Këshilli i Integrimit Europian u mblodh sërish sot pa praninë e opozitës, pasi Taulant Balla ndryshoi rregulloren dhe vendosi të ‘pushtojë’ këtë institucion konsensual që drejtohej nga opozita.
Për ironi, vetë Balla bashkë me kryenegociatoren për Integrimin, Majlinda Dhuka, folën për nevojën e bashkëpunimit.
Edhe ministri Toni Gogu tha se duhet më shumë bashkëpunim.
Por situata është krejtësisht ndryshe në realitet.
Edi Rama e ka përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit, ndërkohë që vetë mban të fshehtë çdo zhvillim në këtë drejtim, duke mos bërë transparencë se pse është bllokuar prej muajsh miratimi i raportit IBAR në Bruksel.
Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama mori sot një ‘shuplakë’ nga kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister.
Në një letër drejtuar Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, McAllister ngre shqetësimet për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, mungesën e transparencës dhe kufizimin e rolit kontrollues të parlamentit shqiptar.
Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian thekson se opozita, shoqëria civile dhe publiku janë të përjashtuar nga informacioni mbi negociatat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai kërkon nga Komisioni Europian një vlerësim të qartë mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, si edhe mënyrën se si mund të garantohet roli kushtetues i opozitës si institucion kontrolli demokratik.
Në letrën e tij, McAllister paralajmëron se një proces integrimi i dominuar vetëm nga ekzekutivi dhe që përjashton opozitën rrezikon të dëmtojë standardet demokratike dhe vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
© SYRI.net