mundohen të punojnë për poena politike, për të marrë poena politike dhe keqpërdorin situatën e studentëve që të ngritin nivelin e tyre. Mirëpo unë i kritikoj nga këtu ata, sepse kanë qenë për mbi 20 vite në pushtet dhe nuk kanë gjetur zgjidhje konkrete për problemin tonë. Domethënë, është problem i trashëguar, nuk është problem që ka lindur dje. Dhe mos t’i keqpërdorin studentët si instrument të tyre për të marrë fokusin në opinion dhe për të thënë se nuk kemi faj ne, por ka faj dikush tjetër. Këtu të gjithë duhet të jemi së bashku. Faji është te ata të cilët nuk e kanë zgjidhur problemin, por faji është edhe te këta që janë sot, që duhet të gjejnë zgjidhje dhe të mos e anashkalojnë këtë çështje.

Domethënë, si fillim, ne si studentë shqiptarë në tre universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ligjëratat i mbajmë në gjuhën shqipe, provimet e rregullta i japim në gjuhën shqipe, çdo gjë e bëjmë në gjuhën shqipe. Në fund, provimi përfundimtar, i cili t’i hap dyert studentëve të Juridikut për të vazhduar në mënyrë profesionale në të ardhmen, detyrohemi ta japim vetëm në gjuhën maqedonase. Domethënë, nuk është vetëm ky problemi i gjuhës shqipe. Nga e kaluara e deri sot kemi shumë probleme, të cilat ne i trashëgojmë dhe besoj që të gjitha me zërin tonë do të zgjidhen.

Po, mund të themi se është edhe si burokratizëm, për arsye se, kur të kthehemi mbrapa, lufta e vitit 2001 është bërë për këto të drejta në Maqedoni. Kemi edhe Marrëveshjen e Ohrit. Domethënë, lufta është bërë për gjuhën shqipe, për flamurin, për të drejtat e shqiptarëve dhe për bashkimin e trojeve. Mirëpo, me Marrëveshjen e Ohrit, këtu na garantohet gjuha shqipe, arsimimi në shqip e kështu me radhë, çka përmban Marrëveshja Kornizë brenda saj. Ndërsa ministri aktual, për poena politike, nuk e di nëse e ka për poena politike apo nuk do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjin si ministër i Drejtësisë, po mundohet të na diskriminojë dhe ne ndihemi të diskriminuar në këtë çështje për mosmbajtjen e provimit në gjuhën shqipe. Këto janë tre pikat kryesore. Të gjitha mund t’i përmbledhim këtu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco