Berisha: Kaosin dhe mafian në shëndetësi e krijoi Rama. Rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të jenë njësoj me vendet e tjera

13:37, 11/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzon Ramën si autorin e kaosit dhe mafias në shëndetësi.

Këtë kaos e krijoi Edi Rama, këtë mafie të pashpirt e krijoi Edi Rama dhe mafia e shëndetësisë është mafia më e pashpirt e të gjitha të tjerave’ tha Berisha duke premtuar se me PD në pushtet do të ketë një ndryshim drastiktë menaxhimit të shëndetësisë.

“Garantoj shqiptarët se nuk do të mungojë në mënyrë absolute asnjë ilaç i standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë apo i domosdoshëm për jetën dhe shëndetin e tyre” tha Berisha duke premtuar rritje të rrogave për infermierët dhe mjekët.

 

Pjesë nga bashkëbisedimi online

Qëndresa Shqiptare: Sistemi shëndetësor në Shqipëri edhe pse ka godina dhe fasada me ngjyra, vazhdon të torturojë njerëzit që kanë hall. Personalisht po përballem me një burokraci të paparë. Çdo analizë bëhet jashtë QSUT-së, mosha e tretë e ka të pamundur të ja dalë vetë derë më derë në çdo cep të Tiranës nëse nuk ka një shoqërues, fëmijën e vet apo një familjar. QSUT nuk bën edhe një grup gjaku jo më analizat e tjera të protokollit. Është një gjendje dramatike në menaxhim, kemi mbetur vetëm të falënderojmë mjekët që të paktën ekzistojnë, aq pak sa kanë mbetur me dinjitet dhe profesionalizëm duke na dhënë zgjidhje, ndonëse në kushte shumë të vështira. Si mendoni ju ta zgjidhni këtë situatë kur PD të vijë në pushtet?

 

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen dhe konstatimi juaj është konstatimi më i dhimbshëm. Shkatërrimi që ju keni parë në rrugët e vendit, është e vërteta që është vetëm një anë e shkatërrimit total të këtij vendi.

Por në të gjitha shkatërrimet, më i dhimbshmi është shkatërrimi i shëndetësisë, në të cilin të sëmurët kanë dy ndëshkime; ndëshkimin e sëmundjes dhe ndëshkimin për mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor, ndëshkimin qeveritar.

Po jap një shembull. Dje dëgjoja një mjek të njohur i cili thoshte se unë, importuam një aparaturë 600 mijë euro. Në instalimin e saj mori pjesë ministrja dhe drejtoresha e përgjithshme e spitalit. Por natyrisht thotë, aparatura nuk u përdor për të sëmurin sepse mungonin disa aksesorë krejtësisht të parëndësishëm.

Ato operacione nuk bëhen as sot tha doktori, sepse aksesorët përsëri mungojnë. U detyrova tha që të marr në telefon ministren dhe këtu ka gabuar ai. Se ata nuk meritojnë as telefon. Ato janë njerëz pa dinjitet, pa personalitet, sepse janë automat të turpshëm dhe pastaj kishte marrë një përgjigje të denjë vetëm për ministren.

Çdo javë nga spitali onkologjik raportohet se, këto ilaçe mungojnë, se brankiterapia prej 3 muajsh nuk funksionon, se të sëmurët mbeten pa mjekim, se të sëmurët qëndrojnë në karrige.

Po kështu janë në sektorë të tjerë. Spitali njofton se analiza nuk bën më. Këto ditë të javës nuk presim për analiza se nuk ka reagen.

Së pari duhet të pranojmë se, shëndetësia edhe më parë kishte probleme të pamohueshme, por kurrë, kurrë nuk ishte në këtë gjendje. Nuk ndodhte kurrë që të mungonin ilaçet në spitalin Onkologjik, asnjëherë.

Nuk ndodhte kurrë që aparaturat të rrinin 1-2 vite të pahapura sepse mungonte kjo apo ajo pjesë.

Nuk ndodhte kurrë që të bëheshin tenderat, të jepeshin paratë dhe ilaçet të mos vinin, siç është faktuar.

Pra, një ndryshim dramatik do të ndodhë. Përsëri ka një problem për mjekët që ju i falënderuat.

Ne do rrisim rrogat e mjekëve, do i afrojmë ato me rrogat e larta të vendeve të tjera. Përndryshe nuk do të kemi mjek.

Ne do rrisim rrogat e infermierëve, do i afrojmë ato me rrogat e larta të vendeve të tjera. Përndryshe nuk do të ketë njeri të kujdeset për ne.

Ne do të sanksionojmë të drejtat e të sëmurit dhe do të bëhet përgjegjës çdo individ, institucion që nuk garanton ato të drejta.

Garantoj shqiptarët se nuk do të mungojë në mënyrë absolute asnjë ilaç i standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë apo i domosdoshëm për jetën dhe shëndetin e tyre.

Pse u krijua kjo situatë? Kjo situatë u krijua sepse, Edi Rama mori përsipër analizat. Gjeti një murator dhe i dha laboratorin më modern. Ju them unë ju, spitali numër 1, u pajis me një nga laboratorët më modern në rajon dhe kishte aty shkencëtarë të vërtetë, mjek të shquar, pasionantë të cilët punonin me përkushtim të madh.

Edi Rama ia dha muratorit të vet. I dha sterilizminin patronazhistit duke rritur koston e sterilizimit 83 herë sipas KLSH-së.

Dhe checkup bashkëshortes së kushëririt për të ndarë paratë me to, e cila në të vizituarit e saj ka marrë para shtetit shqiptar të paktën për gjysëm milioni qytetar që janë ndarë nga jeta vite më parë, sikur ata kanë bërë checkup.

Këtë kaos e krijoi Edi Rama, këtë mafie të pashpirt e krijoi Edi Rama dhe mafia e shëndetësisë është mafia më e pashpirt e të gjitha të tjerave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco