Fshehu dënimin, Kryebashkiaku i Ramës rrezikon Mandatin! Gjykata e Lartë urdhëron KQZ...

Fshehu dënimin, Kryebashkiaku i Ramës rrezikon Mandatin! Gjykata e Lartë urdhëron KQZ...

17:10, 28/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari rrezikon mandatin.

Gjykata e Lartë urdhëron KQZ të marrë një vendim lidhur me mandatin e Hajdarit, i cili rezulton në detyrë dhe i dënuar për veprën penale të falsifikimit të formularëve, vulave e stampave. E thënë më qartë në rrugë administrative mandati i kryebashkiakut të Kuçovës konsiderohet ende çështje e pazgjidhur.

Me vendimin e 4 shkurtit 2026, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Kreshnik Hajdarit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative.  

Gjykata e Lartë vendosi që çështja e mandatit të Kreshnik Hajdarit nuk mund të gjykohet ende nga gjykata, sepse procedura administrative në KQZ nuk ka përfunduar.

Pra sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, KQZ me në krye llirjan Celibashin duhej të merrte një vendim: T'i hiqte mandatin apo jo Kreshnik Hajdarit.

Për aq kohë sa KQZ nuk është shprehur me një vendim shterues nëse Hajdari preket apo jo nga ligji i dekriminalizimit, nuk ka çfarë të gjykojë kjo gjykatë.

Kjo pasi KQZ e ka lejuar Hajdarin të kandidojë, duke vlerësuar se ai nuk preket nga efektet e dekriminalizimit, por ka qenë Komisioni i Apelimeve në KQZ, KAS, që ka kërkuar që çështja të rihetohet dhe KQZ të dalë me një vendimmarrje. Pikërisht për mosdeklarim e dënimit z.Hajdari u dënua me kërkesë të SPAK më 27 Janar 2024.

 

" Në rastin konkret, vendimi nr. 01, datë 05.01.2024, nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes, por e ka kthyer çështjen për rishqyrtim pranë KSHZ. KAS nuk ka nxjerrë një akt përfundimtar në kuptimin material, por një vendim procedural që shfuqizon vendimin e Komisionerit dhe e kthen çështjen për rishqyrtim pranë tij. Akti administrativ që kundërshtohet nuk përcakton të drejta përfundimtare dhe, si i tillë, nuk e mbyll procedimin. Në rastin konkret, KAS e ka kthyer çështjen për rishqyrtim te Komisioneri, i cili duhet të vendosë nëse është rasti për pezullimin e shqyrtimit, derisa gjykata të marrë vendim të formës së prerë lidhur me kallëzimin për falsifikim të formularit nga ana e subjektit vetëdeklarues dhe nëse vendimi i GJKKO-së ka marrë formë të prerë, për sa u deklarua në seancë përgatitore nga palët, të shprehet përfundimisht nëse paditësi përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Sa më sipër u arsyetua, gjykata vlerëson nxjerrjen e çështjes administrative jashtë juridiksionit gjyqësor të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e shqyrtimit administrativ pranë organit administrativ, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve" argument0het në vendim.

Tani urdhërohet KQZ që të marrë një vendim

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se në kushtet kur nuk kemi një shterim të ankimit administrativ dhe për faktin se çështja nuk është shqyrtuar nga organi administrativ epror në kuptimin e pasjes së një vendimi përfundimtar që shyqrton çështjen, pasi ky i fundit e ka kthyer për rishqyrtim, atëherë vendimi i Gjykatës, për nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të kësaj çështje duhet të lihet në fuqi.

Çfarë ka ndodhur

Kreshnik Hajdari u zgjodh kryetar bashkie në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. I mbështetur nga PS e Edi Ramës, depozitoi në KQZ në datën 02.04.2023 formularin e vetëdeklarimit. KQZ verifikoi të dhënat e formularit të vetëdeklarimit të paditësit dhe doli me vendim se nuk ka shkaqe që Kreshnik Hajdari t’i ndalohet kandidimi.  Por koalicioni "Bashkë Fitojmë", me anë të shkresës nr. 220, datë 04.04.2023,  informoi KQZ-në se Hajdari ishte dënuar penalisht në shtetin grek dhe nuk e kishte deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit. 

Me vendim nr. 679, datë 04.07.2023, KQZ i dha Hajdarit mandatin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Më pas, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, pas ankimit nga Partia e Lirisë, e rrëzoi këtë vendim dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim te Komisioneri, duke kërkuar të vlerësohej nëse procedura duhej pezulluar për shkak të një hetimi penal paralel.

Hajdari iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë e cila nuk e shqyrtoi çështjen në themel, por e nxori jashtë juridiksionit, duke argumentuar se procedura administrative nuk kishte përfunduar ende (sepse ishte kthyer për rishqyrtim). Më pas Hajdari bëri rekurs vendimin në Gjykatën e Lartë e cila me vendimin e 4 shkurtit 2026, vendosi të lërë në fuqi këtë qëndrim.

Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se nuk kishte ende një vendim përfundimtar administrativ dhe se paditësi duhet të presë përfundimin e procesit në KQZ para se t’i drejtohet gjykatës.

Hajdari i dënuar 

Kujtojmë se në, janar 2024, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dënoi me 9 muaj burg  Kreshnik Hajdarin duke e shpallur fajtor për akuzën "falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve", më shumë se një herë lidhur me mosdeklarimin e procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi.  Por dënimi u konvertua nga togat e zeza me 150 orë punë. Në këtë gjykim Hajdari kërkoi gjykim të shkurtuar. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco