Kryetari i PD-së Sali Berisha ngriti shqetësimin se lidhjet e Edi Ramës me kartelin Sinaloa janë një problem madhor sigurie jo vetëm për Shqipërinë por dhe Europën dhe botën.
“Janë një numër tjetër i madh kartelesh me të cilat Edi Rama mban lidhje dhe kërcënon sigurinë e rajonit dhe më gjerë” tha Berisha. Ai tha se kullat e ndërtuara me paratë e drogës në Shqipëri kanë bërë emergjente një politikë sociale strehimi dhe se PD qëndron plotësisht pas saj.
Pjesë nga bashkëbisedimi online
Delvi Sinan Iliaj: Zoti Berisha, mediat në Meksikë kanë shkruar për mafien shqiptare si të lidhura me kartelet meksikane të përfshira në trafik drogë. Ndërkohë një prej personazheve, që sipas këtyre medieve, pastron paratë e karteleve meksikane, është pritur nga Edi Rama në zyrë. Sa e minon integrimin në BE kjo politikë e Edi Ramës për t’u lidhur me kartelet e drogës dhe sa e dëmton raportin me aleatin tonë strategjik, SHBA?
Sali Berisha: Siç e dini, Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.
Lidhjet e Edi Ramës me Sinaloan janë një problem madhor sigurie për Shqipërinë, Europën dhe botën.
Janë një rrezik shumë serioz.
Por këto janë vetëm një aspekt, sepse lidhjet e Edi Ramës janë polivalente.
Janë një numër tjetër i madh kartelesh me të cilat Edi Rama mban lidhje dhe kërcënon sigurinë e rajonit dhe më gjerë.
E vërteta është se këto klane, këto kartele janë armike të egra të shqiptarëve dhe të Shqipërisë dhe po e shkatërrojnë atë.
Këto ditë, në qoftë se e keni ndjekur, Edi Rama flet për ndërtimin dhe përpiqet të ndërsejë ndërtuesit kundër opozitës pse opozita denoncon kullat e drogës si monumente droge dhe korrupsioni.
Unë duhet t’u them shqiptarëve se ne nuk jemi kundër ndërtimit, por jemi kundër makinerisë gjigante të larjes së parave të drogës në ndërtim dhe ndërtimit të karteleve të drogës.
Sepse ky ndërtim po shkatërron ekonominë e Shqipërisë.
Ëshët e vërtetë se disa mijëra punësohen, por është e vërtetë se qindra mijëra të tjerë falimentojnë për shkak të parave të drogës.
Është e vërtetë se ndërtimet e klaneve të drogës kanë rritur në stratosferë çmimet e banesave dhe e kanë bërë mollë të ndaluar për qytetarët e Tiranës dhe shqiptarët detyrohen të largohen.
Është e vërtetë se paratë e drogës që ndërtojnë kulla kanë rrëzuar përdhe euron dhe dollarin.
Kanë shkatërruar me dhjetëra mijëra ndërmarrje eksporti dhe kanë përzënë nga Shqipëria qindra mijëra shqiptarë për shkak të humbjes së vendeve të punës.
Pra, ndërtimi me paratë e drogës është ndëshkim për shqiptarët.
Qeveria e PD është zotuar se do ndërmarrë ndërtime vetëm e vetëm për të shkatërruar ndikimin e tmerrshëm të karteleve të drogës mbi ndërtimin në Shqipëri.
Se ata do shiten me çmime të leverdishme në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të mund të strehohen dhe do u jepen kredi.
Pra, këto kulla droge kanë bërë emergjente një politikë sociale strehimi dhe në qëndrojmë plotësisht pas saj.
© SYRI.net