Aksidenti tragjik në Durrës me dy viktima të mitur dhe një tjetër të plagosur, është bërë temë diskutimi në Komisionin e Ligjeve, me mazhorancën që kërkon ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja bëri të ditur se së shpejti do t’i drejtohet Kuvendit me disa propozime për ndryshime në Kodin Penal dhe atë Rrugor.
“Bashkë me disa kolegë të tjerë, ne do t’i drejtojmë Kuvendit propozime për ndryshime për Kodin Rrugor dhe Penal. Nuk duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të ndërhyre, por po shqyrtojmë të gjitha mungesat për t’i adresuar me masat e duhura. Ngjarja është shumë e rëndë. Autori i veprës penale mund të përfaqësojë gjithçka. Ai nuk meriton të jetojë më mes nesh”, theksoi Manja.
Por për deputetin e PD-së, Arian Ndoja, ligji ekziston në vendin tonë, por nuk zbatohet.
“Për mendimin tim, ne e kemi ligjin, 5-20 vite, por nuk zbatohet. Ky dënim nuk e ka asnjë vend tjetër europian. Në atë lagje duhet të ketë edhe sheshe, edhe lojëra. E dimë që nuk i ka. Aty ka rrugë që janë shtruar nga vetë banorët më beton”, tha Ndoja.
© SYRI.net