Pa kaluar 15 ditë pasi krijoi “Albanian Digital Solution” sh.a” sh.a. (ADS), me aksionar të vetëm Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), qeveria Rama nxiton dhe firmos dhënien e fondit prej 700 milionë lekë (rreth 7 milionë euro), për t’u përdorur në formën e kapitalit fillestar për shoqërinë “Albanian Digital Solution”, sh.a., me NIPT M61615021U.
Sipas vendimit, fondi i përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi përballohet nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për vitin 2026, në zërin “Shpenzime kapitale”.

Po kush do i menaxhojë këto para?
ADS ka aksioner të vetëm AKSHI-n e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Igli Tafa, i cili nga dëshia e dhënë në SPAK e Daniel Shimës është njeriu i besuar i biznesmenit, Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim së bashku me Ergys Agasin. Të dy biznesmenët së bashku me Mirlinda Karçanaj ish drejtoreshën e AKSHI-t janë marrë të pandehur pasi akuzohen se në formën e grupit të strukturuar kriminal kanë kontrolluar tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit.
Themelimi
Sipas të dhënave të QKB, kompania është themeluar më 14 prill 2026, ka kapital themeltar 700 milionë lekë, administrator Saimir Kapllani dhe objekt kryesor zhvillimin, operimin, mirëmbajtjen dhe mbështetjen teknike të sistemeve, platformave dhe shërbimeve digjitale.
Referenca kryesore ligjore është ligji nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike”, i cili rregullon krijimin, zhvillimin dhe menaxhimin e sistemeve të informacionit dhe shërbimeve elektronike në Shqipëri.
Ky ligj përcakton organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit dhe shërbimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, duke vendosur Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si autoritetin qendror përgjegjës për koordinimin, standardizimin dhe sigurinë e tyre.
Nëpërmjet ndryshimeve të fundit në këtë ligj, është parashikuar që AKSHI të ketë të drejtën të krijojë ose të marrë pjesë në shoqëri të posaçme për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, të cilat do të shërbejnë si struktura operacionale për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe platformave digjitale. Këto subjekte njihen si shoqëri operatore TIK dhe përfaqësojnë një ndarje funksionale midis rolit strategjik të shtetit dhe zbatimit teknik të projekteve digjitale.
Hije dyshimesh për ndërthurje interesash publike dhe private fshihen pas krijimit të kësaj shoqërie, më 14 prill 2026. Sipas dokumentacionit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të njëjtën ditë janë miratuar akti i themelimit, statuti i shoqërisë, emërimi i administratorit, këshillit mbikëqyrës dhe audituesit ligjor.
Një nga elementët më të debatueshëm në krijimin e “Albanian Digital Solution” sh.a. lidhet me objektin e veprimtarisë së shoqërisë, i cili në dokumentet zyrtare rezulton dukshëm më i gjerë se ai i parashikuar për “Shoqëritë Operatore TIK” sipas ligjit në fuqi.
Sipas aktit të themelimit dhe statutit, ADS nuk kufizohet vetëm në zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe platformave shtetërore të shërbimeve elektronike, por përfshin gjithashtu ofrimin e shërbimeve për subjekte private, konsulencë, veprimtari studimi dhe projektimi, operacione tregtare dhe financiare të lidhura me objektin, si dhe pjesëmarrje në kapitalin e shoqërive të tjera.
Ky zgjerim i objektit të veprimtarisë ngre dyshime të arsyeshme për devijim nga natyra e një shoqërie publike me funksion të posaçëm dhe për krijimin e hapësirave për ndërthurje të interesit publik me aktivitet ekonomik privat. Gjë që dosja e SPAK e provoi se ka qenë një praktikë e zakonshme Agjencinë Kombëtare të Informacionit (AKSHI).
'Pishina e peshkaqenëve'
Krijimi i “Albanian Digital Solution” sh.a” vjen në një kohë që AKSHI është përfshirë në një valë skandalesh, teksa hetimet e SPAK kanë zbuluar si fondet e AKSHI-t devijoheshin drejt xhepave të ish-drejtoreshës së AKSHI, Mirlinda Karçanajt dhe dy biznesmenëve përmes kontratave fiktive, zhvatjes, kutive të verës të mbushura me cash dhe personave anonimë për të mbuluar pronësinë.
Madje biznesmenia Shqiptaro-Gjermane, Migena Schroeder, një ndër dëshmitaret kryesore të prokurorisë së posaçme SPAK gjatë denoncimit të aferave të AKSHI-t deklaroi se i kishin thënë se kishte hyrë 'në pishinë me peshkaqen…’.
Ndërkohë pak ditë më parë hetimet mbi transaksionet financiare dhe pasuritë e shtyu SPAK-un që të ngrinte akuzën shtesë të korrupsionit ndaj Karçanajt, Agasit dhe Beqirit si dhe të sekuestronte pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro si pjesë e një portofoli të përbërë nga pasuritë të patundshme, vila, jahte dhe llogari bankare.
Për këtë çështje u regjistruan si të akuzuar edhe 5 persona të tjerë; mes të cilëve ish-nëndrejtori i AKSHI, Daniel Shima si dhe Emirton Suli, Gentian Likaj, Arjola Koromani dhe Elision Jorgji.
© SYRI.net