Për analistin Andi Bushati, kërkesat paqësore të qytetarëve në shesh përfaqësojnë thjesht një ‘romantizëm politik’, i cili nuk gjen zgjidhje përballë një kryeministri që nuk ka ndërmend të lëshojë pushtetin.
I ftuar në ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv, Bushati tha se pavarësisht se çdo krizë rrugëdalje, tërheqha e një lideri dhe reagimi nga brenda vetë partisë, janë praktikisht të parealizueshme në Shqipëri.
Kur rrugët institucionale bllokohen theksoi analisti, e vetmja zgjidhje që mbetet është dhuna, gjë që sipas tij, nuk po gjenerohet nga protestuesit.
Bushati shton se përballë një qeverie që vazhdon të vjedhë dhe të uzurpojë çdo pushtet, rezistenca e dhunshme, duhet të kthehen në të vetmen alternativë.
Problemi është që në ato kërkesa ka një lloj romantizmi le ta themi. Pse? Sepse gjendja aktuale e Shqipërisë nuk është fare e përputhshme me ato pesë kërkesa. Pse? Domethënë, problemi ynë nuk është si mundet të rregullojmë të nesërmen, por ç'do bëjmë me një njeri që nuk ka ndërmend të iki. Lëvizje të tilla zakonisht kanë tre rrugëdalje. Rrugëdalja e parë është një lider i ndritur, që sheh që një pjesë e popullit, edhe kur s'e ka gjithë popullin, e ka kundër dhe thotë: "Tërhiqem". Janë kryeministra europianë që kanë ikur shumë më pak sesa për kaq. Ka një rrugë të dytë, të cilën e pamë sot te kryeministri anglez. Pra, partia e sheh që ti je bërë pengesë dhe po e çon partinë qorrsokak, dhe është vetë partia me një, po themi, fjalë të zbukuruar, grusht shteti brenda partisë, që të nxjerr mënjanë. Këto janë rrugë shumë demokratike. E fatkeqësisht, ne s'jemi vend demokratik, prandaj rrugë të tilla bien.
Rruga e tretë që mbetet, është rruga e dhunës. Dhe rrugën e dhunës kush po e frymëzon? Deri tani, protestuesit që mblidhen 100 mijë veta në shesh dhe s'këpusin një degë e nuk thyejnë një xham, e kanë të vendosur që janë thelbësisht paqësorë. Nga ana tjetër, kush po e ushqen dhunën në shoqëri në këtë moment? Dhunën në shoqëri në këtë moment po ta ushqen Edi Rama. Ata paqësorë, ai thotë jeni agjentë të iranianëve. Ata paqësorë, ai thotë ju ka vënë Greqia që do të prishni turizmin. Ata paqësorë, ai thotë ju ka çu ai komunisti Albin Kurti. Ata paqësorë, janë shqiptarët e Maqedonisë. E deri te algoritmet e tjera, e tjera. Pra, Rama po kërkon me çdo kusht t'i provokojë ata drejt dhunës.
Dhe unë kam frikë, unë kam frikë se zgjidhja e vetme që i ngelet atyre njerëzve në shesh, e imponuar nga Rama, është dhuna. Pse është dhuna? Është dhuna sepse nga ata dy faktorët e parë që thashë unë, Rama s'ka ndërmend t'i skuqet faqja të iki, kjo është gjë e kuptueshme. Duket edhe nga gjuha e tij. Ai me sa duket e mban partinë peng. Në qoftë se ju dëgjoni me zë, se ne i kemi me burime të dyta, të treta, po ato që i ka thënë ai deputetëve të vet, "pallat, brigadave", duke i shantazhuar "më keni lënë vetëm, unë e përballoj vetëm", është një parti që ai e ka marrë peng. Atëherë kur dy zgjidhjet e para janë pothuajse të pamundura, ngelet dhuna. Problemi është, para se të arrihen te pesë kërkesat. Në qoftë se kjo protestë eskalon drejt dhunës, cilat mund të jenë rezultatet?
Do jemi të bindur që aty nuk do ketë më familjarë, gra, fëmijë, me karroca e të tjerë, e të tjerë. Por a mundet që ajo të trimërojë një pjesë tjetër shoqërisë, ta lidhi me këtë opozitë radikale që çdo... Unë kam frikë se do shkohet drejt saj dhe është e vetmja rrugë që i ka mbetur protestës për të arritur te pesë kërkesat. Dhe, ata nuk janë përgjegjës për dhunën, dhunën po e bën qeveria, por me sa duket në qoftë se do vazhdohet në këtë rrugë, pasojat e asaj dhune do t'i vuajmë të gjithë. Por jo gjithmonë pasojat e dhunës janë më të këqija sesa rezultati që arrihet prej dhunës. Ne këtu kemi një shembull, një shembull shumë tragjik me 2,000 të vrarë që është '97-ta. Por kur dhuna polli një shoqëri më të mirë. Pra, para alternativës të vazhdimit të Edi Ramës që të vazhdojë të vjedhë, të masakrojë, të uzurpojë dhe dhunës, unë zgjedh këtë të dytën, se Rama ka lënë vetëm këtë alternativë.
© SYRI.net