Nga Belind Këlliçi
I rrethuar dhe i përmbytur nga skandalet, nga aferat korruptive, nga rastet e abuzimit me pushtetin, Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë për t’u përgjigjur, që është mohimi.
Sa më i madh zullumi i zbuluar, aq më i madh injorimi. Sa më i madh dështimi, aq më i madh suksesi me propagandë.
Kur ranë disa akse kombëtare dhe një pjesë e vendit u izolua, Edi Rama nisi fushatën, “Punët e Shqipërisë”. Pra jo vetëm nuk pranohej dështimi, po kalohej në një marsh më të lartë publiciteti, duke zhurmuar për arritje të mëdha.
Integrimi ka ngrirë dhe Shqipërisë i janë shtuar kriteret, për shkak të votimit që ai urdhëroi në Parlament me 12 mars, duke mbrojtur korrupsionin dhe duke ndalur drejtësinë. Fakt publik ky.
Ndërkohë, ai jo vetëm e mohon dhe thotë se jemi shumë afër anëtarsimit, por fajëson Opozitën për pengesat.
Kur doli në publik se banda e tij e AKSH-it kishte zhvatur të paktën 40 milionë euro të taksave të shqiptarëve, Rama u shfaq para disa të rinjve dhe tha se Shqipëria është pararojë në rajon e më gjërë në qeverisjen teknologjike.
Shpërdorimi dhe përvetësimi i qeverisë është bërë emblematik pasi shfaqet në vilat luksoze, në verat e makinat e shtrenjta që ai me bashkëpunëtorët e ngushtë kanë, prapë Edi Rama del dhe thotë se ai po e lufton korrupsionin më shumë se askush tjetër.
Çdo javë vjen një agjensi nga vendet e BE dhe kërkon call-centerat që grabisin qytetarët e europës, çdo muaj vjen një dosje e rëndë korrupsioni apo të lidhjeve të krimit me pushtetin, ndërsa ky mburret me imazhin e Shqipëri.
Këto janë gjëra që po ndodhin. Padyshim se në pjesën më të madhe të mediave ai dikton kursin e tij; sa më i madh skandali, aq më i madh mohimi. Por qytetarët janë të informuar. Ata e shohin çdo ditë çfarë po ndodh. E provojnë në lëkurën e tyre.
Si vallë mendon se do t’u mbivedosë njerëzve një realitet paralel, jo atë që ata jetojnë e shohin me sytë e tyre? Kurajo e çartur.
Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend ku nuk ka votë të lirë, në një autokraci elektorale.
Meqënëse rezultatin e vendos ai që në fillim, atëherë mund të tallet 24 orë pa limit.
© SYRI.net