Deputeti i opozitës Tedi Blushi, në tryezën për shëndetësinë me mjekë nga fusha të ndryshme, ka denoncuar degradimin e thellë të sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe mungesë të garantimit të shërbimit për qytetarët.
Ai ka akuzuar qeverinë se ka ndërtuar një sistem ku pacientët përballen me mungesë ilaçesh jetike, sidomos për sëmundjet onkologjike.
Blushi ka theksuar se, sipas të dhënave dhe rasteve të paraqitura, shumë të sëmurë detyrohen të përballen me trajtime të pamjaftueshme ose të pasigurta.
Ai ka ngritur shqetësimin për rritjen e kostove të fshehura dhe barrës financiare mbi pacientët në sistemin publik. Sipas tij, situata aktuale kërkon ndërhyrje urgjente dhe ndryshim rrënjësor të mënyrës së funksionimit të shëndetësisë.
Pjesë nga deklarata:
Niveli më mizerabël i përkujdesit shëndetësor. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Numbeo, rrjeti mbarëbotëror që merr në shqyrtim cilësinë e përgjithshme të jetesës, e rendisin për vitin 2026 Shqipërinë në vendin e 93-të ndër 100 vende të botës. Me 48.1 pikë, kemi humbur një vend në raport me vitin 2025 dhe, ajo që është më tragjike, kemi humbur 17 vende në raport me vitin 2013, kur Rilindja erdhi në pushtet pikërisht me premtimin, mashtrimin e shëndetësisë falas dhe me premtimin për të ndryshuar rrënjësisht sistemin shëndetësor.
Jemi përkeqësuar 17 vende në raport me vitin 2013. Aq sa sot kemi një sistem shëndetësor që jo vetëm nuk garanton mbrojtjen e shëndetit publik, por nuk garanton as mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve. Sepse sot, nëse ke një sëmundje, ajo nuk pyet nëse je i djathtë apo i majtë, nëse je anëtar i Partisë së Lirisë, i Partisë Socialiste apo i ndonjë force tjetër. Dhe pikërisht mjekësinë, që në themel ka humanizmin dhe betimin e Hipokratit, Rilindja e ka degraduar në një pazar të fëlliqur për shëndetin dhe jetën, në një shëndetësi që funksionon, për fat të keq, sipas parimit kriminal: “paguaj ose vdis”.
Siç e theksuan edhe dy parafolëset, koleget e nderuara, Spitali Onkologjik është sot shembulli jo vetëm i dhimbshëm, por edhe më tragjik, ku pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale nuk përballen vetëm me mungesën e një trajtimi dinjitoz, por edhe me rrezikun real për jetën. Çdo vit, sipas vetë Institutit të Statistikave të Edi Ramës, kemi rreth 7.000 raste të reja me kancer, ndërkohë që 46% e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale, për periudhën 2021–2025, nuk janë importuar asnjëherë. Pra, asnjë kokërr ilaçi shërues nuk është siguruar për katër vite.
Situata e furnizimit me ilaçe është skandaloze, pa harruar faktin se shumë pacientë trajtohen me barna të dyshimta, të skaduara, që nuk kanë efekt në shëndetin e tyre. Në vlerësimin tonë, ky nuk është kujdes shëndetësor, por një krim, e theksoj, një krim i qëllimshëm shtetëror.
Përveç rasteve tragjike që vijnë pothuajse në mënyrë periodike nga Spitali Onkologjik, po sjell në vëmendje edhe rastin e të ndjerit Ardit Rapushi, vetëm 35 vjeç, i cili më 19 shkurt të vitit të kaluar shkoi për një vizitë rutinë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe pas katër ditësh familja mësoi se ai kishte ndërruar jetë. Nuk vuante nga asnjë sëmundje e rëndë, por sipas familjes kishte vetëm probleme me tensionin. Hyri i gjallë dhe doli pa jetë. Familja e mësoi këtë vetëm pas katër ditësh, pasi iu refuzua çdo informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Ky sistem, për fat të keq, është një sistem kriminal shëndetësor që është ndërtuar në këto 11 vite nga Edi Rama. E çimentoi Ilir Beqja, e perfeksionoi Ogerta Manastirliu, e përforcoi Albana Koçiu, dhe po e vijon Evis Sala. Spitalet publike dhe qendrat shëndetësore janë kthyer në ambiente ku qytetarët hyjnë me shpresë për shërim dhe dalin të zhgënjyer, duke paguar kosto të pamerituara dhe shpesh tragjike.
Mungesa e barnave, korrupsioni i përhapur, tarifat e fshehura dhe braktisja e sistemit, bashkë me pagat mizerabël të mjekëve dhe infermierëve krahasuar me vendet fqinje dhe Kosovën…
© SYRI.net