I ftuar në studion e Syri Tv, me gazetarin Arnold Kariqi, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, pak orë përpara nisjes së protestës kombëtare të opozitës, bëri thirrje që qytetarët të dalin në bulevard për të mbrojtur dinjitetin e tyre, familjet dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Ai theksoi se protesta nuk është thjesht një sfidë politike, por një përgjigje ndaj një regjimi që i sheh qytetarët si spektatorë dhe ka kthyer korrupsionin dhe babëzinë kriminale në normalitet. Duke përmendur abuzimet financiare, rastet tragjike të humbjes së jetës së fëmijëve dhe rrezikun për qytetarët nga infrastrukturat e pasigurta, Blushi nënvizoi se e keqja nesër mund të trokasë në çdo derë, prandaj çdo shqiptar duhet të reagojë sot.
Blushi theksoi se, kjo është një protestë kombëtare, jo partiake, për të rikthyer lirinë, drejtësinë, sigurinë dhe sovranitetin e qytetarëve, duke treguar se vetëm me bashkim dhe mobilizim mund të ndalohet imponimi i korrupsionit dhe shkatërrimi i familjeve shqiptare.
Pjesë nga deklarata:
Mirë që nuk na caktojnë edhe vendin ku të protestojmë dhe çfarë duhet të themi në protestë. Po të mos humbim kohë me të tilla marrëzira që tregojnë vetëm panikun e Edi Ramës.
Por çdo shqiptar duhet të luftojë në radhë të parë për veten e vet. Duhet të luftojë në radhë të parë për familjen e vet dhe sigurisht edhe për kombin e vet. Kjo nuk është një betejë thjesht dhe vetëm politike. Jemi përballë një regjimi armiqësor ndaj vlerave të familjes, ndaj vlerave të shoqërisë dhe ndaj kombit.
Nuk është një protestë thjesht dhe vetëm me simpatizantët e Partisë Demokratike apo Partisë së Lirisë dhe opozitës së bashkuar. Ky është një protestë për dinjitetin qytetar dhe kombëtar, për mbrojtjen e familjes së gjithsecilit.
Tani, kur kjo ndodh me Erion Velinë, çfarë drejtësie mund të presim sot nga këto gjykata, nga ky nivel gjykatësish dhe prokurorësh shqiptarë që përballen me një situatë ku drejtësia mungon? Kemi pasur edhe raste tragjike, pasi njerëz kanë humbur jetën. Nuk duhet ta harrojmë këtë fakt.
Të kujtoni mënyrën se si Edi Rama në mënyrë barbare i vjedh dhe i shtyp me gaz, me dhunë, me policë, me shkopinj, edhe ata qytetarë që protestojnë për shtëpitë e tyre. Është një ndërgjegjësim për çdo shqiptar. E keqja nesër do të vijë në derën tënde, do të trokasë në derën e gjithsecilit në rast se nuk reagojmë.
Nuk dalim dhe nuk duhet të dalim në protestë thjesht dhe vetëm në respekt të partisë apo bindjeve të caktuara politike. Kjo është një protestë kombëtare. Opozita e ka marrë përsipër një mision kombëtar, për të çliruar vendin nga një sekt anti-familje, anti-komb, një sekt i cili vjedh në mënyrë barbare dhe kriminale taksat e shqiptarëve nga mëngjesi në darkë dhe e bën këtë gjë në dritë të diellit pa u lodhur fare.
Kujtoj, meqë përmendëm inceneratorin, shikoni rrugët: janë 4 miliardë euro që janë avulluar. Të gjithë të rinjtë sot që nuk kanë mundësi të blejnë një garsonierë, jo më një shtëpi dinjitoze, nuk e blejnë dot. Dhe të shohin Belinda Ballukun me 300 apartamente. Imagjinoni sa para ka Edi Rama.
Tani, a ka motiv për të qëndruar në shtëpi? Ne jemi gati, të paguajmë – e kam thënë dhe e theksoj çdo çmim, të bëjmë çdo sakrificë për t’u rikthyer lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin e çdo shqiptari, i cili meriton të jetojë me dinjitet në shtëpinë e vet, në vatrën e vet familjare, sepse as për shtëpinë e vet nuk është i sigurt.
Shikoni sa pak vlen jeta në Shqipëri. Dy fëmijë humbën jetën tragjikisht në Durrës, sepse nuk kishin ku të luanin. Në rast se do të kishte një kënd, ai kamikazi i dehur në timon nuk do t’i shtypte fëmijët. Por kur nuk ke as kënd lojrash, ku do t’i çoni fëmijët? Ku do të luajnë fëmijët? Në një vend ku nuk ka siguri juridike as për gjyqtarët, ku nuk ka asnjë lloj sigurie juridike për asgjë, edhe vetë jeta është e pavlerë, sepse mund të ikë në pak sekonda pa asnjë faj.
Kur qytetarët humbin jetën një tjetër rast tragjik në Durrës, sepse bashkia nuk kishte qendruar shtyllat e tensionit të lartë humbi jetën një prind i tre fëmijëve, pasi gjatë momentit që binte shiu, u godit nga shtylla dhe vdiq. Këtu mund të vdesësh thjesht dhe vetëm, dhe një fajtor ka, ky është Edi Rama. Sepse babëzia e tij është aq kriminale sa po shkakton humbje jetësh, qoftë direkt, qoftë indirekt.
Mos harrojmë Ardit Gjoklin. Mos harrojmë Ardit Gjoklin.
Dhe suprizoheni që Karçanaj është jashtë? Suprizoheni që Belinda Balluku është ende me imunitet deputeti? Kjo pra është drejtësia e Rilindjes. Prandaj ju falenderoj që nuk na zhgënjeni në asnjë moment.
Çfarë pres unë të hënën? Nuk kam asnjë iluzion për një drejtësi të kapur kokë e këmbë nga Edi Rama. Por ajo që mund të them me bindje, dhe që besoj se është e vërteta, është që Presidenti i Partisë së Lirisë po përjeton sot një burg politik. Thjesht dhe vetëm për Edi Ramën.
© SYRI.net