Topalli në Kuvend: Çdo institucion është kthyer në një fasadë pa funksion real

Topalli në Kuvend: Çdo institucion është kthyer në një fasadë pa funksion real

14:34, 07/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e opozitës Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë institucionale, ekonomike dhe demokratike.  Sipas saj, vendi po rrëshqet drejt një modeli qeverisjeje të përqendruar, ku institucionet e pavarura janë dobësuar, zgjedhjet janë deformuar dhe kontrolli demokratik mbi pushtetin është reduktuar ndjeshëm.

Topalli u shpreh se fasada e modernitetit dhe zhvillimit që paraqitet nga qeveria nuk pasqyron realitetin e qytetarëve, të cilët përballen me varfëri në rritje, pasiguri ekonomike dhe mungesë besimi tek institucionet.

Ajo iu referua gjithashtu raporteve ndërkombëtare që evidentojnë përkeqësim të standardeve demokratike, korrupsion dhe dobësim të shtetit ligjor në Shqipëri.

Në fjalën e saj, ajo kritikoi edhe funksionimin e Kuvendit dhe mungesën e llogaridhënies së qeverisë, duke e cilësuar situatën aktuale si një “fasadë demokratike” ku institucionet nuk përmbushin më rolin e tyre kushtetues.

Deklarata e plotë:

 “Pak ditë më parë u dogj fasada e një pallati. Një fasadë e bukur, e ndritshme, e reklamuar si modernitet. Por mjaftoi një shkëndi dhe gjithçka mori flakë menjëherë. Sepse kur fasada ndërtohet me shkelje, ligji, korrupsioni dhe propagande, ajo nuk qëndron. Digjet.

Njëlloj si ajo fasadë, janë djegur zgjedhjet e lira në Shqipëri. Njëlloj si ajo fasadë, po digjet parlamenti si institucioni i përfaqësimit dhe i kontrollit. Digjet besimi i qytetarëve tek demokracia. Dhe ndërsa propaganda vazhdon të lyejë muret nga jashtë, shqiptarët po jetojnë brenda një shteti ku liria, drejtësia, vota, janë më të brishta se ajo fasada që u dogj.

Një regjim kujdeset më shumë për fasadën se sa për themelet, sigurisht që zjarri bëhet i pashmangshëm. Vetëm në ditët e fundit kemi dy raporte ndërkombëtare, alarmante, për atë që ndodh në Shqipëri.

Njëra është raporti i Eurostat-it, ku flet për varfërinë në Shqipëri. Në nivelin 20% të shqiptarëve që nuk mbyllin muajin për nevojat më elementare të ushqimit. Dhe dokumenti i dytë, i Parlamentit Europian, që flet për rrëshqitje të demokracisë, korrupsion, rënie të shtetit ligjor. Në vendin tonë, instrumentët që garantojnë lirinë dhe kontrollin e pushtetit, nuk ekzistojnë më si garanci reale për qytetarët.

Zgjedhjet nuk janë më një mjet i lirë për të ndëshkuar apo ndryshuar pushtetin, por një proces i deformuar nga presioni, kontrolli dhe nga abuzimi me shtetin, thotë raporti. Institucionet që duhet të jenë të pavarura, janë dobësuar, ndërkohë që balancat që mbajnë gjallë demokracinë, janë tkurrur deri në kufijtë e formës. Dhe kur qytetari nuk beson më se vota e tij mund të ndryshojë diçka, demokracia sigurisht që nuk funksionon.

Mbetet vetëm një fasadë. Si ajo fasada e pallatit që u dogj pak ditë më përpara. Dhe një vend që humbet këtë besim, rrezikon të humbasë vetë thelbin e lirisë. Tek ne, parlamenti në fakt është shembur. Shikojeni pak këto tavolinat mbrapa. Janë të gjitha bosh. Bosh. Nuk ka qeveri.

Bile as kryetari i parlamentit prej disa orësh nuk është këtu. Parlamenti nuk funksionon më si zëri i qytetarëve. Jo vetëm sepse nuk i përgjigjet ëh ëh indeksit të përfaqësimit për shkak të zgjedhjeve fasadë. Nuk ka më komisione hetimore sepse i madhi i ka ndaluar ato, që të kontrollojnë pushtetin, duke humbur dimensionin themelor të përfaqësimit dhe të kontrollit.

Kryeministri nuk vjen më në parlament. Nuk përballet me deputetë dhe nuk i përgjigjet më interpelancave. Kur mungon llogaridhënia, pushteti bëhet në fakt i pakontrolluar. Dhe kur parlamenti nuk përfaqëson, kur qeveria nuk jep llogari, dhe kur institucionet llogariten dhe kontrollohen nga një dorë, atëherë nuk kemi më një sistem demokratik normal, por kemi një pushtet të përqendruar, pa kontroll dhe pa balanca.

 Kemi në fakt një qeverisje që qeveriset nga forca dhe nga, jo nga ligji. Sot në Shqipëri, gënjeshtra është bërë normale. E qetë, e përditshme, e institucionalizuar. Ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri dhe pasiguri, në këtë vend është ndërtuar një realitet paralel.

Një realitet kur në burgje bëhen festa me alkool dhe lëndë narkotike. Ku burgu nuk është më një vend ndëshkimi por vend privilegjesh për të fortët. Por për ish-kryetar parlamenti, ish-president dhe ish-kryeministër, ai është një vend torturash, ku nuk njihet më asnjë konventë.

Një realitet ku qeli, kur nga qelitë drejton trafiqe droge. Ku nga qelitë vendoset për zgjedhje. Kur nga qelitë fitohen tendera milionëshe. Një realitet ku digjen fasada dhe rrezikohet jeta e qytetarëve ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Ku drejtësia sfidohet hapur. Opozitës i hiqet mandati. Ndërsa pushteti është gjithmonë mbi ligjin, sepse është forca.

Ku landfille digjen dhe qytetarët nuk marrin dot frymë jo vetëm pranë tyre por edhe kilometra larg. Ku skandalet nuk trondisin më askënd sepse janë bërë normale. Ku shpenzohen 50 milionë euro për një koncert një ditor. Ndërsa në burgje blihet çdo privilegj edhe një telefon me mijëra euro. Dhe ndërkohë 150 të burgosur kanë humbur jetën në qeli dhe askush nuk flet”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco