Alolli: Ulja simbolike e çmimit të karburanteve nuk zgjidh krizën, por pranon dështimin e qeverisë

Alolli: Ulja simbolike e çmimit të karburanteve nuk zgjidh krizën, por pranon dështimin e qeverisë

15:48, 07/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, Nënkryetarja e grupit parlamentar të PD-së, Ledina Alolli, deklaroi se akti normativ i qeverisë për uljen simbolike të çmimit të karburanteve nuk zgjidh krizën, por vetëm pranon dështimin e saj.

Alolli shprehet se, qytetarët paguajnë prej muajsh çmimet më të larta në rajon, ndërkohë që qeveria vazhdon propagandën duke shpërfillur realitetin.

Deputetja kritikoi vendosjen e Bordit të Transparencës dhe masat e papërfillshme për të mbrojtur konsumatorin, duke theksuar se kjo qeveri favorizon oligopolet dhe penalizon qytetarët.

Pjesë nga deklarata:

Sot, qeveria me këtë akt normativ nuk ka ardhur këtu për të zgjidhur krizën, por ka ardhur për të pranuar vetëm se kjo krizë ekziston. Sepse për muaj me radhë, shqiptarët kanë paguar një nga çmimet më të larta të karburantit në rajon. Dhe ndërsa qytetarët paguanin më shtrenjtë çdo ditë, qeveria vazhdonte propagandën sikur gjithçka ishte nën kontroll.

Në Maqedoninë e Veriut u morën masa për uljen e barrës fiskale. Në Kosovë pati ndërhyrje për mbrojtjen e konsumatorit. Në vende të tjera të rajonit, si Greqi, Itali e të tjera, qeveritë ndërhynë për të lehtësuar ekonominë, por edhe biznesin. Po në Shqipëri, çfarë ndodhi? Në Shqipëri u ngrit bordi i transparencës, u mbyll tregu, u mbyt konkurrenca dhe qytetarëve u është kërkuar që të paguajnë.

Sot, qeveria pranon vetë atë që opozita ka denoncuar prej kohësh: çmimi i lartë i karburantit nuk vjen vetëm nga bursat ndërkombëtare, por edhe nga taksat e rënda që kjo qeveri ka vendosur mbi çdo litër nafte. Vetë relacioni i aktit normativ e pranon se rreth 60% e çmimit përbëhet nga taksa dhe nga ngarkesa fiskale.

Dhe çfarë propozon sot qeveria? Një ulje prej vetëm 9.45 lekësh për litër. Madje, jo si politikë e qëndrueshme, jo si ndihmë reale për qytetarët, por vetëm kur çmimi i naftës të kalojë mbi 220 ALL për litër. Pra, qytetarët duhet së pari të goditen rëndë nga çmimet, që më pas qeveria të kujtohet për ta dhe të bëjë sikur ndërhyn. Kjo nuk është politikë ekonomike. Kjo është propagandë fiskale.

Dhe ironia më e madhe është kjo: sa më shumë rëndohen qytetarët nga çmimet e karburantit, aq më shumë rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Pra, ndërsa familjet shqiptare paguajnë më shumë për të jetuar, qeveria përfiton më shumë nga taksat mbi karburantin. Shqiptarët varfërohen nga çmimi i naftës, ndërsa nga ana tjetër shteti pasurohet nga taksat mbi të.

Dhe problemi nuk është vetëm çmimi i naftës. Problemi është modeli i kësaj qeverisjeje: një model ku tregjet kontrollohen nga pak duar, ku konkurrenca deformohet, ku qytetarët paguajnë gjithmonë e më shtrenjtë dhe kur qeveria shfaqet vetëm për propagandë. Kur tregu kontrollohet nga pak duar, faturën nuk e paguajnë oligopolet, e paguajnë qytetarët shqiptarë.

Në çdo vend normal, kur rritet çmimi i karburantit, qeveritë veprojnë për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë. Kurse tek ne çfarë bën qeveria? Monitoron. Ndërkohë, fermeri paguan më shumë për të punuar tokën, transporti paguan më shumë për çdo kilometër, biznesi paguan më shumë për çdo shërbim dhe qytetari paguan edhe më shumë për çdo produkt ushqimor. Kur rritet nafta, nuk rëndohet vetëm përdorimi i makinës, por rëndohet jeta e të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe dua ta them qartë sot këtu.

Opozita nuk ka qenë vetëm kundër qëndrimeve të kësaj qeverie, por ajo ka ardhur me propozime konkrete. Tre propozimet konkrete të kolegut Bozdo përfshijnë ulje reale të barrës fiskale mbi karburantet, mbështetje për fermerët, transportin dhe biznesin. Ne kemi kërkuar politika të qëndrueshme dhe jo akte normative emergjente sa herë situata i del kësaj qeverie jashtë kontrollit. Dhe sot nuk është vetëm opozita që po e thotë këtë, por është e gjithë Europa.

Raporti i fundit i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian evidenton problematika serioze në korrupsion, në prokurime publike, në koncensione dhe në funksionimin e institucioneve të këtij vendi. Në këtë raport tregohet qartë se ndërkohë që qytetarët paguajnë çmimet më të larta në Europë, Europa flet për korrupsion, kapje institucione, por edhe për mungesë transparence.

Dhe si mund të mos flasë? Kur Shqipëria është kthyer në vendin e skandaleve të pafundme me inceneratorët, partneritetet publike-private, tenderat, por edhe me fondet publike. Ku çdo ditë shqiptarët dëgjojnë emrin e Belinda Ballukut në histori që lidhen me koncensione, tendera, privilegje dhe mbrojtje politike. Madje, edhe vetë raporti i Parlamentit Europian ngre shqetësime për ndërhyrje politike dhe standarde të dyfishta në çështje që lidhen me imunitetin parlamentar dhe luftën kundër korrupsionit.

Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: si mund t'u kërkoni qytetarëve të paguajnë gjithmonë edhe më shumë kur qeveria nuk bën as transparencë, as konkurrencë dhe as llogaridhënie? Shqiptarët nuk po mbyten sot nga bursat ndërkombëtare, por ata po mbyten nga taksat, nga korrupsioni dhe nga mungesa e konkurrencës. Dhe ndërkohë Edi Rama vazhdon të flasë për sukses ekonomik.

Ndërsa realiteti sot është krejt tjetër: fermeri nuk përballon dot kostot, biznesi nuk përballon dot çmimet, të rinjtë largohen dhe familjet shqiptare jetojnë çdo ditë me ankthin e faturave dhe çmimeve të rritura. Dhe sot, pas gjithë kësaj krize, shqiptarëve po u serviret një ulje që mezi mbulon rritjen që vetë shteti ka përfituar nga TVSH-ja e çmimeve të larta.

Prandaj, ky akt normativ nuk është zgjidhje. Ky akt normativ nuk e zgjidh krizën. Ai vetëm pranon dështimin e kësaj qeverie. Shqiptarët nuk kanë nevojë sot për propagandë; ata kanë nevojë për taksa më të ulta, për treg të lirë, për konkurrencë reale, për mbështetje për fermerët dhe biznesin dhe, mbi të gjitha, ata kanë nevojë për një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për një grup, për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco