Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po bashkëpunon me oligopolet për të mbajtur artificialisht të larta çmimet e karburanteve në vend, duke rënduar më tej barrën ekonomike mbi qytetarët shqiptarë.
Sipas Tabakut, masat e propozuara për uljen e akcizës janë të vonuara dhe nuk prekin thelbin e problemit, që lidhet me modelin ekonomik të ndërtuar në Shqipëri.
Ajo deklaroi se, ndonëse çmimet e naftës mund të bien në bursat ndërkombëtare dhe në vendet e rajonit, në Shqipëri karburantet vijojnë të mbeten ndër më të shtrenjtat në Europë për shkak të një sistemi që, sipas saj, favorizon këtë situatë.
Tabaku theksoi se mbi 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksa, ku një pjesë e konsiderueshme vjen nga taksa e qarkullimit, e cila sipas saj është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013, duke u kushtuar qytetarëve mbi 200 milionë euro në vit.
Ajo shtoi se, ndërsa vendet europiane dhe ato të rajonit ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët nga krizat ekonomike, Shqipëria sipas saj vijon të mbetet pa strategji reale dhe pa masa efektive mbrojtëse.
Tabaku:
Nafta mund të bjerë në bursat ndërkombëtare, mund të bjerë në rajon, por në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë sepse sistemi e favorizon këtë model. Mbi 60% e çmimit të karburantit janë taksa, dhe një pjesë e madhe vjen nga taksa e qarkullimit, që është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013 dhe i kushton qytetarëve mbi 200 milionë euro në vit.
Ky nuk është treg i lirë. Kjo është ekonomi e deformuar, ku fitimi ndahet mes oligopoleve dhe qeverisë, ndërsa qytetarët paguajnë faturën. Çdo krizë ndërkombëtare nxjerr në pah dështimin e modelit ekonomik të ndërtuar në Shqipëri, sepse shqiptarët paguajnë çmime europiane me paga ballkanike. Ndërkohë, Europa dhe vendet e rajonit ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët, por Shqipëria mbetet në vend numëro, pa strategji reale dhe pa masa mbrojtëse për qytetarët.
© SYRI.net