Një fjalim i mbushur me dhimbje dhe akuza të forta është mbajtur pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën të përplasur nga një automjet.
Në Foltoren e organizuar nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare para Kryeministrisë, sekretarja për Rininë e Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj, drejtoi gishtin e fajit jo vetëm te drejtuesi i papërgjegjshëm i mjetit, por edhe te pushteti vendor dhe qeveria qendrore, duke i quajtur "bashkëfajtorë" për humbjen e jetëve dhe duke kërkuar protesta masive e dorëheqje.
Ibraj theksoi se autori i aksidentit, një person "i dehur dhe i papërgjegjshëm", ishte denoncuar më herët nga banorët e zonës, por ankesat e tyre "kanë shkuar në vesh të shurdhër". Kjo neglizhencë, sipas saj, është një nga shkaqet direkte të tragjedisë që tronditi opinionin publik në të gjithë Shqipërinë.
Akuzat u shtrinë më gjerë, duke përfshirë gjendjen e sigurisë në qytetin e Durrësit.
"Po aq fajtor është dhe pushteti vendor dhe kjo qeveri, që nuk ka sy të shohë në çfarë gjendjeje është Durrësi", deklaroi Ibraj.
Sipas saj, qytetit i mungojnë elemente thelbësore të sigurisë dhe jetesës normale.
"Durrësi nuk ka hapësira të dedikuara për fëmijët. Durrësi nuk ka sinjalistikë. Durrësi nuk ka siguri jetike për ne që banojmë aty".
Duke bërë përgjegjës direkt institucionet, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin.
"Të mos heshtim më, të ngrihemi, të reagojmë, të çohemi të gjithë në protestë, nga Durrësi, Tirana e në të gjithë Shqipërinë", ishte apeli i saj.
Kërkesat ishin të qarta: dorëheqja e kryetares së Bashkisë së Durrësit, e cila "duhet të mbajë përgjegjësi", si dhe largimi i qeverisë aktuale, që sipas folëses "është shpëtim për shqiptarët".
Fjalimi u mbyll me një notë dëshpërimi dhe një paralajmërim ndaj pushtetarëve.
Duke iu drejtuar prindërve dhe qytetarëve, ajo i ftoi të ngrihen në protestë kundër një sistemi që ka dështuar t'i mbrojë.
"Keni dështuar të mbroni fëmijët... Mos na detyroni të largohemi nga vendi ynë. Na jepni një mundësi të jemi pranë jush e mos të marrim rrugët e botës", përfundoi Anisa Ibraj.
Fjalimi i Anisa Ibraj
Përshëndetje të gjithëve. Me shumë trishtim dua të ngushëlloj familjarët që humbën dy vogëlushët në Durrës. Lutemi për djaloshin që është në kujdes shëndetësor, që fatmirësisht i shpëtoi rrezikut për jetën.
Ngjarja në Durrës na ka tronditur të gjithëve anë e mbanë Shqipërisë. Nuk ka ngushëllim që mund të shuajë dhimbjen e prindërve të këtyre fëmijëve, të pafajshëm.
Sot, të revoltuar dhe të pikëlluar nga kjo tragjedi, duhet të reflektojmë më shumë se kurrë. Ata fëmijë i vrau një i papërgjegjshëm, i dehur, i denoncuar më parë nga banorët e lagjes. Por ankesat e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhër. Por, po aq fajtor është dhe pushteti vendor dhe kjo qeveri, që nuk ka sy të shohë në çfarë gjendjeje është Durrësi. Hajde shikojeni Durrësin si ka përfunduar nga hajdutët që e drejtojnë.
Durrësi nuk ka hapësira të dedikuara për fëmijët. Durrësi nuk ka sinjalistikë. Durrësi nuk ka siguri jetike për ne që banojmë aty. Me përgjegjësi të plotë, ju jeni bashkëfajtorë që këta fëmijë nuk janë më. Ju jeni shkaktarë që nuk monitoroni persona të rrezikshëm në rrugë. Ju jeni shkaktarë që ne nuk mund të jetojmë të qetë.
Dhe sa raste duhet të ndodhin që të merren masa? Sa do durojmë të dashur prindër, kur as jetën nuk e kemi më të sigurt? A e keni parë çfarë ndodh në gjimnaze e nëntëvjeçare? A e harruat Martinin në Fanol? A e harruat Erjanin në Durrës? Sa fëmijë kanë humbur jetën dhe nuk është marrë asnjë masë? A mund të jetojmë me frikë? Kush janë këta që na e marrin jetën nga mosveprimi? Kush janë këta që na i vjedhin paratë dhe nuk na japin shërbimet që meritojmë? Dhe sa do vazhdojmë kështu, me frikë? Unë kam një kërkesë, si vajzë e këtij vendi, si vajzë që jeton në Durrës, si dikush që i ka pasur shumë afër këta fëmijë, që humbën jetën.
Jua kërkoj me dëshpërim, të mos heshtim më, të ngrihemi, të reagojmë, të çohemi të gjithë në protestë, nga Durrësi, Tirana e në të gjithë Shqipërinë. Dorëheqja e kryetares së Bashkisë së Durrësit është detyrim e duhet të mbajë përgjegjësi. Largimi i kësaj qeverie është shpëtim për shqiptarët.
Keni dështuar në qeverisje. Keni dështuar t'i shërbeni qytetarëve. Keni dështuar të mbroni fëmijët. Prandaj, çohuni ju prindër, sepse jam e sigurt se asnjë nga ju nuk mund ta bëjë më gjumin e qetë pas asaj që ndodhi. Mos na detyroni të largohemi nga vendi ynë. Na jepni një mundësi të jemi pranë jush e mos të marrim rrugët e botës. Në emër të atyre fëmijëve, që ju shuan ëndrrat pa filluar jetën.
© SYRI.net