Kuvendi është përfshirë nga debate të forta pasi mazhoranca refuzoi kërkesën e opozitës për një debat lidhur me raportin e Parlamentit Europian, që reflektonte pengesat në procesin e integrimit. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, u mohoi deputetëve demokratë të drejtën kushtetuese për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, sa i takon çështjes së AKSHI-t dhe mbrojtjes publike që ai i bëri ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, tashmë që SPAK sekuestroi pasuritë e saj.
Video Syri TV
Mazhoranca ka përdorur forcën e kartonëve për të bllokuar debatin në Kuvend për raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, duke mos lejuar diskutimet për gjetjet që po pengojnë procesin e integrimit.
Me 72 vota, socialistët rrëzuan kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kërkoi diskutimin e shqetësimeve që ngre raporti i PE-së sa i përket korrupsionit, ligjeve me porosi dhe votimit të Partisë Socialiste, e cila refuzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në nisje të seancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së akuzoi mazhorancën se po përjashton opozitën nga procesi i integrimit.
Socialistët rrëzuan edhe kërkesën për interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa deputetët e PD-së kërkuan nga kryeministri të japë shpjegime për çështjen e AKSHI-t dhe marrjen në mbrojtje të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, pasi SPAK sekuestroi pasuritë e saj, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, përdori si justifikim për rrëzimin e interpelancës faktin që çështja është në hetim.
Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores nga kryeministri, i cili prej muajsh nuk frekuenton seancat plenare dhe nuk përmbush detyrimin e tij kushtetues për të dhënë llogari në Kuvend.
© SYRI.net