Sali Berisha, deklaroi gjatë fjalës së tij se Ballkani i Hapur është një nismë jo-europiane dhe e varrosur prej tre vitesh, që minon procesin e integrimit të Shqipërisë.
Ai theksoi se çdo iniciativë integruese duhet të kalojë në Kuvend dhe të miratohet sipas procedurave parlamentare, duke mbrojtur kështu interesin kombëtar. Berisha denoncoi përpjekjet e liderëve rajonalë, si Vuçiçi dhe Edi Rama, për të imponuar nisma pa konsultim me qytetarët. Ai nënvizoi se raporti i fundit përbën një udhërrëfyes të qartë për qëndrimet e PD-së në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Berisha u shpreh se, këto nisma të jashtligjshme janë antishqiptare dhe antieuropiane, dhe për këtë duhet t’u vihet kufiri nga institucioni më i lartë ligjvënës. Berisha përfundoi duke e cilësuar dokumentin si program pune për forcimin e integrimit të vendit në BE.
Fjala e tij:
Së fundi, se ky raport është i gjatë dhe ju duhet ta lexoni të gjithë. Do ndalem në një çështje shumë, shumë të rëndësishme. Dënon Ballkanin e Hapur. Dhe i falënderoj shumë.
Ne kemi protestuar. Kemi mbushur bulevardin kundër Ballkanit të Hapur. Një nismë antishqiptare, antieuropiane. Dhe jo vetëm Ballkanin e Hapur.
Tani, ka një gjë të bukur këtu shumë. Tani, në fakt Ballkani i Hapur, ky ka tre, tre vjet që është varrosur. Pse, pse e kanë vënë këtu? E kanë vënë për shkak të letrës të cilën padroni tha se është iniciativë e imja.
Vuçiçi tha se kjo letra, unë e kam marrë unë atë iniciativë, dhe natyrisht i kam thënë dhe argatit tim ta firmosi, Edi Ramës. Prandaj me shumë të drejtë parlamentarët e nderuar e kanë interpretuar me të drejtë fare këtë letrën si një vazhdimësi në formë tjetër të Ballkanit të Hapur. Dhe të nismave që shkoi, shkoi në Spanjë, një nismë krejtësisht jo europiane, s'u mor vesh.
Pra i thonë që këto nisma, le që njëherë kërkojnë që të gjitha këto të miratohen në parlament.
Sepse dalin dy, dy aventurierë si Vuçiçi dhe ky dhe thonë, ne thonë, duam të anëtarësohemi po pa procesin e Kopenhagenit, vetëm, po kë pyetët ju? Cilin pyetët? A pyetët një shqiptar, a pyetët një serb këta, përveç karriges së tyre? Asnjë njeri.
Shikoni çfarë janë?
Dhe aty u thuhet që nismat e tilla që minojnë procesin e integrimit europian nuk duhet të ndërmerren dhe çdo nismë duhet të miratohet në parlament.
Mendoj se ky raport përbën një program të shkëlqyer pune në qëndrimet tona, në platformën tonë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Faleminderit.
© SYRI.net