Një zjarr masiv ka përfshirë një pallat banimi në Tiranë, duke lënë dhjetëra familje në qiell të hapur, ndërsa operacioni i shuarjes së flakëve është përballur me vështirësi të skajshme.
I pranishëm në vendngjarje, këshilltari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, ka denoncuar një situatë skandaloze, duke akuzuar se ndërhyrjet në infrastrukturë dhe ndërtimet pa kriter kanë bllokuar aksesin e automjeteve zjarrfikëse, duke e kthyer situatën në një tragjedi të paralajmëruar.
Teliti, u shpreh për Syri TV se zjarri në pallatin në kryeqytet nxori në pah probleme serioze me planifikimin urban dhe aksesin e zjarrfikëseve, duke akuzuar Bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi pa standarde dhe mungesë kontrolli.
Ai paralajmëroi se opozita në Këshillin Bashkiak do të kërkojë të gjithë dokumentacionin e projektit të pallatit dhe do të kërkojë hetim nga prokuroria, si dhe masa urgjente për strehimin e banorëve të prekur.
Pjesë nga deklarata:
Një situatë e trishtë, tragjike, ku po shohim prej tre orësh tashmë se si po digjet godina me gjithë apartamentet përkatëse. Ndërkohë, dua ta filloj me një falënderim për ata punëtorët e thjeshtë të zjarrfikësve të Tiranës, të cilët me heroizëm shpëtuan së pari jetë njerëzish, por nga ana tjetër dua të denoncoj këtu para jush se kemi 10 e ca makina zjarrfikëse që nuk futen dot asnjëra, sepse janë ngushtuar hapësirat përkatëse ku duhet të futen makinat për të fikur zjarret. Ja ku është realiteti.
Sot, edhe Armera që po na ndjek, sot ne do të merremi që të jemi në mbështetje të banorëve, që të shpëtojmë shtëpitë e tyre, aq sa mund të kenë mbetur për t’u shpëtuar, dhe që të merremi me strehimin e tyre. Pasi e dimë shumë mirë që të paktën 48 orë, derisa të bëhen verifikimet përkatëse, askush nuk mund të futet dot brenda dhe këta do ta kalojnë natën jashtë. Dhe duhet që Bashkia e Tiranës urgjentisht të marrë masa për strehimin e dhjetëra e dhjetëra familjeve, të cilat sot dhe nesër do të gjenden nën hijen e natës, sepse fatkeqësisht mund të jenë tërësisht të braktisura, ndonëse ndonjë prej tyre mund të ketë edhe familjarë ku mund të akomodohet. Por strukturat e bashkisë duhet të bëjnë detyrën e tyre.
Në anën tjetër shohim, ja ku i kemi makinat e zjarrfikëses bashkë me shkallët. Nuk futen dot brenda. Kemi vetëm një makinë zjarrfikëse brenda; heronjtë janë ata zjarrfikës atje. Kanë tre orë që po i shoh këtu duke bërë betejë me flakët. Por janë të vetëm në betejë, sepse shteti shqiptar, kjo bashki dhe kjo qeveri, e cila ka ndërtuar para shtatë vitesh këto godina kur ka dhënë lejet, ka zaptuar hapësirat dhe nuk futet dot asnjë makinë e vetme shtesë për të ndihmuar fikjen e zjarreve.
Sot kemi dhjetëra e qindra persona të angazhuar nga shteti shqiptar, bashkia dhe zjarrfikësit, por vetëm dy prej tyre po luftojnë flakët; të tjerët po shohin fatkeqësisht dhe po bëjnë sehir, ndonëse është tragjike ta thuash, por kjo është e vërteta.
Jam me të vërtetë i indinjuar, sepse kam prej dy orësh e ca që jam me banorët. Kam parë të qara, kam dëgjuar të shara, kam marrë ankesa, kam dëgjuar edhe mallkime, ndonëse jo të mira, por edhe mallkime, sepse po shohin se si po digjet jeta e tyre. Për ne shqiptarët, pas jetës dhe numrave të shtëpisë, prona është gjëja më e shenjtë që kemi; është streha familjare.
Dhe kur shikon se po digjet dhe askush praktikisht nuk po merr masa të duhura, duke qenë se mjetet janë, por nuk ka hapësirë, sepse është ndërtuar keq, kjo është diçka shumë e trishtë. Mundi i gjithë jetës është vërtet diçka shumë e trishtë.
Por ne sot, si këshilltarë bashkiakë, do të merremi me mbështetjen e banorëve. Do të merremi që të vijmë në ndihmë edhe strukturave shtetërore. Çfarë kanë nevojë, unë këtu jam dhe të tjerët do të vijnë, këtu jemi për t’i ardhur në ndihmë çdo banori që ka nevojë për mbështetjen tonë.
Ama nesër do të merremi për të nxjerrë në pah përgjegjësit e vërtetë të kësaj katrahure dhe kasaphane të radhës. Nuk është hera e parë që digjet një pallat në Tiranë. Ka ndodhur edhe më parë, por raste si ky, ku nuk futen dot dy makina zjarrfikëse, por futet vetëm një, dhe ku çdo 30 minuta i mbaron uji makinës zjarrfikëse dhe duhet të zëvendësohet, duke ndërprerë betejën me flakët, janë të papranueshme.
Ndërpritet, siç e keni parë edhe tani, beteja u ndërpre për të ardhur boti tjetër. Ndërkohë, sipas ligjit, në çdo pallat, sidomos të ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit, duhet të ketë hidrante uji në perimetrin e jashtëm, gjë që tregon shkelje të radhës të ligjit në Bashkinë e Tiranës.
Sot po shohim pasojat: djegien e jetës së tyre, mundin e gjithë jetës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Kjo është diçka shumë e trishtë.
Së pari, nuk dua të spekulloj, por nga banorët që kam takuar më parë kam dëgjuar edhe pretendime që nuk e di nëse janë të vërteta dhe duhet të verifikohen në ditët në vijim, se ka problematika edhe me kolaudimin dhe dorëzimin e pallatit. Megjithatë, do ta vërtetojë koha.
Ne si këshilltarë të zgjedhur, dhe unë si nënkryetar i Këshillit Bashkiak, ditën e nesërme do të dorëzojmë shkresë zyrtare në Bashkinë e Tiranës, ku ajo ka maksimumi 10 ditë kohë për të na vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin e plotë të këtij projekti, nga hartimi i tij deri te zbatimi dhe kolaudimi.
Do të shohim nëse dëmi është pasojë e një zjarri që mund të ishte evituar apo jo. Këtë do ta vlerësojmë bashkë me ekspertët e fushës. Por nesër do të kërkohet i gjithë informacioni zyrtar dhe brenda pak javësh do të bëjmë transparencë të plotë për këtë çështje.
Ndërkohë, prokuroria duhet të hapë urgjentisht procedim penal dhe kallëzim përkatës për shkaqet dhe dëmet e këtij incidenti. Ne do të bëjmë tonën dhe do të bëjmë transparencë publike, sidomos për banorët që po derdhin lot për pronën e tyre që po u zhduket para syve.
Dhe e përsëris, janë vetëm dy zjarrfikës heronj që po bëjnë betejën me flakët. Të tjerët e kanë të pamundur të japin ndihmën e tyre, pasi hapësira është aq e ngushtë sa edhe njerëzit mezi kalojnë, jo më makinat.
© SYRI.net