Debati mbi situatën politike në Shqipëri thekson sfida serioze si vetëcensura në media dhe presioni ndaj opozitës, duke e bërë të diskutueshëm krahasimin me vende si Hungaria dhe duke rritur shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë.
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, Nikola Kedhi nga Departamenti “Brain Gain” në Partia Demokratike e Shqipërisë tha se Shqipëria po përballet me një realitet politik të deformuar, ku standardet demokratike janë cenuar rëndë dhe krahasimet me vende si Hungaria nuk qëndrojnë.
Sipas tij, vendi karakterizohet nga presioni ndaj mediave, dobësimi i opozitës dhe ndikimi i krimit të organizuar në proceset zgjedhore, faktorë që, siç theksoi, po pengojnë rotacionin politik dhe po rrisin shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Pjesë nga deklarata:
Orbán, unë e thashë edhe një herë që paralelet nuk qëndrojnë për të gjitha arsyet që përmende, duke filluar nga mediat. Në Shqipëri, për shembull, raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut thotë që gazetarët vetëcensurohen për shkak të trysnisë nga pronarët e mediave apo trysnisë direkte nga elementë qeveritarë.
Unë e them shpesh që duhet të qeverisë e djathta, që të zgjohet nervi opozitar i shoqërisë civile, i cili duket sikur funksionon “me buton”: kur shtypet butoni dhe i thuhet të aktivizohet, aktivizohet. E njëjta gjë ndodh edhe me mediat dhe elementë të tjerë. Sa herë qeveris e majta, fillon një lloj gjumi letargjik, nisin pazaret, financimet e të tjera me radhë, pasi në fund gjithçka lidhet me financimin.
Opozita shqiptare nuk e ka pasur luksin e opozitës hungareze për të marrë miliona nga Brukseli si ndihmë, siç ka ndodhur atje. Këtë e kam parë vetë, pasi mbuloja çështjet e financimit të fushatave gjatë javës që isha në Budapest. Përkundrazi, opozita shqiptare ka qenë nën sulm të vazhdueshëm dhe në një rrethim të paprecedentë. Asnjë partie opozitare në Hungari apo gjetkë në Bashkimin Europian nuk i është marrë logoja apo vula e partisë, apo t’i hiqet emri i kryetarit nga fleta e votimit.
Në koalicionin e vitit 2023, opozita deklaronte se përfaqësohej nga Sali Berisha si kryetar i koalicionit. Por KQZ-ja vendosi ndryshe, duke thënë se nuk ishte Sali Berisha, por Ilir Meta.
Ku ndodh një gjë e tillë? Në cilin vend të Bashkimit Europian, apo edhe më gjerë? Nuk besoj se ndodh, nuk e kam dëgjuar. Pra, janë situata të tilla të pazakonta që kanë ndodhur në Shqipëri dhe që nuk hasen në vende të tjera.
Po ashtu, është përmendur edhe ndikimi i krimit të organizuar. Këtë e ka theksuar Michael Gahler, eurodeputet, i cili e pa vetë situatën gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar. Në Parlamentin Europian ai u shpreh se në Shqipëri krimi i organizuar pengon rotacionin politik.
Më pas, vetëm pak javë më parë, edhe David McAllister, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, ngriti shqetësime për shtetin ligjor dhe për dobësimin e shtyllave të republikës në Shqipëri. Mjafton të shihen amendamentet e paraqitura nga eurodeputetë të ndryshëm, nga grupime të ndryshme politike – socialistë, liberalë, konservatorë dhe parti popullore – për raportin mbi Shqipërinë në Parlamentin Europian. Ato janë mjaft shqetësuese.
Flitet edhe për forma alternative të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, pasi procesi i integrimit europian duket se ka ngecur. Në Shqipëri ka probleme reale dhe serioze, të cilat për një kohë të gjatë janë ndjerë nga qytetarët, por tashmë po ndihen edhe nga vendet europiane, për shkak të rrezikshmërisë në rritje.
Nga korrupsioni që rëndonte mbi qytetarët shqiptarë, situata ka evoluar drejt cenimit të sigurisë rajonale dhe asaj të NATO-s. Trafiku i drogës prek drejtpërdrejt vendet dhe qytetarët europianë. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë një rritje të ndërgjegjësimit dhe reagimit nga vendet e Bashkimit Europian, eurodeputetët dhe institucionet ndërkombëtare.
Megjithatë, e përsëris se këto elemente nuk i gjeta në Hungari, dhe as misioni vëzhgues nuk i konstatoi atje. Në Hungari është mundësuar rotacioni i pushtetit dhe, një fakt interesant, në asnjë nga zgjedhjet e kaluara nuk ka pasur mosnjohje të rezultatit apo ankesa përfundimtare nga opozita, përfshirë edhe ato socialiste që kanë marrë pjesë në procese të ndryshme zgjedhore.
© SYRI.net