Veprimet e policisë në protestë/ Hajdarmataj: Ekstremizëm deri në banditeskë, po dhunojnë opozitën me urdhra partiakë...

11:32, 09/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhuna e përdorur nga Policia e Shtetit gjatë protestës së djeshme të opozitës, ish-drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj e cilëson  si ‘ekstremizëm deri në banditeskë’.

Në një intervistë në SYRI TV me moderatorin Eneida Ndoci, Hajdarmataj u shpreh se Policia e Shtetit e ka shndërruar misionin e saj nga monitorimi i protestave në një qëllim për të dhunuar sistematikisht opozitën. “Fatkeqësisht, Policia e Shtetit e ka kthyer në qëllim dhe motiv të dhunojë opozitën në çdo lloj proteste që organizon”, deklaroi ai, duke shtuar se ky qëndrim nuk kufizohet vetëm tek partitë e mëdha, por edhe ndaj grupeve më të vogla protestuese.

Arben Hajdarmataj: Padyshim që e drejta për të protestuar është legjitime, është e drejtë kushtetuese e çdo, çdo qytetari, është e drejtë legjitime e çdo force politike që të organizojë një protestë për atë që mendon dhe gjykon që duhet të reagojë dhe duhet të protestojë. Kjo është e padiskutueshme dhe nuk ka asnjë lloj komenti dhe asnjë lloj interpretimi do të thosha unë sipas meje. Tani vijmë tek raporti i dy palëve që do t'i quaj në kuptimin për të shpjeguar ndoshta më saktë, një krah janë protestuesit dhe në krahun tjetër janë punonjësit e policisë që kanë për detyrë, qëllimi kryesor është monitorimi i protestës. Por çfarë, çfarë ndodh sipas mendimit tim? E qëllim të monitorimit të protestës, fatkeqësisht Policia e Shtetit e ka kthyer në qëllim dhe në motiv të dhunojë opozitën në çdo lloj proteste që organizon. Çdo lloj qytetari që kohët e fundit, duke filluar edhe te një parti e vogël, nuk e di, Lapaj po mos u gabofsha, që ka bërë disa protesta para kryeministrisë, policia nuk ka parë pjesën ligjore domethënë ta monitorojë protestën, por ka parë pjesën antiligjore do të thosha unë, që ka përdorur dhunën për të shpërndarë ose për të frenuar këtë lloj proteste.

Si në të gjitha protestat e fundit që ka organizuar opozita shqiptare, kemi parë një polici, do të thosha unë, fatkeqësisht, një polici që i bindet jo urdhrave thjesht partiakë, por edhe urdhrave më ekstrem partiakë. Kur unë po diskutoj që policia ka për detyrë të monitorojë protestën dhe në raste ekstreme të mbrojë objektet, në këtë rast po themi, objektin e Kryeministrisë, thjesht si objekt sepse, ose në qoftë se ka dhe persona brenda këtij objekti, nuk është qëllimi në vetvete se si reagon Policia e Shtetit. Domethënë, kjo është një ekstremizëm do të thosha unë, ekstremizëm, nuk është e tepërt që ta them dhe realisht e them me shumë indinjatë, ekstremizëm ndoshta deri në banditeskë do të thosha unë brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Njerëz me mllefe ndaj qytetarëve të vet, me mllefe të paimagjinueshme, që në vend të monitorojnë protestat, ata dhunojnë protestuesit. Kjo është e patolerueshme, është e paimagjinueshme dhe jashtë çdo lloj procedure që ka Policia e Shtetit sot për të zbatuar. Fatkeqësisht kemi parë edhe tempi ose ku di unë, ajo orientimi që i japin drejtuesit e policisë për të ndaluar ose shpërndarë protestat, janë me këtë lloj fryme, pra me një frymë arrogante dhe deri në veprime jo në aspektin proporcional siç e trajtuat ju në fillim, por deri në veprime të dhunshme, thashë nuk është e tepërt dhe deri në veprime kriminale ndaj qytetarëve.

Është e turpshme në qoftë se shohim, dhe nuk e imagjinoj kush është ai drejtues, do të thotë, ai vetëm polic nuk mund të jetë, ai që drejton operacionin, që i drejton një gazetari atë shllungën me ujë, i cili po kryen detyrën e tij për të filmuar dhe për të bërë transparencë me publikun. I drejton pra tubacionin e ujit dhe godet një gazetar. E drejton me qëllim drejt kryetarit të opozitës, pavarësisht se kush është dhe kush do të jetë, ç’rëndësi ka emri, nuk diskutojmë këtu emra, ne diskutojmë veprimet. Ti nuk mund të godasësh, opozita është një institucion. Çfarë tregon ti pra? Kjo është një dhunë ekstreme, ekstreme e Policisë së Shtetit dhe fatkeqësisht nuk po shohim asnjë moment që Policia e Shtetit të ketë jo pendesë, por të ketë një raport të drejtë me qytetarët. Se në fund të fundit ata njerëz që dalin me protestuar, a janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë? A ka për detyrë Policia e Shtetit që t'i trajtojë dhe t'i mbrojë dhe këta qytetarë, si socialistët dhe si demokratët? Çfarë do të tregosh pra me këtë lloj dhune që ushtron ndaj qytetarëve të tu? Dhe deri në momentin që Policia e Shtetit cenohet fizikisht, nuk ka absolutisht asnjë lloj të drejte të ndërhyjë dhe të godasë qytetarët në asnjë lloj mënyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco