Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi kërkon pezullimin e licencës së bankës digitale, Jet Bank deri në përfundimin e hetimit parlamentar dhe verifikimin e plotë e të pavarur të të gjitha kushteve ligjore.
Nga foltorja e Kuvendit, Këlliçi i kërkoi BSH-së rishikim të menjëhershëm të të gjithë procedurës së licensimit të Jet Bank, duke përfshirë verifikimin e plotë të burimit të kapitalit të aksionarëve offshore si dhe ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar shkeljet e konstatuara dhe përgjegjësitë institucionale.
Në seancën e sotme parlamentare ishte thirrur kryeministri Rama për tiu përgjigjur interpelancës urgjente të kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me bankën digitale 'Jet Bank' , por kryeministri refuzoi të ishte i pranishëm duke ia deleguar interpelancën e kërkuar, ministres së Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Eriona Ismaili.
Në foltore deputeti demokrat akuzoi Bankën e Shqipërisë se nuk pezulloi procedurën pas ndryshimit të aksionerëve dhe se nuk verifikoi burimin e kapitalit fillestar prej 11 milionë eurosh që Idan Avishai depozitoi në shkurt 2026 por i dha licencën përfunditare një muaj më pas duke shkelur kuadrin ligjor
“Një individ anonim vjen, deklaron se ka 11 milionë euro dhe merr liçensën e bankës së parë digjitale, pa eksperiencë dhe pa asnjë garanci institucionale për kursimet e shqiptarëve' tha ai.
Ai u ndal dhe tek ndryshimi i strukturës aksionare, e cila është dhe shkelja e parë flagrante dhe ngriti shqetësime për ndryshimin e strukturës aksionare drejt kompanive offshore në Holandë dhe Qipro.
Jo vetëm Jet Holdings me aksioner fondamental Idan Avishai ka për strukturë aksionere kompaninë Israel Albania Holdings Ltd, me aksioner Saniel Sanilevic, i emëruar Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael me datë 21 maj 2023.
Gjithashtu në këtë skemë është dhe Oliver Hemmer anëtarë e Bordit të kompania Jet Bank sh.a i cili është dhe drejtues i Constador Ltd.
Hemmer rezulton dhe pronar dhe drejtor i Fortrade Cyprus Ltd, e njëjta platformë Forex, e paralajmëruar publikisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes dhe me rrjetin mashtrues të Gal Barak, i dënuar në Austri për mashtrim me mbi 200 milionë euro.
Fjala e plote
Zonja Ministre,
Ju dëgjova me vëmendje të plotë dhe konstatoj me shqetësim, por pa habi, se nuk morët asnjë qëndrim konkret ndaj pyetjeve të mia dhe nuk dhatë asnjë garanci për sigurinë e kursimeve të qytetarëve shqiptarë.
Përgjigjet tuaja ishin ato që njihen mirë në këtë sallë: fjalë të përgjithshme, gjuha e procedurave burokratike, dhe asnjë fakt.
Por unë dua të them diçka tjetër sot, para se të hyj në thelb. Për një çështje të kësaj natyre dhe të kësaj rëndësie, liçensimin e bankës së parë digjitale në Shqipëri, me të gjitha rreziqet që ai mbart për kursimet e qytetarëve, nuk duhej të ishte Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin ajo që vinte të jepte llogari.
Duhej të ishte vetë Kryeministri Rama.
Ai që ka firmosur politikat, ai që ka ndërtuar institucionet që e kanë mundësuar këtë liçensim, ai që ka lejuar që ekonomia shqiptare të kthehet në lavatriçen e krimit të organizuar.
Ai duhej të qëndronte sot përpara kësaj salle dhe të jepte shpjegime.
Fakti që Kryeministri Rama nuk është këtu sot, ndërkohë që flasim për kursimet e shqiptarëve, të cilët janë sot më të varfërit dhe më të vjedhurit në Evropë, tregon gjithçka për nivelin e llogaridhënies së kësaj qeverie ndaj qytetarëve të saj.
Kjo qeveri ka vjedhur miliarda lekë nga buxheti i shtetit nëpërmjet tenderave të Belinda Ballukut; ua ka marrë tokat fermerëve për ti kthyer në parqe fotovoltaike; e ka shndërruar ekonominë shqiptare në një lavatriçe të madhe të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dhe tani ka vendosur ti përdorë edhe kursimet e fundit të shqiptarëve për pazaret e veta.
Faktet e mëposhtme janë të dokumentuara, të verifikueshme dhe të depozituara zyrtarisht.
Ato nuk janë opinion apo akuza politike, janë prova institucionale të një dështimi të rëndë shtetëror, për të cilin dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale, jo vetëm politike.
E nderuar,
Ju rikujtoj se regjistrimi i Jet Bank dhe detyrimi ligjor i shtetit
Në korrik 2025, regjistrohet në QKB kompania Jet Bank sh.a., me aksioner të vetëm shtetasin izraelit Idan Avishai. Anëtarë të Bordit Drejtues emërohen shtetasit Oliver Hemmer dhe Rami Solomon.
Menjëherë pas regjistrimit, kjo kompani aplikon pranë Bankës së Shqipërisë për liçensë si banka e parë 100% digjitale e vendit.
Kuadri ligjor në fuqi detyron Bankën e Shqipërisë të kryejë një analizë të plotë dhe të dokumentuar mbi aksionerët dhe ekipin drejtues, duke vlerësuar domosdoshmërisht:
• Eksperiencën profesionale në sektorin bankar ose financiar
• Integritetin dhe pastërtinë e reputacionit
• Kapitalin dhe burimin e verifikueshëm e të ligjshëm të tij
• Kapacitetin për injektim të vazhdueshëm likuiditeti, sidomos gjatë 3 viteve të para të operimit
Në datën 3 dhjetor 2025, Banka e Shqipërisë i jep miratimin paraprak të liçensës shtetasit Idan Avishai, një individ anonim, pa eksperiencë të dokumentuar në sektorin bankar, pa asnjë lidhje profesionale me Shqipërinë.
Eksperienca e tij e vetme e identifikueshme është pozicioni i drejtorit të marketingut në një kompani gaming online.
Ky është standardi me të cilin kjo qeveri liçenson bankën e parë digjitale të vendit.
Ndërkohë na duhet të bëjmë një krahasim të domosdoshëm me Evropën, destinin tonë të natyrshëm si komb.
Çfarë kërkon Evropa në raste analoge?
Është me rëndësi thelbësore të kuptohet se si liçensohen bankat digjitale në vendet europiane, me qëllim që të vlerësohet saktësisht pesha e shkeljes së kryer këtu.
Bankat inovatore europiane janë themeluar gjatë viteve 2013–2015 nga profesionistë me eksperiencë të gjatë bankare dhe me mbështetjen e investitorëve institucionalë me kapital të verifikueshëm:
• N26 (Gjermani): Themeluar nga Valentin Stalf dhe Maximilian Tayenthal, ish punonjës të Deutsche Bank. Filloi si startup fintech në 2014 dhe u liçensua si bankë e pavarur në korrik 2016. Investitorë: EarlyBird Venture Capital, Valar Ventures, Tencent, Allianz X dhe GIC (Fondi Sovran i Singaporit).
• Monzo (Mbretëria e Bashkuar): Themeluar nga një grup punonjësish të StarlingBank. Investitorë: Passion Capital (Ëileen Burbidge), Thrive Capital dhe Orange Digital Ventures.
• Revolut (Mbretëria e Bashkuar): Themeluar nga Nik Storonsky dhe Vlad Yatsenko. 75% e aksioneve zotërohen nga SoftBank Vision Fund (Japoni), Tiger Global Management (Nju Jork) dhe TCV (Kaliforni).
• Starling Bank (Mbretëria e Bashkuar): Themeluar nga Anne Boden, me karrierë drejtuese mbi 30 vjet në sistemin bankar ndërkombëtar, dhe miliarderi Harald McPike.
Asnjëra nga këto banka nuk do të kishte mundur të liçensohej pa reputacion të spikatur dhe pa kapital institucional garanci, sepse rregullatorët europianë kërkojnë saktësisht këtë gjë.
Standardet nuk janë kapriço burokratike, por janë mure mbrojtëse ndaj pastrimit të parave dhe rrezikut të kolapsit financiar.
Tek ne ndodh e kundërta: një individ anonim vjen, deklaron se ka 11 milionë euro dhe merr liçensën e bankës së parë digjitale, pa eksperiencë dhe pa asnjë garanci institucionale për kursimet e shqiptarëve.
Kalojmë pak tek ndryshimi i strukturës aksionare, e cila është dhe shkelja e parë flagrante.
Në datën 26 janar 2026, Idan Avishai shet 100% të aksioneve të tij tek një kompani të sapo regjistruar në Holandë, Jet Holdings B.V. Kjo kompani ka strukturën aksionare të mëposhtme:
• 71.52% – Constador Ltd, kompani e regjistruar offshore në Qipro, - dhe ketu jeni në shkelje të rregullores së Bsh-së me aksioner fondamental Idan Avishai
• 12.3% – Israel Albania Holdings Ltd, me aksioner Saniel Sanilevic, i emëruar Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael me datë 21 maj 2023 nga Ministri i Jashtëm shqiptar, vartës I Edi Ramës.
• 16.18% – Katër kompani të tjera të regjistruara në Izrael
Pra, nga aksioneri i vetëm fillestar, kalojmë tek një strukturë me gjashtë entitete aksionare, pesë prej të cilave kanë përfituar rreth 28% të aksioneve me zero lekë investime dhe zero eksperiencë bankare.
Pyetjet e mëposhtme lindin natyrshëm.
• Pse ishte e nevojshme që Idan Avishai, pasi kishte aplikuar si aksioner i vetëm dhe kishte marrë miratimin paraprak, të transferonte aksionet tek kompani offshore?
• Cilat funksione do të mbulojnë pesë kompanitë e tjera aksionare, kur nuk kanë investuar asgjë dhe nuk kanë asnjë eksperiencë bankare?
• A janë këto kompani mbulesë politike apo instrumente ndikimi?
Sipas Rregullores së Bankës së Shqipërisë, ky ndryshim i thelbësishëm i strukturës aksionare detyronte pezullimin e menjëhershëm të procedurës deri në verifikimin e plotë të aksionarit të ri dhe burimit të kapitalit. Kjo nuk u bë.
Procedura vazhdoi me ritme rekord.
Oliver Hemmer, Gal Barak dhe rrjeti i mashtrimit
Që nga themelimi i Jet Bank, Idan Avishai emëron si anëtar të Bordit Drejtues shtetasin Oliver Hemmer. Njëkohësisht, në korrik 2025, themelohet offshore në Qipro edhe Constador Ltd, ku Avishai emëron po Oliver Hemmer si drejtues.
Ky fakt i vetëm tregon shkallën e afërsisë mes tyre dhe detyronte hetim institucional.
Në mënyrë të habitshme, Oliver Hemmer largohet me urgjencë nga drejtimi i të dy kompanive. Në vendin e tij emërohet Louis Grant Silver, i cili është njëkohësisht administrator i kompanisë mëmë Jet Holdings B.V. në Holandë.
Kush janë këta dy shtetas?
• Louis Grant Silver është drejtues i kompanisë Fortrade Ltd, kompani e lidhur me investimet Forex.
• Oliver Hemmer është pronar dhe drejtor i Fortrade Cyprus Ltd, e njëjta platformë Forex, e paralajmëruar publikisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë që në vitin 2018 si platformë e pa liçensuar për të ofruar shërbime financiare në vend.
Megjithatë, shqetësimet mbi emrin Oliver Hemmer shkojnë shumë më tej.
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme Gjermane, i bërë publik dhe i depozituar zyrtarisht pranë institucioneve tona provonn se:
• Oliver Hemmer është drejtor dhe ortak i kompanisë GRF Europe OU, e cila vepronte për llogari të E&G Bulgaria.
• E&G Bulgaria është kompani në pronësi të shtetasit izraelit Gal Barak.
• Gal Barak është i dënuar me vendim gjyqësor përfundimtar në Austri me 4 vjet burgim, për ngritjen e një skeme mashtrimi masiv nëpërmjet call-centerëve, me të cilën ka zhvatur mbi 200 milionë euro nga qytetarë austriakë, gjermanë, britanikë dhe zviceranë.
• Oliver Hemmer ka qenë pjesë aktive e kësaj skeme nëpërmjet kompanisë GRF Europe OU.
Ky dokument i është përcjellë Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve tona kompetente më datë 22 prill 2026.
Është e papranueshme që dokumente të cilat gjenden lehtësisht nga deputetë dhe gazetarë, të mos gjenden dhe të mos analizohen nga institucionet e specializuara për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Deri sot, nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Kërkesat e mia të përsëritura drejtuar Bankës së Shqipërisë për të marrë CV-në dhe profiling profesional të Idan Avishai janë refuzuar me argumentin se dosja është sekret.
Dosja e aksionarit të bankës ku shqiptarët do të depozitojnë kursimet e tyre qenka secret?!
Jet Tech dhe Durana Park dhe lidhja me krimin e organizuar
Në nëntor 2025, para se të bëhej aksioner i Jet Bank në janar 2026, kompania Jet Holdings B.V. themelon në Shqipëri kompaninë Jet Tech sh.a., me adresë të regjistruar në Durana Park, Xhafzotaj.
Durana Park është parku teknologjik i ndërtuar nga Qeveria Rama në bashkëpunim me organizatën kriminale të AKSH-it, i cili u krijua me qëllim të qartë: 0% tatim mbi fitimin, 0% tatim mbi të ardhurat personale, 0% detyrime për punonjësit.
Pra, biznesi i parë i ardhshëm aksioneri të bankës digjitale shqiptare regjistrohet saktësisht në parkun fiskal të krimit të organizuar.
Liçensimi përfundimtar, miratimi i papranueshëm
Në shkurt 2026, Idan Avishai depoziton pranë Bankës Qendrore kapitalin fillestar prej 11 milionë euro. Në mars 2026, pavarësisht nga të gjitha rrethanat e dokumentuara dhe të depozituara zyrtarisht, Banka e Shqipërisë i jep liçensën përfundimtare, duke shkelur hapur kuadrin rregullator, sepse:
• Aksioneri kryesor ishte tashmë një kompani offshore, jo individi i vlerësuar në analizën fillestare
• Burimi i kapitalit të aksionarit offshore nuk kishte kaluar verifikim të plotë ligjor
• Lidhjet e drejtuesve me personin e dënuar Gal Barak nuk ishin hetuar
• Rregullorja e Bankës së Shqipërisë kërkon shprehimisht pezullimin e liçensës deri në marrjen e të gjitha të dhënave për aksionarin e ri
• Katër shkresa zyrtare të depozituara nga unë me të dhëna konkrete ishin lënë pa përgjigje
RREZIQET SISTEMIKE – SIGURIA E QYTETARËVE DHE
INTEGRIMI EUROPIAN
Autoritetet mbikëqyrëse europiane kanë ngritur shqetësime të dokumentuara ndaj bankave 100% digjitale, pikërisht sepse paraqesin rreziqe të larta të veçanta:
• Pastrim parash: Mungesa e sporteleve fizike, regjistrimi online i klientëve dhe shpejtësia e lartë e transaksioneve ulin ndjeshëm mundësinë e raportimit në kohë të veprimeve të dyshuara.
• Siguri kibernetike: Të gjitha operacionet bankare kryhen online, pa punonjës fizikë mbështetës. Sistemi IT është infrastruktura e vetme. Shqipëria ka provuar tashmë me AKSH-in, me sistemet qeveritare të hakuara, se nuk ka kapacitet institucional për të siguruar këtë nivel mbrojtjeje.
• Konformiteti europian: Vetëm gjoba e vetme e vendosur nga autoritetet europiane ndaj Revolut apo N26 për shkelje rregullatore ka tejkaluar kapitalin e deklaruar të Jet Bank. Liçensimi i një banke digjitale jashtë standardeve mund të rrezikojë të gjithë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Kur këto rreziqe i kanë edhe bankat themeluar nga ekipet bankare më elitare të Europës, me investitorë institucionalë miliardë dollarësh pas vetes, pasojat e një banke digjitale të themeluar mbi kapitalin e paverifikuar të një individi me lidhje të dokumentuara me mashtrues ndërkombëtarë janë të paparashikueshme dhe të rrezikshme!
Nuk është rastësi që kjo liçensë jepet me ritme rekord, me dosje sekrete dhe pa asnjë transparencë.
Është një model i njohur: ndërsa qeveria ngre tenderin e radhës me Belinda Ballukun, ndërsa AKSH-i merr park teknologjik me zero taksa, ndërsa fermerët mbeten pa toka, kursimet e shqiptarëve priten të futen në sistemin bankar të radhës.
PYETJET ZYRTARE DREJTUAR MINISTRES
Në bazë të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, kërkoj përgjigje të shkruara, të plota dhe të argumentuara për pyetjet e mëposhtme:
Mbi çfarë baze ligjore konkrete Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak të licensës Idan Avishai si individ, duke konstatuar mungesën totale të eksperiencës bankare dhe të kapitalit institucional garanci?
Pse Banka e Shqipërisë nuk pezulloi menjëherë procedurën e licensimit pas ndryshimit të thelbësishëm të strukturës aksionare në janar 2026, siç e detyron shprehimisht rregullorja e licensimit?
3. Cilat janë rezultatet konkrete të analizës Fit and Proper, të kryer mbi
Constador Ltd, Jet Holdings B.V. dhe aksionarët e tjerë? Nga vijnë 11 milionë euro të kapitalit të depozituar dhe si është verifikuar burimi i tyre?
Pse Agjencia e Inteligjencës Financiare nuk ka hetuar lidhjet e drejtuesve të Jet Bank me Oliver Hemmer dhe me skemën e mashtrimit të dënuarit Gal Barak, lidhje të dokumentuara me dokumente zyrtare gjermane dhe të depozituara pranë institucioneve tona?
5. Çfarë roli konkret ka luajtur Saniel Sanilevic, Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, në strukturën aksionare të Jet Bank nëpërmjet Israel Albania Holdings Ltd, dhe a është hetuar kjo lidhje diplomatike financiare?
6. Çfarë masash mbrojtëse konkrete janë ngritur për të garantuar sigurinë e kursimeve të qytetarëve shqiptarë që do të depozitojnë paratë e tyre në Jet Bank, duke pasur parasysh rreziqet e dokumentuara të pastrim parash dhe sigurisë kibernetike?
7. Pse katër shkresa zyrtare të depozituara pranë Bankës Qendrore nga janari deri në prill 2026, me të dhëna konkrete dhe dokumente mbi shkeljet e konstatuara, kanë mbetur pa asnjë përgjigje?
KËRKESAT FORMALE DHE ANGAZHIMI I MËTEJSHËM
Në bazë të të gjitha fakteve të dokumentuara dhe shkresave zyrtare të depozituara, kërkoj:
• Rishikimin e menjëhershëm nga Banka e Shqipërisë të të gjithë procedurës së licensimit të Jet Bank, duke përfshirë verifikimin e plotë të burimit të kapitalit të aksionarëve offshore dhe analizën Fit and Proper të riparë.
• Ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, në bashkëpunim me Komisionin e Ekonomisë dhe Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për të hetuar shkeljet e konstatuara dhe përgjegjësitë institucionale.
• Pezullimin e liçensës së Jet Bank deri në përfundimin e hetimit parlamentar dhe verifikimin e plotë e të pavarur të të gjitha kushteve ligjore.
• Njoftimin publik dhe transparent të qytetarëve shqiptarë mbi rreziqet e identifikuara, si detyrim kushtetues i shtetit ndaj mbrojtjes së interesave financiare të tyre.
Mbetem i angazhuar deri në fund të kësaj çështjeje.
Nëse qeveria dhe institucionet që varen prej saj vazhdojnë të heshtin dhe të mbrojnë një liçensim të tillë, kjo nuk do të jetë vetëm shkelje rregullatorie, por do të jetë konfirmim i qartë se sistemi bankar shqiptar po kthehet, sipas modelit të njohur të kësaj qeverie, në lavatriçen e radhës.
Institucionet tona nuk janë aktualisht në gjendje të garantojnë sigurinë e të dhënave tona online, sistemet e ngritura nga AKSH-i, pas konsumimit të qindra milionë eurove tendera, kanë përfunduar në duart e hakerëve.
Dhe sot po na thuhet se i njëjti shtet i dështuar na garanton sigurinë kibernetike të bankës digjitale.
Kjo nuk pranohet dhe kjo sallë ka detyrimin kushtetues të thotë JO.
Faleminderit.
© SYRI.net