Pavol Szalai, përfaqësues i organizatës ndërkombëtare ‘Reporterët Pa Kufij’, deklaroi se Shqipëria ka nevojë urgjente për një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, gjatë një interviste në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko.
Duke komentuar indeksin e lirisë së shtypit të organizatës së tij, të ndryshëm nga raporti i OECD-së, Szalai theksoi se ‘Reporterët Pa Kufij’ është organizatë e pavarur, jo qeveritare, që mat lirinë e shtypit, ndryshe nga OECD-ja që ofron ekspertizë për qeveritë.
Szalai u shpreh se i kupton reagimet e kryeministrit ndaj indeksit, por vlerësoi se ‘fjalët e tij janë shumë të ashpra’. Ai shtoi se sulmet online ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur edhe vitin e kaluar, kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditjen e Shqipërisë.
Përfaqësuesi i organizatës u shpreh se njeh mirë rastin e gazetares Ambrozia Meta, e cila u përjashtua nga konferenca për shtyp e kryeministrisë disa muaj më parë, si dhe rastin e Isa Myzyrajt.
‘Janë dy raporte të ndryshme. Raporti i OECD-ja është një organizatë ndërqeveritare që bën ekspertizë për qeveritë në disa fusha, kurse ne jemi një organizatë e pavarur, jo qeveritare që masë lirinë e shtypit. Megjithatë, unë e kuptoj reagimin e kryeministrit ndaj indeksit tonë.
Fjalët e tij janë shumë të ashpra. Flet për njollosjen e institucioneve, flet për kujdesin me gjuhën për të mos e tepruar dhe kur bëhet fjalë për sulmet politike, jam i sigurt se ai është i vetëdijshëm edhe për sulmet online ndaj gazetarëve dhe është i vetëdijshëm për këtë, ato që kanë ndodhur edhe vitin e kaluar dhe që ndikojnë tek renditja.
Unë nuk mendoj se Shqipëria ka nevojë për pavarësinë, për ata që organizojnë podkaste dhe pavarësi më vete për ata të cilët janë në redaksinë e lajmeve, sepse kjo duhet të jetë diçka e garantuar për të gjithë ata të cilët transmetojnë. Edi Rama shprehet se mund të ishte mbyllur ose të ishte privatizuar një media në qoftë se nuk transmeton lajmet që dëshiron ai. Ne duhet të reagonim ndaj kësaj, sepse është nevoja që të ketë një transmetues publik dhe duhet të jetë në raport dhe në linjë me gjithçka që ndodh.
E njoh shumë mirë rastin e Ambrozia Metës se si e përjashtuan nga salla e kryeministrisë, e konferencës për shtyp përpara disa muajsh. Jam në dijeni edhe të çështjes së zotit Isa Myzyraj dhe se si u sulmua për shkak të pozicionit të tij që kishte në Focus Group. Dhe dëshiroj ta dënoj këtë veprim, këtë vendim politik dhe këtë kërcënim. Dua t'ju shpreh solidaritetin tim atyre. Patjetër që kjo ka një ndikim tek indeksi dhe sikurse e përmenda edhe treguesin politik. Ai mbetet shumë i ulët për Shqipërinë. Ky është shpjegimi që jap.
Mund t'i kthehem përsëri asaj që thashë që në fillim. Është pikërisht ashtu siç po e përshkruani ju. Autoritetet, duke përfshirë edhe policinë, po përdorin masa të cilat nuk janë në përputhje dhe nuk janë proporcionale me veprimin. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve. Dhe kjo do të përfshinte mbrojtje më të mirë për gazetarët në protesta, sepse ky është një prej misioneve të policisë, për të mbrojtur gazetarët që të informohet publiku.
Por gjithashtu edhe respektimi i të drejtave të gazetarëve. Për të njëjtën arsye, mbrojtje më e mirë e gazetarëve, mos lejohet dhuna policore, mbrojtje të drejtave të gazetarëve, qasjes së tyre, aksesit, mos ndalohen të hyjnë të filmojnë, sepse këto ndalime nuk janë të justifikuara kur justifikimi është për arsye sigurie, sepse kështu funksionon shteti i së drejtës. Dhe mendoj se Shqipëria ka nevojë për një plan për të përcaktuar marrëdhënien midis policisë dhe gazetarëve. Ne këtë e kemi propozuar me partnerët shqiptarë para një viti e gjysmë. Më vjen keq të shoh se situata nuk ka ndryshuar’, u shpreh Pavol Szalai në SYRI TV.
© SYRI.net