Liria e medias/ Xhixho ngre alarmin: Po kontrollohet me para publike, edhe gjykatat po i mbyllin dyert...

15:20, 01/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria ka shënuar një tjetër rënie në indeksin ndërkombëtar për lirinë e medias, duke u thelluar edhe më tej në një situatë problematike për shtypin e lirë. Sipas raportit më të fundit të “Reporterëve pa Kufij”, vendi ka humbur tre pozicione, një zhvillim që sipas nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, dëshmon një rrëshqitje të rrezikshme drejt autokracisë dhe një media totalisht të kontrolluar.

Gjatë një interviste në SYRI TV me moderatorin Arnold Kariqi, Xhixho e cilësoi rënien në renditje si “dramatike” dhe pjesë e një tendence negative gjatë dekadës së fundit. Ajo theksoi se ky përkeqësim po e largon Shqipërinë nga standardet demokratike evropiane, duke cenuar një nga liritë themelore: lirinë e shprehjes.

Erisa Xhixho: Prek një nga liritë kryesore të çdo vendi, që është liria e medias, është liria e shprehjes. Në fakt, në 10 vjeçarin e fundit, në dekadën e fundit ka pasur një rënie dramatike të renditjes së Shqipërisë në raportimet ndërkombëtare për lirinë e mediave. Në raportimin e fundit, siç e thatë dhe ju, të reporterëve pa kufij, kemi një rënie me tre vende, që tregon fare qartë që vendi jonë është duke shkuar shumë larg standarteve demokratike europiane dhe duke rënë absolutisht në një autokraci, në një media të kontrolluar. Shprehet mjaft qartë në raport fakti që gazetarët kritikë kërcënohen dhe fakti që ata edhe penalizohen. Ju keni rastet e gazetarëve dhe kolegëve tuaj në intervista me kreun e qeverisë, apo fakti që ka një autoçensurë, çka do të thotë që media nuk është duke implementuar atë parim shumë të madh që do të duhet të ketë në punën e saj, pra informacionin dhe interesin publik mbi të gjitha, por ndërhyrjet e politikës, presionit politik dhe të krimit të organizuar, thuhet në raport, që është goxha e rëndë, flet qartë që politika nëpërmjet dhe sidomos qeveria në këtë rast, nëpërmjet reklamave, nëpërmjet ndikimit financiar, bën që të kemi një mekanizëm kontrolli ndaj medias së lirë, ndaj gazetarëve dhe praktikisht ti të kesh cenuar të drejtën e qytetarëve për informim të thellë dhe të vërtetë.

Dhe padyshim që pas raportit të Transparency International ku kemi 11 vende rënie në luftën ndaj korrupsionit, padyshim që edhe raporti i lirisë së medias do të kishte një rënie dramatike. Gjithashtu, në interes të veçantë ka pasur raste të vendimeve të gjykatave që nuk kanë lënë praninë e mediave pikërisht për seancat gjyqësore, ku ne padyshim kemi dhe një kërkesë ndaj procesit gjyqësor të zotit Meta, ku kemi kërkuar transmetim live të këtij procesi, pasi po gjykohet ish-kryeministri, ish-presidenti, ish- kryetari i Kuvendit, presidenti i Partisë së Lirisë dhe padyshim që përbën një interes të lartë. Duhet të kemi parasysh për qytetarët, që kemi një parim shumë të rëndësishëm në fushën e jurisprudencës, parimi i seancave publike të gjykimit, çka do të thotë që sidomos në seanca të tilla që kanë interes publik, padyshim transparenca është shumë e rëndësishme për zhvillimin e procesit dhe për pikërisht për rritjen e asaj besueshmërie ndaj sistemit të drejtësisë, por jo vetëm, sidomos ndaj funksionarëve të lartë, ka precedent në Britani, në Amerikë ku transmetohen live.

Sepse drejtësia do të duhet të jetë e para e interesuar për një transparencë procesi. Prandaj fola që parimi universal është që seancat gjyqësore janë publike. Ç'ka do të thotë që qytetarë të zakonshëm mund të shkojnë atje, gazetarë mund të shkojnë atje, por dhe padyshim, rast pas rasti, ka mundësinë që këto seanca gjyqësore të jenë live. Dhe ka pasur shumë raste, përmenda Britaninë, përmenda Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kemi pasur dhe raste në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco